Nuk ka fakte se një tren rus transportonte armë bërthamore

Recensojmë një shkrim i cili përmes sensacionalizmit tenton të tërheq klikime dhe në këtë mënyrë dezinformon publikun. Përmbajtja pretendon se është publikuar një video ku shihet një tren në Rusi i cili transporton armë bërthamore dhe paralajmëron se Perëndimi duhet të frikësohet nga kjo lëvizje.  Përmbajta në fjalë është shembull tipik i një raportimi jo profesional gazetaresk që ka për qëllim të shkaktojë bindje të gabuara në opinion, shkruan Portalb.mk.

”Sinjali Per Perendimin Nga Rusia Po I Habit Gjithe Boten ” / Karvani I Frikshem I Putinit Po Levize Me Pajisjet Berthamore, është titulli i përmbajtjes që recensojmë. Materiali është publikuar në portalin “News29 media”, në fillim të tetor. Materiali paraqitet për publikun si “lajm” edhe pse nuk plotëson asnjë kriter mediatik, madje materiali është i mbushur me gabime drejtshkrimore e teknike.

Përmbajtja që recensojmë pretendon se një kolonë mjetesh ushtarake ruse po “transporton pajisje bërthamore”, pretendimi i dytë i kësaj përmbajtje është se kjo lëvizje “mundet të jetë sinjal për perëndimin”. Këto pretendime shoqëron me përdorimin e fjalëve sensacionale si “Pamjet rrëqethëse të një kolone…”

Pretendimet e palogjikshme, të pa pabazuara në asnjë fakt apo burim relevant, vazhdojnë edhe në paragrafin e dytë të përmbajtjes që recensojmë.

“Videoja e xhiruar në një vend të pa.zbuluar në Rusinë qen.drore tregon një tren të ngarkuar me automjete dhe pa.jisje që me sa duket po shkonin drejt vijës së fro.ntit në Ukrainë. Analisti i mbrojt.jes Konrad Muzyka tha se treni është i lidhur me një njësi që operon me një du.zinë qendrash magazinimi për ar.mët bërthamore.Ai tha: Kjo është në të vërtetë pajisje transportuese që i përket Drejto.risë së 12-të kryesore të mi.nistrisë së Mbrojtjes Ruse”, pretendohet në përmbajtjen që recensojmë.

Edhe pse produkti mediatik ka vetëm tekst dhe një fotografi, në përmbajtje pretendohet se ekziston edhe një video e “kolonës ushtarake” por që nuk tregohet vendi se ku është filmuar kjo video. Në fakt kjo përmbajtje ka vetëm një fotografi ku shihet një armatim i rëndë rus pa u specifikuar se për çfarë arme bëhet fjalë dhe kur është shkrepur kjo fotografi. Me një kërkim të thjeshtë në Google Lens, kupton se fotografia në fjalë përdoret si fotografi ilustruese gjatë raportimit të mediave të ndryshme botërore. kjo fotografi është shkrepur në qershor të vitit 2020 gjatë paradës ushtarake në Moskë.

Visual matches nga Google Lens
Pajisje ushtarake ruse/ Fotografi nga parada ushtarake në Moskë në qershor të vitit 2020

A është e vërtetë se një “tren bërthamor” ka lëvizur në drejtim të Ukrainës?

Është e vërtetë se në fillim të muajit tetor në rrjetet sociale u publikuan pamjet e një treni me mjete ushtarake, por askund nuk kishte informacion zyrtar se bëhej fjalë për armë bërthamore. Edhe pse pa të dhëna zyrtare, pamjet e publikuara përhapën frikë për eskalim të mundshëm të luftës në Ukrainë, madje disa ekspertë thanë se vendet Perëndimore duhet ta trajtojnë seriozisht këtë çështje.

Pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale mediat botërore raportuan se një tren që ka transportuar pajisje ushtarake është lokalizuar në Sergiyev Posad, në verilindje të Moskës. Kjo është afërsisht 550-600 km nga kufiri ukrainas dhe nuk mund të konfirmohet se ku po shkon treni vetëm nga video. Nga observimi i videos së publikuar analistët ushtarakë i kanë identifikuar se në fakt nuk bëhet fjalë për armë bërthamore. Treni ka transportuar automjete të blinduara BPM-97 – të përdorura nga njësi të ndryshme ushtarake ruse.

Burimi i fotografisë SKYNEWS
Burimi i fotografisë SKYNEWS

Forbes McKenzie, ish-oficer i zbulimit të Ushtrisë Britanike dhe shefi ekzekutiv i “McKenzie Intelligence Services”  ka deklaruar për Sky News se një shpjegim i mundshëm për videon e publikuar është se këto lëvizje janë një paralajmërim për Perëndimin. Siç shpjegon McKenzie, se përmes këtyre këto lëvizjeve Rusia mundohet të tregojë se nëse dëshiron të përdor armë taktike, mundet ta bëj këtë. Megjithatë këto janë pretendime mjaftë delikate dhe të gjithë që transmetojnë të tilla pretendime duhet të kenë kujdes.

“Në asnjë moment forcat tokësore nga pala ruse nuk janë parë të përgatiten për të operuar në një mjedis bërthamor. Ka njësi shumë të veçanta që duhet të çohen përpara në mënyrë që të vendosen kapacitetet bërthamore dhe trupat në terren duhet të pajisen me kostume hazmat. Ne nuk kemi parë ndonjë gjë të tillë. Unë do të argumentoja fuqimisht se Rusia nuk ka mundësi të vendosë armë bërthamore. Është një biletë e njëanshme për të humbur, kjo na është thënë qartë dhe dhe pa asnjë dyshim nga  NATO,” tha McKenzie.

Ndërkohë, një zyrtar i lartë i Pentagonit ka thënë se SHBA-ja nuk ka “asgjë për të vërtetuar” rreth pretendimeve se rusët lëvizin armët taktike bërthamore me hekurudhë. Zyrtari shtoi se ata nuk shohin asnjë tregues se Rusia do të bënte që SHBA të ndryshonte pozicionin e saj ndaj kërcënimit bërthamor.

Përmbajtja e publikuar bie ndesh me disa pika të kodit etik gazetaresk

Autori i përmbajtjes që recensojmë, me qëllim apo pa qëllim ka kryer propagandë e cila e favorizon Rusinë. Autori ka tentuar të shfaqë këtë shtet si superior dhe më të fuqishëm ushtarakisht ndaj një tjetri, në këtë rast ndaj shteteve perëndimore. Duke pasur parasysh kontekstin e tensioneve mes NATO-s dhe Rusisë ndër vite, autori anon nga kjo e fundit, me sensacionalisëm mundohet ta tregojë fuqinë dhe dominancën e ushtrisë dhe armëve ruse nga të cilat Perëndimi duhet të ketë frikë.

Me apo pa dashje duke publikuar një produkt të tillë mediatik, autori bie ndesh me disa parime bazë të Kodit Etik të Gazetarëve. Një nga parimet gazetareske që është thyer në përmbajtjen që recensojmë është:

“Roli i gazetarëve është të transmetojnë informata, ide dhe mendime dhe kanë të drejtë të komentojnë. Duke respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë”.

Pra cilat do qofshin mendimet apo komentet personale të gazetarit gjatë raportimit ato duhet të lihen anash dhe të raportohen në mënyrë objektive. Disa nga vlerat etike që autori i kësaj përmbajtje duhet ti ketë parasysh janë:

Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi.

Original Disklejmer, disclaimer, baner, disinfohub, inhouse/origjinal/brendshëm, origjinal

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button