Shkup, nesër do të lëshohet ngrohja qendrore me temperaturë maksimale deri në 21 gradë celsius

Ngrohja qendrore në Shkup prej nesër do të fillojë të punojë, sipas kritereve dhe kushteve për ngrohje të hapësirave, sikur vitet e kaluara. Shtëpitë dhe hapësirat e punës do të ngrohen me maksimum 21 gradë. Për këtë sot informoi kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimovski, njofton Portalb.mk.

Nga KRRE njoftojnë se ua kanë dhënë tre licencat e kompanisë shtetërore Elektrodistribucioni i Maqedonisë së Veriut (ESM), edhe atë ESM Shitje-s për prodhimtari të rregulluar të energjisë termike, ESM Distribucion-it për shpërndarje dhe EMS Furnizim-it, për furnizim me energji termike. Me këtë, janë plotësuar të gjitha kushtet që ESM ta marrë nga BEG menaxhimin e ngrohjes qendrore në Shkup.

ESM ka marrë licencë për prodhim të energjisë termike deri më 30 prill të vitit 2023, licencë për shpërndarje për periudhë 35-vjet dhe licencë për furnizim me energji termike në periudhë prej 10 vjet.

Nga KRRE informojnë se i kanë marrë të gjitha dokumentet që i kanë kërkuar për dhënien e licencës, përfshirë edhe njoftimin nga Sh.A. Menaxhim me Hapësira Banesore dhe Biznesore se marrëveshja me BEG Shpërndarje është shfuqizuar dhe të dhënat nga ESM Shitje për nënshkrimin e marrëveshjes me Adora për dhënie me qira të ngrohtoreve në Shkup.

“Me dhënien e këtyre licencave janë plotësuar të gjitha parakushtet të cilat janë të nevojshme për fillimin e sezonit të ngrohjes në Qytetin e Shkupit më 15 tetor”, deklaroi Bislimovski.

Ai në konferencë për shtyp e rikujtoi opinionin se në Beograd është anuluar për një javë fillimi i sezonit të ngrohjes, ndërkaq e njëjta është bërë edhe në Itali. Kryetari i KRRE-së tha se në Gjermani, Zvicër, Austri dhe Itali, temperaturat maksimale për ngrohje janë 19 gradë celsius, për dallim prej nesh ku do të mbahen kriteret dhe kushtet e deritanishme për ngrohje.

Përndryshe, më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Tani për tani është e qartë se elektrana e kombinuar TE-TO nuk do të prodhojë energji termike, por hapësirat e përfshira në ngrohje qendrore në Shkup do të ngrohen nga ngrohtoret tjera. Bislimovski sot sqaroi se edhe përpara hapjes së TE-TO-s, qytetarët e Shkupit kanë pasur ngrohje nga këto ngrohtore, kështu që nuk do të ketë kurrfarë problemi në dërgimin e energjisë termike.

“Kur punonte TE-TO në vitet e kaluara, kishte mjaft muaj të dimrit edhe kur nuka ka punuar TETO, pasi që nuk ishin të favorshme për ata kushtet tregtare”, tha Bislimovski, duke shtuar se edhe në këtë periudhë qytetarët kanë marrë ngrohje qendrore nga ngrohtoret.

Përndryshe, Sh.A. ESM tanimë ka siguruar nëpërmjet “Makpetrolit” gaz rus nga “Gazpromi” për deri në fund të tetorit. Kryeministri Dimitar Kovaçevski sqaroi se nëse rritet çmimi i gazit në përmasa enorme ose në ka ndalim të dërgimit të gazit, atëherë ngrohtoret e Shkupit mund të kenë mundësi të punojnë edhe me derivate alternative, gjegjësisht në mazut.

Ndryshe, nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button