Zylbeari: Përpara shpejtësisë, në gazetari është verifikimi i fakteve

Gazetarët duhet të kenë kujdes më shumë në verifikimin e fakteve, pasi që nuk duhet të jetë në vend të parë shpejtësia e lajmeve, por verifikimi i tyre. Kështu deklaroi kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari në emisionin “24 Analiza” në TV 24 me temë “Gazetaria cilësore dhe lufta me lajmet e rrejshme, si parakusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

“Në dekadën e fundit janë paraqitur shumë portale me nga një person, kjo është problem që patjetër duhet që të luftojmë me cilësi – nuk ka zgjidhje tjetër. Pra, duhet ta bëjmë punën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kur gabojmë të kërkojmë falje, të vazhdojmë me respektimin e standardeve profesionale. Kështu edhe publiku do ta njohë cilësinë dhe do të bëjë dallim mes asaj që duhet apo nuk duhet të lexohet”, deklaroi Zylbeari.

Ajo tha se dëmi që mund të shkaktohet nga një gazetar që shpërndan lajm të paverifikuar mund të jetë shumë i madh, pavarësisht nëse më pas ai vetë mund ta korrigjojë.

Kryeredaktorja e Portalb.mk foli edhe për hulumtimet e Fondacionit Metamorfozis në lidhje me dezinformatat ruse për luftën në Ukrainë, të cilat i shpërndajnë mediat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo zbuloi të dhëna nga analiza më e re rajonale, e cila së shpejti do të publikohet nga Metamorfozis.

“Pjesa më e madhe e dezinformatave për luftën në Ukrainë, vijnë nga Serbia, pasi që atje ka media pro-ruse, por edhe që janë krijuar nga vetë Rusia. Të njëjtat dezinformata si dhe narrative, pastaj shpërndahen edhe në Republikën Serbe, Mal të Zi, pastaj edhe në Maqedoninë e Veriut, madje disa edhe përkthehen dhe shpërndahen edhe në Shqipëri apo në mediat në gjuhën shqipe në vendin tonë”, thotë Zylbeari.

Siç tha ajo, narrativet kryesore janë se gjoja lufta në Ukrainë është e inskenuar dhe e tërë kjo është “shou i fuqive që duan të na mashtrojnë”.

“Gjithashtu ka narrative se gjoja në Ukrainë ka laboratorë për armë biologjike të cilat kontrollohen nga Amerika. Kundër NATO-s dhe Amerikës është narrativi që ata duan t’i shpërndajnë këto laboratorë biologjike dhe të sundojnë me botën. Ndërkaq, kundër BE-së, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, u paraqitën pas shpalljes së propozimit francez dhe me qëllim që të krijohet polarizimi i shoqërisë dhe nëpërmjet kësaj qytetarët të mos kenë besim tek institucionet. Pra këto narrative kanë për qëllim që ta dëmtojnë demokracinë dhe procesin e reformave për anëtarësim në BE”, deklaroi Zylbeari.

Në emision, gjithashtu ishin bashkëfolës edhe ekspertja për media, Marina Tuneva dhe Dejan Georgievski nga Qendra për Zhvillimin e Mediave.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button