Gërkovska: Transformimi digjital përmirësim i shërbimeve edhe në nivel lokal, bashkëpunimi me komunat dhe sektorin e biznesit i domosdoshëm

Digjitalizimi i shërbimeve publike është parakusht për institucione transparente dhe të përgjegjshme dhe shërbime publike cilësore që do të plotësojnë nevojat e qytetarëve. Shërbimet në nivel lokal janë vendimtare për promovimin dhe përmirësimin e funksionimit të përditshëm të qytetarëve. Për këto arsye është i rëndësishëm bashkëpunimi i ngushtë i pushtetit qendror dhe atij lokal”. Këtë e bëri të ditur zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, në fjalën hapëse të konferencës ndërkombëtare “Partneriteti për një rajon konkurrues”, që po mbahet në Dubrovnik të Kroacisë, organizuar nga Rrjeti rajonal për mjedis miqësor biznesi në Evropën Juglindore, transmeton Portalb.mk.

Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal, në të gjitha fushat, e veçanërisht në fushën e transformimit digjital të shoqërisë, është i një rëndësie të madhe, sepse të gjithë duhet të punojmë në ndryshimin e ndërgjegjes, në mënyrë që të krijojmë shoqëri efikase dhe produktive.

“Qëllimi parësor i decentralizimit dhe bartjes së një pjese të madhe të kompetencave nga niveli qendror në atë lokal është përmirësimi i jetës së përditshme të qytetarëve. Të përmirësohen shërbimet në mbrojtjen e fëmijëve, në arsim, në urbanizëm, shërbime komunale dhe një sërë fushash të tjera për të cilat janë përgjegjëse komunat. Është detyrë e kryetarëve të komunave, por edhe e të gjithë të punësuarve në sektorin publik, që të jenë kreativ dhe duke përdorur teknologjinë digjitale të përpiqen të përmirësojnë shërbimet për qytetarët”, theksoi Gërkovska dhe në këtë kontekst shtoi se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i përvojave janë kyç për përparim më të shpejtë dhe më efikas.

Zëvendëskryeministrja Gërkovska vlerësoi se është i rëndësishëm bashkëpunimi i ngushtë me sektorin e biznesit, i cili është edhe aktor i rëndësishëm në zhvillimin dhe përparimin e çdo shoqërie. Prandaj, shtoi ajo, është e nevojshme një qasje e koordinuar dhe e harmonizuar në të gjitha nivelet.

“Për këtë qëllim, së fundi krijuam Këshillin kombëtar për transformimin digjital të shoqërisë, në të cilin përveç ministrave për shoqëri informatike dhe administratë, për punë të brendshme, për financat dhe për mbrojtjen, të përfshirë janë edhe përfaqësues nga odat ekonomike dhe të vetëqeverisjes lokale. Transformimi digjital nuk është proces politik dhe nuk është i lidhur vetëm me një grup politik, por është një proces shoqëror dhe për këtë arsye opozita përfshihet në këtë Këshill kombëtar. Vetëm në këtë mënyrë, përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe konsultimit me të gjitha palët e interesuara, është i mundur përparimi”, tha Gërkovska.

Në fjalën e saj, zëvendëskryeministrja Gërkovska foli edhe për nevojën e ndërtimit të besimit nga ana e qytetarëve ndaj institucioneve, të cilët duhet të jenë të sigurt se të dhënat e tyre do të mbrohen, se nuk do të keqpërdoren dhe se privatësia e tyre nuk do të shkelet.

“Prandaj, çdo shtet duhet të punojë për sigurinë kibernetike dhe rezistencën kibernetike paralelisht me procesin e transformimit digjital të shoqërisë. Këtë e kërkojnë veçanërisht aktivitetet e fundit gjeopolitike, agresioni kundër Ukrainës ngriti nevojën për aktivitete dhe veprime të përbashkëta në fushën e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave digjitale”, shtoi Gërkovska.

Në konferencën ndërkombëtare morën pjesë kryetarë komunash, liderë politikë dhe biznesi nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroacia, si dhe përfaqësues nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare (IFIs), BE-ja dhe organizatat donatore, me qëllim shkëmbimin e përvojave në lidhje me praktikat në fushën e inovacionit, digjitalizimit, ekonomisë cirkulare, pasurive të paluajtshme, politikës tatimore dhe procesit të certifikimit të biznesit në rajonin e EJL.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button