LIDERSHIPI SHPIRTËROR  (2)

“Aseti më i dobishëm i një lideri nuk është koka plot dije, por zemra me dashuri, veshi i gatshëm të dëgjojë dhe duart e gatshme për t’i ndihmuar tjetrit

anonime

 

Sipas fizikanes dhe filozofes D. Zohar (2022), autore e Kapitali shpirtëror: Pasuria që e bën jetën (Spiritual Capital: Wealth We Can Live By, 2004) njeriu mund të zotërojë tre lloje të kapitalit: material (pasuria financiare), social (besimi, empatia dhe përkushtimi ndaj shëndetit të shoqërisë) dhe spiritual (kuptimet, vlerat, qëllimet më të thella). Lloji i parë i kapitalit ndërlidhet me inteligjencën racionale, i dyti me inteligjencën emocionale, kurse i treti me atë spirituale. Muajiz (2009) flet për tre dimensione të inteligjencës spirituale: (1) marrëdhëniet shpirtërore-fetare, me indikatorët dashuria hyjnore, motivimi për jetën, vetëkuptimi si qenie shpirtërore, guximi për të ngulmuar në të vërtetën, ndjenja e të qenët i vëzhguar nga Krijuesi; (2) marrëdhëniet sociale-fetare: kontributi ndaj mirëqenies së të tjerëve, lidhjet familjare, dashuria për gjallesat; (3) marrëdhëniet etike-sociale: besnikëria ndaj etikës dhe moralit, mbajtja e premtimeve, besueshmëria, toleranca dhe antidhuna.

Koncepti i lidershipit shpirtëror sipas Blackbay (2007) mëson kalimin e njerëzve prej aty ku janë në pozicionin ku Zoti dëshiron që ata të jenë. Wilber (1984) dhe Pielstick (2005) spiritualitetin dhe religjionin i shohin si gjëra të ndërthurura, kurse besimin si tërësi procesesh jo-lëndore (shpirtërore). Marinho (2013) thotë se ekziston dallim mes këtyre qasjeve mbi lidershipin, mes asaj religjioze dhe tjetrës spirituale. Përderisa lideri fetar mund të manifestojë lidership spiritual, lideri spiritual nuk frymon domosdoshmërisht sipas elementit dhe kodit fetar. I pari varet nga pozita, i dyti s’ka lidhje me një të tillë, i pari imponohet nga ligjet dhe rregullat, i dyti pranohet me zgjedhje të lirë. Lidershipi fetar kontrollohet nga institucioni, ai spiritual nga parimet, lidershipi fetar jepet nga shoqëria, kurse ai spiritual nga shembulli. Dallimi tjetër sipas Marinho-s është se prijësia fetare fokusohet në detyra, kurse ajo shpirtërore në relacione. Lidershipi fetar i jep përparësi autoritetit, kurse ai shpirtëror shërbimit; i pari qëndron në saje të hierarkisë, kurse i fundit në saje të frymëzimit.

Në vazhdim do të shtjellojmë konceptin e feve abrahamike (hebraizmi, krishterimi, islami) mbi lidershipin e në fund atë të feve, traditave sifetare apo filozofive sociale e etike si hinduizimi, konfucianizmi, budizmi dhe taoizmi. Lidershipi hebre ka shtatë parime: nis me marrjen përgjegjësi (shembulli i Moisiut në “Eksod”), kërkon të qenët tok me të tjerët (anti-vetmia, “Gjeneza”, 1), prioritizimin e ardhmërisë, studimin permanent, besimin e liderit te populli të cilit i prin, konceptin për kohën dhe ritmin, stresin dhe emocionalitetin (rabbisacks.org, 2012)

Sipas botëvështrimit kristian lidershipi shënjon ecjen me Zotin, duke mësuar të vërtetën e Tij, duke respektuar disiplinën hyjnore. Në krishterim pasimi/ndjekja i paraprin udhëheqjes. Jezusi i identifikoi rolet e tij udhëheqëse në terma të rinj. Ai u bë shërbëtor (Marku 10:45) dhe bari (Gjoni 10). Prijësi duhet të jetë i përmbushur shpirtërisht, me integritet, shembullor (leading by example), t’i shmangë njerëzit nga padrejtësia; ai merret në përgjegjësi për jetët e ndjekësve të vet. Ndërkohë autoriteti jepet për t’i ngritur njerëzit, pasuesit apo masën lart, jo për t’i përulur ata. Lidershipi që nuk e përfshin shërbimësinë nuk është lidership shpirtëror. Guri i sprovës së lidershipit është familja. Nëse keni dështuar me bashkëshorten dhe fëmijët ju keni dështuar si lider i krishterë – thotë Eric Swannson (2022) nga Bakke Graduate University.

Në kulturën spirituale islame lidershipi (devlet/shtet, khilafet/mëkëmbësi, imamet/prijësi, imaret/zhvillim, hakimijjet/autoritet, mulk/sundim, riaset/kryesim) perceptohet si detyrim jo si zgjedhje, si amanet dhe përgjegjësi (Alazmi, 2016), si instrumenti më i fuqishëm për jetësimin e shoqërisë ideale, ku drejtësia dhe dhembshuria përbëjnë pjesë integrale të administrimit. Pa to s’ka as kreativitet e as rend. Në islam drejtësia cilësohet si themel i pushtetit. Tekstet e shenjta të kësaj feje (Kur’ani dhe sunneti) konsiderojnë se vlerat morale dhe etika e qeverisë shpien në prosperitet dhe arritje të njeriut, e kundërta çon në dekadencë dhe shkatërrim të njerëzimit. (Shamsaei & Mahmoudi, 2017) Sipas botëvështrimit islam, pa marrë parasysh numrin e njerëzve dhe kontekstin, besimtarët duhet të caktojnë një prijës, i cili duhet të jetë më i miri në mesin e tyre në aspekt të tipareve shpirtërore, karakterit apo kapacitetit udhëheqës (Aliyu & Omotosho, 2). /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button