Shpëtimin nga mbeturinat, komunat e shohin në ndërtimin e deponive rajonale moderne

Në Maqedoni për momentin funksionojnë vetëm dy deponi rajonale, në Rajonin Planor të Shkupit dhe atë të Pollogut, – „Drislla” dhe „Rusino”, por vetëm deponia e Shkupit ka leje ekologjike të integruar A nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, edhe pse edhe tek ajo nevojiten investime për instalime për selektimin sekondar dhe trajtimin e mëtejshëm të mbeturinave të grumbulluara, shkruan Portalb.mk dhe Meta.mk.

Ndërtimi i sistemeve rajonale për menaxhimin me mbeturinat është kusht i rëndësishëm për anëtarësimin e ardhshëm të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, i theksuar si kërkesë edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin e reformave të vendit në vitin 2022, por realizimi i deponive rajonale në vend po shtyhet tashmë për më shumë se një dekadë e gjysmë. Qeveria e Maqedonisë në maj të vitit të kaluar dorëzoi kërkesën për kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), me çka pesë rajone planore në vend do të fitojnë deponi rajonale moderne ku do të grumbullohen mbeturinat.

Këtë pranverë Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e vlerësoi me 73 pikë kërkesën e qeverisë për kredi për ndërtimin e deponive rajonale sipas standardeve të BE-së dhe e cilësoi këtë projekt me termat „i mirë menaxhuar” dhe „inkluziv”, pas çka Qeveria më 20 maj të këtij viti dorëzoi në Kuvend projektligjin për marrjen e kredisë nga BERZh për financimin e projektit rajonal për mbeturinat e ngurta. Në Kuvendin e RMV-së kjo huamarrje është në lexim të dytë nga deputetët dhe pas miratimit përfundimtar do të duhet të nënshkruhet marrëveshja për huamarrje me BERZh dhe të shpallet tenderi ndërkombëtar për përzgjedhjen e kontraktorëve që do t’i ndërtojnë deponitë moderne.

Por gjatë viteve të fundit në disa raste disa nga komunat ku do të ndërtoheshin deponitë rajonale kanë shprehur mospëlqimin e tyre. Komuna e Debërcës në vitin 2019 arriti që përmes një komisioni qeveritar të shkallës së dytë ta anulojë vendimin për ndërtimin e deponisë rajonale për Rajonin Planor Jugperëndimor në territorin e fshatit Godivje, ndërsa Komuna e Sveti Nikoles aktualisht po kundërshton ndërtimin e deponisë rajonale për Rajonin Planor Lindor dhe Verilindor në afërsi të fshatit Meçkuevci të Ovçepoles, për çka është shtyrë shpallja e tenderit ndërkombëtar me vlerë prej rreth 40 milionë euro.

Deponi ilegale në f. Gllogjë-Dobrosht- Komuna e Tearcës,, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (11/07/2022)

Në përpjekjen e fundit për ndërtimin e deponive rajonale vendi do të marrë 55.3 milionë euro hua nga BERZh, me të cilat duhet të ndërtohet deponia e re rajonale „Rusino” për Rajonin e Pollogut, deponia rajonale në një pjesë të sipërfaqes së ish minierës së thëngjillit „Suvodoll”, në Novaci për Rajonin e Pellagonisë dhe atë Jugperëndimor dhe një deponi e re rajonale në komunën e Vasilevës për Rajonin Planor Juglindor dhe atë të Vardarit. Për të parë se si janë mendimet në nivel lokal në lidhje me realizimin e këtyre projekteve të rëndësishme për menaxhimin rajonal të mbeturinave, Meta.mk dhe Portalb.mk dërguan pyetje pranë komunave të Gostivarit, Novacit dhe Vasilevës ku duhet të ndërtohen këto deponi moderne rajonale.

Nga Komuna e Gostivarit për Portalb.mk thanë se deponia ekzistuese „Rusino” në gjendjen siç është tani është një nga ndotësit më të mëdhenj të mjedisit jetësor dhe natyrës në territorin e Komunës së Gostivarit.

Autoritetet lokale thonë se me kapacitetet e tyre kanë ndërmarrë një sërë masash dhe aktivitetesh, por problemi me deponinë rajonale i tejkalon mundësitë e tyre. Nga Komuna e Gostivarit thonë se përmes qeverisë zvicerane qeveria tashmë ka siguruar mjete të pakthyeshme për shndërrimin e deponisë „Rusino” nga një deponi e egër në deponi standarde, projekt ky që është në fazën e realizimit.

Sa i përket fondeve shtesë që do të sigurohen përmes kredisë nga BERZh për deponinë e ardhshme rajonale, ata thonë se nuk kanë informacion të mjaftueshëm.

„Për kredinë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim di vetëm qeveria, komunat dhe NP „Rusino” nuk janë të informuara, dinamika nuk varet nga ne, të shpresojmë që procedurat do të ecin shpejt dhe të fillojnë punimet për realizim në terren”, thonë nga Komuna e Gostivarit, duke shtuar se NP „Rusino” për momentin menaxhon me deponinë rajonale, por ka vështirësi me arkëtimin nga komunat dhe kjo ndikon në rentabilitetin e ndërmarrjes rajonale.

Sa i përket realizimit të deponisë së ardhshme rajonale „Rusino” për Rajonin Planor të Pollogut, nga Komuna e Gostivarit thonë se janë të shqetësuar për procedurën e zbatimit dhe pasojat e mëtejshme që do t’i ketë komuna e tyre nga deponia.

„Gjatë prezantimit të projektit u përmendën disa pasoja negative për mjedisin rreth deponisë „Rusino”, që kanë të bëjnë me erën e keqe që do të përhapet edhe pas mbylljes së deponisë, rrëmujën në trafik, dëmtimin e rrugëve dhe shpronësimin e tokës për zgjerimin e hapësirës të deponisë që do të jetë përgjegjësi e Komunës së Gostivarit”, ankohen nga kjo komunë.

Deponia "Rusino", foto: Portalb.mk
Deponia “Rusino”, foto: Portalb.mk

Autoritetet lokale shpresojnë që „Rusino” të bëhet një vendgrumbullim sanitar me të gjitha standardet, por edhe të përdoret vetëm për një periudhë pesëvjeçare pas së cilës do të mbyllet sipas të gjitha rregulloreve. Në këtë mënyrë, reagimet negative që ka pasur popullata në vitet e kaluara ndaj deponisë rajonale do të ishin më të moderuara.

Në një deklaratë për Meta.mk, nga Komuna e Novacit thonë se për temën për ndërtimin e deponisë rajonale në komunën e tyre po flitet që nga viti 2004, por deri më sot nuk është bërë asgjë konkrete. Në territorin e tyre duhet të ndërtohet deponia rajonale që do t’i shërbejë Rajonit Planor të Pellagonisë dhe atij Jugperëndimor.
Kryetari i Komunës së Novacit, Stevçe Stevanovski, për Meta.mk sqaron se në korrik të vitit 2017 në një seancë publike banorëve të kësaj njësie lokale u është parashtruar pyetja dhe ata kanë dhënë dritën jeshile për ndërtimin e deponisë rajonale.

„Është e vërtetë që Komuna e Novacit paraqitet si një komunë në territorin e së cilës planifikohet të ndërtohet një deponi rajonale, e cila në thelb do duhet të jetë një fabrikë që do të selektojë dhe riciklojë të gjitha mbeturinat nga të cilat mbeturinat organike do t’i nënshtrohen një procesi të fermentimit anaerobik nga i cili do të fitohej biogaz që do të përdorej për të prodhuar energji elektrike. Mbeturinat e tjera do të selektohen në mënyrë të veçantë, do të drejtohen për riciklim përfundimtar aty ku janë të destinuara”, thotë kryetari Stevanovski.

Ai shton se më 17 mars të këtij viti kanë pranuar një shkresë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor me të cilën nga komunat në Rajonin Jugperëndimor dhe atë të Pellagonisë kërkohet që të propozojnë persona të cilët bashkë me Ministrinë do të punojnë në përgatitjen e dokumentacionit dhe themelimin e ndërmarrjes së përbashkët publike për menaxhimin me deponinë rajonale.

Stevçe Stevanovski thekson se në këto 11 muaj që kur ai është në krye të Komunës së Novacit, disa herë janë mbajtur takime me përfaqësues të MMJPH-së, me ç’rast është organizuar edhe një vizitë studimore e përfaqësuesve nga Komuna e Novacit, banorëve dhe këshilltarëve në deponinë sanitare EPADYM S.A., Eordea, Greqi, në afërsi të Ptolemaidës dhe Kozhanit.

„Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja e qytetarëve të komunave të Novacit dhe Manastirit me funksionimin e një sistemi efikas për menaxhimin rajonal të mbeturinave, si dhe t’u jepet mundësia të bisedojnë në këtë temë me ekspertë të fushës së menaxhimit të mbeturinave dhe riciklimit”, sqaron kryetari Stevanovski.

Sipas asaj që parashikohet, fabrika rajonale për riciklimin e mbeturinave duhet t’i përmbushë të gjitha rregulloret e BE-së për një deponi moderne dhe ndryshe nga ajo që po ndodh aktualisht me deponinë „Meglenci” ndotja do të reduktohet në minimum. Ajo deponi nuk plotëson kurrfarë standardesh dhe kushtesh, shkakton një ndotje jashtëzakonisht të madhe të mjedisit jetësor në Rajonin e Pellagonisë dhe në periudhën e kaluar kishte fotografi të shumta të kafshëve që ushqeheshin në këtë deponi.

Deponia "Rusino", foto: Portalb.mk
Deponia “Rusino”, foto: Portalb.mk

Kryetari i komunës shton se deponia rajonale që planifikohet të ndërtohet do të jetë një mundësi për vende të reja pune për popullatën lokale, ndërsa sistemi rajonal i menaxhimit të mbeturinave është një nga kriteret kryesore të agjendës së BE-së në vend realizimi i së cilës është i pamundur pa mbështetjen e gjerë të qytetarëve.
Sa i përket vërejtjeve, kryetari i Novacit thotë se i ka njoftuar përfaqësuesit e Ministrisë se deponia në Komunën e Novacit fillimisht nuk ishte planifikuar që ta përfshijë edhe Rajonin Jugperëndimor dhe se ky vendim është marrë pa e pyetur apo konsultuar komunën.

„Vërejtja ime kryesisht është në lidhje me atë se mjetet e planifikuara për këtë deponi nuk do të jenë të mjaftueshme, sepse në këtë rast bëhet fjalë për një deponi që do të mbulojë Rajonin Planor Jugperëndimor dhe atë të Pellagonisë, e në këtë rast do të rritet frekuenca e komunikacionit. Kërkesa jonë kryesore si vetëqeverisje lokale e nga e cila nuk do të heqim dorë është ndërtimi i një seksioni të ri të rrugës që nga lidhja afër Kërklinos në hyrje të Manastirit të çojë direkt në deponinë e re rajonale”, tha kryetari i Novacit , Stevçe Stevanovski.

Ai shton se deponia e ardhshme në Novaci do të përfshijë edhe depozitimin e mbeturinave komunale nga Rajoni Planor Jugperëndimor, për faktin se në komunën e Debërcës, ku paraprakisht ishte paraparë të ndërtohej deponia, procedura nuk është ndërprerë vetëm për shkak të reagimeve nga banorët, por edhe për shkak të kërkesës së UNESCO-s nën mbrojtjen e së cilës është Ohri bashkë me rajonin për shkak të liqenit të Ohrit.

„Qëndrimi i shumicës së banorëve të Komunës së Novacit është se nëse plotësohen këto kërkesa tonat dhe respektohen të gjitha rregulloret e kërkuara nga legjislacioni evropian për deponimin dhe trajtimin e mbeturinave, me ç’rast ajo nuk paraqet kërcënim për mjedisin jetësor, atëherë ata janë dakord që deponia të ndërtohet në territorin tonë”, sqaron kryetari i Komunës Novaci.

Meta.mk kërkoi përgjigje edhe nga Komuna e Vasilevës ku duhet të ndërtohet deponia e ardhshme rajonale për Rajonin Planor Juglindor dhe të Vardarit. Kryetari i komunës së Vasilevës, Sllave Andonov, për Meta.mk thotë se Komuna e Vasilevës është dakord që në territorin e saj të ndërtohet një deponi moderne rajonale, por se bashkëpunimi me pushtetin qendror po shkon shumë ngadalë.

Nga Komuna e Vasilevës sqarojnë se parakushti kryesor i tyre për realizimin e projektit është që të mos ketë ndotje të mjedisit jetësor dhe që deponia të ndërtohet sipas standardeve më moderne ekologjike.
„Koha e fillimit të të gjitha aktiviteteve varet nga shpejtësia e marrjes së vendimeve në Kuvendin e RMV-së dhe nga aftësia e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për shpalljen e tenderit”, thotë kryetari i Komunës së Vasilevës, Sllave Andonov.

Si vetëqeverisje lokale ata janë të gatshëm që përmes formave të ndryshme të organizimit të tribunave publike me qytetarët e vendbanimeve përreth t’i tejkalojnë reagimet e mundshme negative që do të shfaqeshin për shkak të ndërtimit të deponisë rajonale.

Autorë: Bojan Bllazhevski dhe Fisnik Xhelili

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button