Osmani për Ballkanin e Hapur: Nëse ndonjë shtet dëmtohet, ne s’do të jemi pjesë e saj

Problem i Ballkanit të Hapur është se aty nuk janë të gjitha gjashtë shtetet.  Ne, si Maqedoni Veriut nuk do të lejojmë që ndonjë shtet tjetër të dëmtohet. Nëse dikush do të dëmtohet, mendoj këtu edhe për Kosovën për shkak të pikëpamjeve të saj ndaj kësaj nisme, atëherë ne nuk do të marrim pjesë në këtë nismë. Kështu deklaroi sot Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani gjatë shënimit të 13 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, transmeton Portalb.mk.

Sipas Osmanit, problemi i Ballkanit të Hapur është se aty nuk janë të gjitha gjashtë shtetet.

“Vlerësoj se janë legjitime qëndrimet e tri shteteve tjera që kanë vendosur të mos jenë pjesë e nismës. Detyra jonë është që të bëjnë përpjekje që t’i bindim, por ne përmes rezultateve duhet të dëshmojnë se jemi vlerë. Nëse nuk tregojmë rezultate atëherë s’ka se pse dikush të na bashkohet”, deklaroi Osmani.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut nuk do të lejojë që ndonjë shtet tjetër të dëmtohet.

“Ne konsiderojmë se nëse dikush do të dëmtohet, mendoj këtu edhe për Kosovën për shkak të pikëpamjeve të saj ndaj kësaj nisme, atëherë ne nuk do të marrim pjesë në këtë nismë. Ne do të jemi gardianë të mbrojtjes së cilit do shtet në Ballkanin e Hapur”, theksoi Osmani.

Nisma e Ballkanit të Hapur u shfaq para tre vjetësh nga liderët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë për të lehtësuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në rajon. Deri më sot, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë refuzuar të bashkohen, duke argumentuar se nisma është e panevojshme pasi bashkëpunimi ekonomik rajonal tashmë është pjesë e agjendës së integrimit në BE dhe nismave të tilla si Procesi i Berlinit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button