Kasami: Qeveria e keqinterpreton raportin e KE-së, notat nuk kalojnë mbi shkallën 2

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami sot në konferencë për shtyp deklaroi se partia me të cilën ai udhëheqë nuk pajtohet me interpretimin e Qeverisë së RMV-së, që vendi ka bërë përparim të dukshëm në të gjashtë sferat e vlerësimit. Kjo për faktin që, siç tha ai, gjuha zyrtare e autoriteteve të Komisionit Evropian është “Gjuhë e përmbajtur diplomatike” e cila duhet deshifruar ndërmjet rreshtave, njofton Portalb.mk.

“Për Lëvizjen BESA, është i papranueshëm prononcimi i Zyrtarëve të qeverisë që ‘notat e marra janë të kënaqshme’, kur të njëjtat nuk kalojnë mbi shkallën 2. Kjo, sepse përveç klasterit për Politikat e Sigurisë së Jashtme në rajon dhe balancimin e tyre me politikat e BE-së, dhe të NATO-s, të gjithë klasterët tjerë janë të vlerësuar gati se pa ndonjë përparim përmbajtësor. Madje ato kanë rezultuar edhe më dobët se vlerësimi paraprak, që nënkupton notë zero, njësh ose dysh. Stagnim dhe mos lëvizje nga vendi ka, dhe ai vërehet në luftën kundër korrupsionit të lartë, nepotizmit dhe proteksionizmit, paaftësinë për menaxhimin transparent me financat e vendit, si dhe paaftësinë për thithjen e fondeve te BE-së, dhe keqmenaxhimin e tyre, tani dhe në të kaluarën”, tha Kasami.

Gjithashtu, shtoi kryetari i partisë, edhe në sferën e sundimit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, Komisioni edhe përkundër faktit që thekson se shteti ka përparim në këtë drejtim ngrit si shqetësim gjendjen dhe kushtet në burgje, gjendjen e të cilave e konsideron si tragjike, si dhe paaftësinë e Qeverisë për të përpiluar një strategji për reforma në mediume dhe për adaptimin e Kodit Zgjedhor në përputhje me standardet dhe praktitat ndërkombëtare.

“Lëvizja BESA edhe një herë konstaton që fjala është për një Raport që flet për joseriozitetin e Qeverisë rreth sugjerimeve të Komisionit Evropian, mungesën e vullnetit dhe kapacitetit të mjaftueshëm politik të Qeverisë, të luftojë dekadencën që pengon negociatat për anëtarësim të plotë të vendit në BE”, shtoi Kasami.

Gazetari i Portalb.mk, e pyeti kryetarin e partisë nëse Lëvizja BESA ka hequr dorë nga mundësia për futjen në Qeveri, ai u përgjigj se ata kanë deklaruar se kjo qeveri është e dështuar dhe se duhet të mbahen zgjedhje të lira.

I pyetur nëse Aleanca për Shqiptarët vendos të futet në Qeveri, a do të vazhdojë Lëvizja BESA që të bashkëpunojë me këtë parti, Kasami tha se ata janë të gatshëm për bashkëpunim vetëm me partitë opozitare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button