Liberatori i kulturës shqiptare

Ai jetoi vetëm 7 vjet në Shqipëri. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku disa mësues privatë ia mësuan turqishten dhe arabishten. Më pas (1884/85) ndoqi Kolegjin Severian të Jezuitëve në Shkodër ku  nxuri bazat e kulturës antike dhe mësoi gjuhët klasike – latinishten dhe greqishten e vjetër. Kolegji në fjalë i kushtonte vëmendje të veçantë mësimit të gjuhëve të huaja, në mesin e të cilave edhe frëngjishtes, që i hyri në zemër që në orët e para. E veçanta e shkollës ishte shmangia nga të mësuarit përmendësh dhe aftësimi i nxënësve për të menduar me kokat e tyre, për të formuluar konstrukte logjike, për të zhvilluar shkathtësitë e të komunikuarit, për të shtruar çështje dhe për të mbrojrtur me argumente qëndrimet e caktuara. Shih për këtë, ndoshta pikërisht në Shkodër ndodhi kthesa e madhe, orientimi i tij kah kultura perëndimore, që do të forcohet më pastaj në Stamboll, ku ndoqi mësimet në Liceun Perandorak të Gallata Sarajit, që kishte gjithashtu frymë perëndimore dhe mësues të shkëlqyeshëm të frëngjishtes dhe të gjuhëve të tjera të mëdha.

Duke pasur parasyshë moshën dhe shkallën zhvillimore të vendit nga i cili vinte, do të dukej e natyrshme që i riu mendjemprehtë dhe me dhunti të shumta të mrekullohej nga madhështia e kryeqytetit të perandorisë më të fuqishme të kohës, ndoshta dhe të nisë të vuajë torturën e kompleksit të vlerave të ulëta, veçmas në rrethanat kur i rrinin hapekrahë të gjitha portat e mundshme të perspektivës dhe të suksesit. Por ai nuk e bëri këtë edhe pse, sipas Fan Nolit: I pati të gjitha kushtet për të siguruar një post të lartë në Perandorinë turke, pjesë e së cilës ishte bërë Shqipëria që nga vdekja e Skënderbeut…

Si 14 vjeçar (1890) shkoi në Normandi të Francës dhe u regjistrua në Kolegjin Lizie. Pak kohë më pas u bë nxënës i shkollës së mesme të Karkasonit ku habiti profesorët me dijet universale për shumë sfera, veçmas për gjuhët dhe kulturat e Perëndimit dhe të Lindjes, të absorbuara me lehtësinë e gjeniut të njëmendtë, për çka flasin dhe diplomat e shumta që i fitoi për hartimet më të mira të shkruara në një frëngjishte të kulluar, të cilën ia kishin zili madje dhe kolegët francezë.

Më 1894 studioi në Universitetin e njohur të Monpeljesë, pastaj në Universitetin Shtetëror të Dizhonit, në të cilin fitoi shkallën Bachelier es lettre – philosophie dhe mori një lëvdatë nga Ministria e Arsimit të Francës. Një vit ndoqi studimet në Kolegjin Francez  në Paris, kurse në fund, mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm Universitetin e Harvardit dhe në Kembrixh – Masaçusets (1912) dhe mori titullin Master për Artet e Letërsisë.

Etjen për dije dhe dëshirën për t’i kontribuar mëkëmbjes së Atdheut dhe zhvillimit të gjuhës së magjishme shqipe e shprehu edhe në shkrimin e njohur “Parashtresë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” (1899), ku mes tjerash shkroi: Më 1895 gjendesha në Paris, kur mora vesh për herë të parë mbi ekzistencën e një propagande shqiptare dhe mbi botimin e librave shqip në Bukuresht. Që prej 1893 unë merresha me lëvrimin e gjuhës sime dhe kisha krijuar një bibliotekë që përmbante të gjitha librat e botuar prej albanologëve të huaj. Kisha filluar të shkruaj disa artikuj mbi kombësinë shqiptare në një gazetë të Parisit. Kjo tregon se propaganda shqipe ishte një zero. Sepse unë isha një nga të rrallët (të pakët) që, me iniciativën time merresha me këtë çështje. Shumë herë kisha kaluar pushimet prej dy ose tre muajsh në Shqipëri, duke biseduar nga të gjitha anët për çështjen kombëtare, i pritur ftohtë prej disave dhe i pakuptuar prej të tjerëve. Për fat të keq, me gjithë interesimin tim për këtë çështje unë, dhe të gjithë ata që njihja, nuk dinin fare se ekziastonte një lëvizje shqiptare. Mbasi për shqiptarët e Bukureshtit dhe për vetë ata të Konstandinopojës (këtë e kam theksuar me kohë), shumë fakte e provojnë këtë gjë; çështja kombetare ekzistonte, por nuk ishte tjetër veçse një çështje rajonale (municipale). Në fakt për të gjithë ata përpjekjet patriotike kishin si qëllim vetëm të ardhmen kombëtare të qytetit të Korçës.

Ja dhe një dëshmi autentike që shpërfaq akoma më mirë këtë gatishmëri sakrificash mbinjerëzore prej misionari të shquar kombëtar të tij: E kisha nër ment t’a jap tërë jetën t’ime pas mundimeve mëndëtare e të mos hyjë kurrë në shërbim të Sulltanit.

Dyzet e shtatë vjet zgjati beteja e Faik Konicës për realizimin e planit për të stërvitur shpirtin dhe karakterin e popullit dhe për të lëvruar shkëmbin. Për këtë qëllim, përveç revistës së famshme ALBANIA (Bruksel- Londër, 1897-1909) – kësaj enciklopedie të madhe me mbi 2500 faqe; kësaj shkolle që kultivoi gjuhën shqipe, që zhvilloi letërsinë e Rilindjes, që riparoi shpirtin evropian të shqiptarëve dhe kultivoi frymën e munguar kritike në shumë fusha të jetës, prometeu ynë themeloi/ drejtoi edhe dhjetra gazeta e revista të tjera në gjuhën shqipe, si: ALBANIA E VOGËL (Bruksel, 1899-1903), DIELLI (Boston, 1909-1913) TRUMBETA E KRUJËS (Saint Louis – Missouri, 1911), USHTIMI I KRUJËS (Durrës, 1913-1914), FLAMURI (Boston, 1910), SHQIPËTARI I AMËRIKËS (Korçë, 1922-1924), BOTA E RE (Boston, 1922-1923), PURTEKA (Boston, 1923) dhe KOMBI NË RREZIK (Boston, 1923). Nëpër faqet e tyre Ai na ka lënë një trashëgimi të rrallë prej më se 1500 artikujsh, pa llogaritur këtu epistolarin, përkthimet, fjalimet, konferencat, ligjeratat, intervistat…; pa llogaritur  punën që bënte në shkrimet të cilat i punonte e redaktonte me javë të tëra dhe, gjithsesi: pa llogaritur shkrimet në gjuhë të huaja, disa prej të cilave akoma janë të panjohura.

Përveç medieve të posapërmendur, janë dhe mbi 50 gazeta/revista të tjera shqipe të kohës, në të cilat botoi të paktën nga një artikull dhe mbi 20 gazeta/revista të huaja, në gjuhën frenge, angleze, gjermane, greke…, në faqet e të cilave gjithashtu përçoi zërin e rrezistencës shqiptare. Nëpër këto të përkohshme, sidomos në faqet e gazetës ALBANIA, gjejmë të skalitur mendimin shqiptar dhe mendimin e madh të Konicës, përkatësisht, zhvillimin e atij mendimi ndër vite shumë të turbullta.

Për kontributin e jashtëzakonshëm të Konicës në fushën e zhvillimit të medieve të shkruara shqipe, Jup Kastrati thotë: Dyzet e pesë vjet editor, administrator, mbarështrues revistash e gazetash në Belgjikë, Angli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Unë nuk njoh ndonjë publicist apo gazetar tjetër të këtij kalibri me përmasa ndërkombëtare që t’i rrijë përbri Faikut.

Merre nga ta marrësh, Konica ishte dhe mbeti një vigan liberator i kulturës shqiptare, që bëri shumë për Shqipërinë dhe për kombin tonë. Atë, sipas Mitrush Kutelit, ne mund mund ta akuzojmë vetëm për një gjë: pse nuk shkruajti më shumë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button