Komisioni Evropian rekomandoi statusin e vendit kandidat për Bosnjën

Komisioni Evropian rekomandoi të mërkurën që Bosnje dhe Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se vendimi final për këtë vend pritet të merret në muajin dhjetor, transmeton REL.

Varhelyi foli në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku prezantoi paketën vjetore të zgjerimit të BE-së.

Rekomandimi për Bosnjën u tha se është i kushtëzuar, pasi Komisioni pret plotësimin e tetë kushteve specifike që lidhen me miratimin e ligjeve për gjykatat dhe prokurorinë, parandalimin e konfliktit të interesit, lirinë e shprehjes dhe migracionin.

Paraprakisht, Kolegji i Komisionarëve Evropianë miratoi paketën vjetore të zgjerimit, ashtu si edhe raportet e progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.

Në paketën e zgjerimit, Komisioni Evropian vë fokusin në fushat që lidhen me procesin e integrimeve evropiane, siç janë: sundimi i ligjit, reformat e administratës dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vend të veçantë zënë, po ashtu, ndikimet e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Paketa përmban edhe raportime për implementimin e planit evropian për investime në rajon, pastaj për situatën në sektorin e energjisë, për agjendën e gjelbër evropiane, për planet për prokurim të përbashkët të energjisë dhe për përshtatjen e këtyre vendeve me politikat e BE-së, sidomos në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Komisioni Evropian miraton çdo vit paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces.

Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit.

Më së shumti përparim ka shënuar Mali i Zi, i cili i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE.

Serbia pason si shtet që është në procesin e negociatave, por këtë vit nuk ka hapur, deri më tash, asnjë kapitull të ri.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë nisur negociatat në korrik, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka kohë që ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe tash është në pritje të vendimit përfundimtar për statusin e vendit kandidat.

Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button