Tetovë, u hap Qendra e parë për Aktivizëm Rinor nga Forumi për Ndryshime në Arsim (VIDEO)

Tetova nga sot u bë me qendër rinore ku të rinjtë do të mund të realizojnë aktivitete të ndryshme. Kjo qendër u hap nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA), qëllimi i së cilës është që  aty të shkelin të rinjtë të cilët kanë ide, ambicie dhe mbi të gjitha dëshirë për të punuar, shkruan Portalb.mk.

Mungesa e një qendre rinore në Tetovë, siç deklaroi drejtori i FNA, Blendi Hodai është hall i mbi 17 mijë të rinjve nga ky qytet të cilët nuk kanë një hapësirë të tillë për të zhvilluar idetë e tyre, andaj edhe kanë punuar në këtë drejtim që një qendër e tillë të vendoset në funksion.

“Nga sot, këto hapësira, pra hapësirat për aktivizëm rinor do të jenë 100% në shërbim të të rinjve. Shpresojmë që nismat e tilla si dhe Qendra për Aktivizëm Rinor do të mbështetet nga institucionet. Të rinjtë kanë nevojë për vepra dhe jo fjalë”, tha Hodai.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kjo qendër ka tre hapësira ku të rinjtë munden t’i shfrytëzojnë për aktivitete të ndryshme.

E para është Youth Community Center, ideja e së cilës është të jetë multifunksionale dhe është e dizajnuar sipas të gjitha standardeve të nevojshme për një qendër rinore. Të rinjtë do të mund të organizojnë punëtori, seminare, trajnime, mbledhje, evente kulturoro-artistike e kështu me radhë. Në këtë sallë të rinjtë falas do të mund të shfrytëzojnë të gjitha pajisjet e nevojshme teknologjike për punë.

E dyta është Conference Room, ideja e së cilës është të  organizohen ligjërata, mbledhje dhe prezantime të ndryshme.

Ndërsa e treta është zyra, e cila është e dedikuar për stafin e Forumit për Ndryshime në Arsim.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kjo qendër sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit dëshmon se mundet të kontirubohet jo vetëm për Tetovën dhe rrethinën por edhe për ndryshimet në arsim në rang nacional.

“Garantoj përkrahje të fuqishme nga Komuna e Tetovës. Do do jemi partnerë në përmirësimin e kushteve në arsim, në shkollat fillore dhe të mesme ku kemi kompetenca si pushtet lokal, duke nisur nga kushtet elementare”, deklaroi Kasami.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski përgëzoi hapjen e Qendrës ndërsa theksoi  se Qeveria është e hapur për bashkëpunim me të rinjtë, e cila sipas tij mund të shihet nga procesi gjithëpërfshirës që përfshin të rinjtë dhe gjimnazistët dhe ekspertët e të gjitha ligjeve, masave dhe politikave me interes për të rinjtë.

“E njëjta gjë vlen edhe për strategjinë kombëtare për rininë, e cila është në zhvillim e sipër, por edhe për të gjitha programet e tjera që po bën Qeveria që të rinjtë të gjejnë perspektivë në këtë vend”, tha Kovaçevski.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Të pranishëm në hapjen e kësaj Qendre ishin edhe kryetari i Komunës së Gostivarit- Arben Taravari, deputetja- Monika Zajkova, zëvendës-drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport- Amir Bilalli, përfaqësues nga organizata joqeveritare si dhe të rinj.

Ndryshe, Forumi për Ndryshime në Arsim është organizatë joqeveritare që në fokus ka cilësinë e arsimit të lartë

Qendra e Aktivizmit Rinor ndodhet në rrugën e “Ilindenit” përballë Makpetrollit, afër rreth-rrotullimit të njohur si “te Mema”. Qendra për Aktivizëm Rinor” në Tetovë u hap me mbështetje nga European Endowment for Democracy.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button