FC Shkupi filloi “remontin”

Ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme sezoni futbollistik për FC Shkupi, skuadër kjo e cila siguroi vendin e katërt në tabelë, që i garantoi mbetje pa balotazh në Ligë dhe tani është edhe në mesin e 32 ekipeve që do të garojnë edhe në Kupën e Maqedonisë, për sezonin 2014/15.

Tani skuadra u ka dhënë pushimin e merituar futbollistëve, të cilët nga muaji gusht do të jenë para një sfide të re, pasi kryesia e klubit, tifozëria e flaktë që është në numër të madh, po dhe vet futbollistët kërkojnë që klubin ta kthejnë në mesin e 10 ekipeve më të mira, pra në Ligën e Parë.

Deri sa futbollistët janë në pushim, kryesia dhe stafi teknik kanë punë për së paku edhe 10 ditë tjera, duke tentuar që sa më shpejt të arrijnë të marrin përforcime të reja.

Mirëpo një numër i futbollistëve tani më edhe janë liruar nga ekipi. Sipas trajnerit të ekipit, Zekirija Ramadani, mësuam se ekipi ka liruar shtatë futbollistë. Në këtë liste janë emrat e Mentor Idrizi, Enis Mustafa, Emir Shabani, Blerim Useini, Lavdrim Ameti, Dario Desniq dhe Arian Bela.

Zekirija Ramadani dhe Muharem Bajrami
Trajneri i FC Shkupi, Zekirija Ramadani dhe mesfushori Muharem Bajrami

“Futbollistët që i kemi lënë të lirë, kanë arsye të ndryshme largimi, Mentori dhe Enisi largohen shkaku se kanë vendosur të jetojnë jashtë shtetit, ndërsa të lirë do të jenë Shabani, Useini, Ameti dhe Desniq. Arian Bela është futbollist i huazuar nga Rabotniçki dhe ne do ta kthejmë në skuadër vetëm nëse merr dokumentacionin. Gjithsesi i falënderojmë që të gjithë për kontributin e dhënë për ekipin dhe shpresojmë të gjejnë angazhime më të mira”, është shprehur Ramadani.

Klubi për tu rikthyer në Ligën e Parë, nuk do ta ketë edhe shumë lehtë, por kryesia ka premtuar se do të sjell dhe përforcime adekuate. “Ne nuk mohojmë se jemi në bisedime, por asgjë konkrete nuk ka. Kemi nevojë të përforcohemi në mbrojtje, do të na duhet një qendërmbrojtës inteligjent, i cili do të përcjellë mirë lojën e skuadrës. Pikërisht në këtë pozitë kemi çaluar. Gjithashtu edhe në sulm kemi nevojë për rifreskim, pasi ne kemi Stankovskin me 38 vite, i cili nuk mundet të luajë në secilën ndeshje dhe atij do ti duhet ndonjë zëvendësim, apo dikush që do ta ndihmojë. Por ne kemi edhe futbollistët e rinj, të cilët do të jenë ndihmë e madhe e klubit, të cilët kanë dëshmuar se meritojnë të jenë pjesë e ekipit më të mirë”, ka thënë strategu i ekipit bardhekaltër nga Çairi. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button