Mariçiq nga Brukseli: Ndërmerren hapa që do të lehtësojnë kushtet për futjen e 5G në RMV

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje evropiane dhe kryenegociatori me BE-në, Bojan Mariçiq, në takimin e sotëm të skriningut shpjegues për Kapitullin 10, “Shoqëria informatike dhe media”, tha se Maqedonia e Veriut tashmë ka ndërmarrë hapa për t’u përafruar me politikat ekzistuese të BE-së dhe se qëllimi kryesor i Qeverisë është ofrimi i shërbimeve publike cilësore për qytetarët dhe bizneset, transmeton Portalb.mk.

“E njohim rëndësinë e transformimit të shoqërisë dhe sjelljes së mundësive të reja për bizneset dhe teknologjinë. Reformat tona janë të qëndrueshme, progresi ynë është njohur dhe na jepen mundësi të reja përmes procesit të skriningut, për të arritur standardet e BE-së në këtë kapitull më shpejt dhe më lehtë. Qëllimi ynë është të sigurojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe digjitalizimin e shërbimeve të sektorit privat dhe publik”, tha zëvendëskryeministri Mariçiq në fjalimin e tij në Komisionin Evropian.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri theksoi arritjet e deritanishme në këtë fushë, duke theksuar se kemi arritur të fusim numrin e urgjencës BE 112, për të cilin aktualisht po punohet për zbatimin e duhur të tij.

Negociatori kryesor me BE-në bëri të ditur se versionet përfundimtare të Strategjisë kombëtare për TIK dhe Planit të veprimit 2021-2025 tashmë janë përgatitur, konsultuar me publikun dhe do të finalizohen në muajt në vijim, si dhe se do të vazhdojë zbatimi i Planit operativ për internet me brezë të gjerë. Në këtë drejtim, Agjencia për komunikime elektronike, e mbështetur nga Zyra, po ndërmerr hapa që do të lehtësojnë kushtet për futjen e 5G dhe do të stimulojnë hyrjen e teknologjive dhe operatorëve të rinj.

“Duke njohur rëndësinë e sigurisë kibernetike, po përgatisim edhe Strategjinë e re kombëtare për sigurinë kibernetike 2023-2027, me theks në ndërtimin dhe përmirësimin e kapaciteteve kombëtare për sigurinë kibernetike, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike të informacionit, ndërgjegjësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, shtoi zëvendëskryeministri Mariçiq.

Në kuadër të Tregut të përbashkët rajonal (Procesi i Berlinit), Mariçiq tha se marrim pjesë në Raportin për implementimin e Indeksit të ekonomisë dhe shoqërisë digjitale (DESI) në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në të cilin Maqedonia e Veriut është shumë e përgatitur me të dhëna për 87% e treguesve DESI të cilët janë të aksesueshëm dhe në përputhje me Metodologjinë DESI.

Sa i përket agjendës legjislative, Mariçiq theksoi se jemi duke përgatitur Ligjin për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative, teksti i të cilit pritet të finalizohet në muajt e parë të vitit 2023.

Mariçiq tha gjithashtu se është planifikuar harmonizimi i legjislacionit maqedonas me direktivën e BE-së për mediat audio dhe audiovizive 2018/1808 dhe se tashmë ekziston një projekt i BE-së që do t’i ndihmojë autoritetet në atë proces.

“Krahas aktiviteteve aktuale për përmirësimin e kuadrit ligjor, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive do të kontribuojë në vazhdimësi në përmirësimin e mjedisit mediatik duke organizuar fushata për tema relevante si edukim mediatik, gjuha e urrejtjes, përgjegjësia në hapësirën online, si dhe si mbrojtja e konsumatorit”, njoftoi Mariçiq.

Në mënyrë shtesë, kryenegociatori me BE-në tha se do të pasojnë ndryshime në Ligjin për përdorimin e të dhënave të sektorit publik, në mënyrë që të përputhet me Direktivën e BE-së për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit nga sektori publik (2019/1024) në drejtim të rritjes së transparencës në institucionet e sektorit publik, duke përmirësuar efikasitetin e punës së administratës publike dhe duke kontribuar në uljen e korrupsionit në të gjitha nivelet.

Sot në Bruksel me hapjen e takimit të shqyrtimit shpjegues për Kapitullin 10, filloi shqyrtimi shpjegues për Klasterin 3, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”.

Përndryshe, fillimi i procesit të skriningut si fazë e parë nga bisedimet për anëtarësim në BE dhe mbështetja e sanksioneve kundër Rusisë në lidhje me invazionin ushtarak ndaj Ukrainës i sollën Maqedonisë së Veriut vlerësim pozitiv nga BE-ja. Por, në raportin evropian për progresin e vendit, Komisioni Evropian sërish ka gjetur vërejtje për zbatimin e ligjeve, punën e Kuvendit, por edhe nevojën për më shumë transparencë gjatë miratimit të vendimeve shtetërore. Në raport, thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Prej 11 nëntori deri më 9 dhjetor të këtij viti, do vazhdojë faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button