Kryeministri Kovaçevski: Askush nuk po i zvogëlon rrogat e administratës

Punëtorët dhe sindikatat duhet të jenë të qetë, askush nuk i zvogëlohen rrogat e të punësuarve, as të drejtat e tyre, porositi sot kryeministri Dimitar Kovaçevsi, duke i komentuar reagimet e sindikatave për planin për konsolidim fiskal që e ka miratuar Qeveria për zvogëlimin e shpenzimeve në institucionet buxhetore, njofton Portalb.mk.

Sindikatat reaguan pasi që Qeveria doli në opinion me planin për kursim në administratën publike, duke theksuar se do të zvogëlohen rrogat në kushte të inflacionit, në vend që të ulen në tavolinë që të bisedojnë për paga më të mëdha. Sipas sindikatave, të gjitha marrëveshjet e reja kolektive që parashikojnë harmonizimin e rrogës me rritjen e rrogës minimale, mund të shfuqizohen.

“Paramendoni, mu atje ku ne në fund të dy muajve dhe në komuna dhe në ndërmarrje publike kemi nënshkruar 20 marrëveshje kolektive ku duhet që të konstatohet harmonizimi i rogave për aq sa kemi kërkuar 2.806 denarë, duhet të zvogëlohen rrogat mu për 10%, aq sa ata na i kanë rritur”, reagoi Trpe Deanoski, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave Civile.

Kryeministri Kovaçevski sot kumtoi se është miratuar vendim që të revidohen marrëveshjen menaxheriale në shumë institucione nën kompetencë të Qeverisë, ndërkaq Komisioni për Siste Ekonomik është i obliguar që ta definojë formën e re.

Kovaçevski tha se menaxherët e institucioneve patjetër duhet që të vendosin sisteme dhe punë prej shtëpisë, me rotacion prej 30% prej të punësuarve, me çka do të ulen shpenzimet. Gjithashtu, ai theksoi se është e nevojshme që të veprohen edhe në harmonizimin e rrogave pasi që ekzistojnë institucione ku drejtorët dhe anëtarët e bordeve kanë rroga shumë të larta në krahasim me obligimet që i kanë, për shembull siç i kanë presidenti i shtetit ose ministrat.

“Udhëheqësit e institucioneve ta bëjnë atë që e bën edhe sistemi privat, të vendosin sistem menaxhmenti me rotacion të të punësuarve, të enë kontroll më të madh në pjesën e pagesës së orëve jashtë orarit, të cilat mund të menaxhohen edhe me pushime vjetore. Ekzistojnë shumë mjete që menaxherët mund t’i shfrytëzojnë”, tha Kovaçevski.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button