Dita Ndërkombëtare e Varfërisë: RMV-ja ka shumë punë në këtë drejtim, kritika edhe nga Komisioni Evropian (Infografik)

Dita ndërkombëtare e varfërisë e cila shënohet sot, Maqedoninë e Veriut nuk e gjen në formën e saj më të mire në këtë drejtim. Vendi duhet të bëjë ende shumë punë në drejtim të eliminimit të varfërisë, kjo është konstatuar edhe në Raportin e fundit për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian. Raporti thekson mangësitë ku vendi duhet të punojë. Portalb.mk më poshtë sjell gjetjet e raportit për varfërinë në vend.

Sipas raportit, përqindja e njerëzve që jetojnë në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social ka rënë paksa vitet e fundit, por ende qëndron në një shifër shumë të lartë prej 32,6% në vitin 2020.

“Sistemi i plotë i monitorimit dhe vlerësimit për shërbimet sociale dhe sistemi i duhur i centralizuar i IT-së për të ndjekur shoqërinë skemat e asistencës janë të mangëta. Decentralizimi i ndihmës sociale mbetet i moderuar”, thuhet në raport.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Përkufizimi i hendekut të varfërisë

Hendeku i varfërisë është raporti me të cilin të ardhurat mesatare të të varfërve bien nën kufirin e varfërisë. Kufiri i varfërisë përkufizohet si gjysma e të ardhurave mesatare familjare të popullsisë totale. Hendeku i varfërisë ndihmon në përsosjen e shkallës së varfërisë duke ofruar një tregues të nivelit të varfërisë në një vend. Ky tregues matet për popullsinë e përgjithshme, si dhe për personat e moshës 18-65 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç.

Hendeku i varfërisë në vendet e rajonit sipas Raporteve të Komisionit Evropian

Hendeku i varfërisë në Shqipëri për vitin 2017 është 37, 2018- 35, 2019- 34 dhe për vitin 2020 është 33.

Për Serbinë hendeku i varfërisë është si vijon: 2016- 39.4, 2017-38.8, 2018-27.4, 2019- 32.1, 2020- 27.1

Për Kosovën ka të dhëna vetëm për vitin 2018 ku hendeku është 47.4 dhe për vitin 2019- 55.3.

Raporti tregon se Pandemia Covid-19, pavarësisht grupit të konsiderueshëm të masave të mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve për të luftuar pasojat socio-ekonomike të COVID-19 ,ka ndikuar në rritjen e varfërisë te fëmijët, duke vënë në rrezik 19 mijë fëmijë të tjerë.

“Përpjekje të mëtejshme nevojiten për ta bërë sistemin e mbrojtjes sociale më të ndjeshëm ndaj fëmijëve, bazuar në një model të ofrimit të shërbimeve me në qendër fëmijën, duke përfshirë forcimin e zhvillimit profesional dhe mbikëqyrjen në ofrimin e shërbimeve cilësore të mbrojtjes së fëmijëve”, thuhet në raport.

Aty theksohet se pushtetet vendore dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të përmirësojnë bashkëpunimin me qendrat e punës sociale për të mbështetur fëmijët në srrezik, fëmijët romë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara që janë viktima të diskriminimit dhe segregacionit.

Sipas raportit të KE-së, vendi mbetet mesatarisht i përgatitur në fushën e politikave sociale dhe punësimit.

“Është bërë njëfarë progresi me uljen e mëtejshme të shkallës së papunësisë, rritjen e përfitimeve për ndihmën sociale dhe vazhdimin e zbatimit të masave lehtësuese socio-ekonomike për të adresuar ndikimin socio-ekonomik të pandemisë Covid-19”, thuhet në raport.

Megjithatë raporti thekson se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, ato përsëri mbeten të vlefshme. Konkretisht, në vitin e ardhshëm vendi në veçanti duhet të:

  • vazhdojë të zbatojë masat për aktivizimin e tregut të punës për të rinjtë, të papunët afatgjatë, duke përfshirë gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe romët, dhe të sigurojë vlerësimin e duhur të masave;
  • krijojë një sistemi monitorimi dhe vlerësimi për shërbimet sociale dhe vazhdimi i reformës së mbrojtjes sociale me lidhje më të forta për aktivizimin e punësimit;
  • përmirësojë më tutje kapacitetet e Inspektoratit Shtetëror të Punës për të trajtuar çështjet që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë; zhvillimi i një sistemi për gjurmimin e lëndimeve dhe vdekjeve në punë; dhe të përforcojë dialogun social dypalësh ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve.

Ndër të tjera, raporti thekson se vendi ka bërë njëfarë progresi në fushën e përfshirjes dhe mbrojtjes sociale. Zbatimi i reformave që rrjedhin nga ligji i ri për mbrojtjen sociale ka përparuar, si dhe është përgatitur Programi Kombëtar 2022–2032 për Zhvillimin e Mbrojtjes Sociale.

Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

1.3 miliardë njerëz në botë jetojnë në varfëri

Në botë, sipas Kombeve të Bashkuara realiteti aktual tregon se 1.3 miliardë njerëz ende jetojnë në varfëri shumëdimensionale, pothuajse gjysma e tyre fëmijë dhe të rinj.

“Pabarazitë e mundësive dhe të ardhurave po rriten ndjeshëm dhe, çdo vit, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve bëhet edhe më i madh. Varfëria dhe pabarazia nuk janë të pashmangshme. Ato janë rezultat i vendimeve ose mosveprimit të qëllimshëm që zhvlerësojnë më të varfrit dhe më të margjinalizuarit në shoqëritë tona dhe shkelin të drejtat e tyre themelore”, thuhet nga Kombet e Bashkuara.

Matjet të cilat përfshijnë varfërinë në shkallë globale konsiderohen: kushtet e rrezikshme të punës, strehimi i pasigurt, mungesa e ushqimit me vlera ushqyese, qasja e pabarabartë në drejtësi, mungesa e pushtetit politik, qasja e  kufizuar në kujdesin shëndetësor dhe të tjera.

“Pandemia e Covid-19 theksoi këtë dinamikë, duke ekspozuar boshllëqet dhe dështimet e sistemit të mbrojtjes sociale, si dhe pabarazitë strukturore dhe forma të ndryshme diskriminimi që thellojnë dhe përjetësojnë varfërinë”, thuhet nga Kombet e Bashkuara.

Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë shënohet çdo vit më 17 tetor në të gjithë botën. Përkujtimi i parë, “Dita Botërore për të Kapërcyer Varfërinë” u zhvillua në Paris, Francë, në vitin 1987 kur 100,000 njerëz u mblodhën në Human Rights and Liberties Plaza në Trocadero për të nderuar viktimat e varfërisë, urisë, dhunës dhe frikës.

Ky vit shënon 35 vjetorin e Ditës Botërore për Kapërcimin e Varfërisë Ekstreme dhe 30 vjetorin e Ditës Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë. Dinjitet për të gjithë në praktikë është tema kryesore e Ditës Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë për 2022-2023.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button