Raporti i KE-së për RMV-në: Lëvdata për sanksionet ndaj Rusisë, por duhet vazhduar lufta kundër korrupsionit

Fillimi i procesit të skriningut si fazë e parë nga bisedimet për anëtarësim në BE dhe mbështetja e sanksioneve kundër Rusisë në lidhje me invazionin ushtarak ndaj Ukrainës i sollën Maqedonisë së Veriut vlerësim pozitiv nga BE-ja. Por, në raportin evropian për progresin e vendit, Komisioni Evropian sërish ka gjetur vërejtje për zbatimin e ligjeve, punën e Kuvendit, por edhe nevojën për më shumë transparencë gjatë miratimit të vendimeve shtetërore, njofton Portalb.mk.

Në raport, i cili u publikua sot përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian, thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Vetëm në kriteret ekonomi është theksuar progres i mirë, ndërkaq në harmonizimin e vendit me politikën evropiane të jashtme dhe të sigurisë ka progres shumë të mirë.

Siç theksoi eurokomesari për zgjerim, Oliver Varhej, vendi ka progres stabil, por patjetër të vazhdojë në luftë luftën kundër korrupsionit, bashkë me fushën e reformës së administratës publike.

“Maqedonia e Veriut tregoi vendosmëri dhe bëri progres stabil në zbatimin e reformave të BE-së, por vendi duhet patjetër ta mbajë shpejtësinë dhe shfrytëzojë procesin e skriningut që ta përshpejtojë zbatimin e reformave të BE-së”, tha Varhej.

Ai e theksoi harmonizimin e vendit me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, të cilat u miratuan nga vendet evropiane për shkak të invazionit ushtarak rus ndaj Ukrainës.

“Me atë, Maqedonia e Veriut, tregoi vendosmëri për rrugën evropiane si partner i besueshëm”, tha Varhej.

Në raport thuhet se nevojiten përpjekje vendimtare që të ndërtohet dinamika për reforma dhe lëvizje në procesin e bisedimeve me BE-në.

“Është i nevojshëm fokus i veçantë që të sigurohet zbatim efektiv i legjislativit aktual, në vend që të ngritën iniciativa ad-hok”, thuhet mes tjerash në raport.

Gjithashtu theksohet që janë bërë reforma në shërbimet e sigurisë, por duhet që të përforcohet kapaciteti i mbikëqyrjes parlamentare ndaj punës së shërbime sekrete, ndërkaq është nënvizuar që po vonohet miratimi i ligjeve për shërbime administrative dhe ligji për të punësuarit në sektorin publik.

“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ishte proaktive në përballjen me rastet e nepotizmit, kronizmit dhe ndikimit politik në procesin e punësimit në sektorin publik dhe gjatë emërimit të anëtarëve të bordeve mbikëqyrëse dhe drejtuese”, thuhet në raport.

Sistemi juridik ka arritur në shkallë të gatishmërisë dhe mesatarisht është i përgatitur, ndërkohë vendi ka arritur nivel të caktuar të përgatitjes dhe është e përgatitur mesatarisht në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.

Në raport thuhet se vendi është mesatarisht e përgatitur në lirinë e shprehjes, ndërkaq reformat në Radio Televizionin e Maqedonisë janë frenuar për shkak të anulimit të emërimit të anëtarëve të Këshillit Programor.

Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

Javën e kaluar, zëvendëskryeministri i ngarkuar me procesin eurointegrues, Bojan Mariçiq, deklaroi se pret raport pozitiv i cili do të jetë, siç tha, padyshim udhërrëfyes për reformat dhe aktivitetet e radhës, me të gjitha notat e mira dhe më pak të mira.

Ndryshe, Raporti i vitit 2021 i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut nuk kishte “lëvdata” të mëdha krahasuar me atë të vitit të kaluar. Sidomos kjo, kur dihet se vendi ka miratuar disa dokumente që pritej të reflektonin në këtë raport. Ndër to është edhe dokumenti “Agjenda: Evropa në shtëpi”, i përmendur sipërfaqësisht edhe në raport, i cili përveç që nuk po zbatohet sipas planit të paraparë, nuk ka pothuajse aspak transparencë për zbatimitn e tij. Sidoqoftë, në shumicën e fushave, Maqedonia e Veriut vlerësohet si e përgatitur mesatarisht, ashtu edhe si vitin e kaluar, por pa ndonjë dallim që do të na linte “gojë-hapur”. Portalb.mk, ju sjell një krahasim më të thukët midis raporteve të vitit 2021 dhe atij të vitit 2020.

Procesi i skriningut

Në ndërkohë, gjatë kësaj jave në Bruksel vazhdojnë t0δ mbahen seancat e skriningut shpjegues për Klasterin e 2-të, që pritet të përmbyllet për 2 javë, për të vazhduar në Klasterin e 3-të – Konkurrenca dhe zhvillimi gjithëpërfshirës.

Nga data 15 deri më 27 shtator, në Bruksel në kuadër të procesit të skriningut RMV-BE u mbajtën takime për fushat dhe kapitujt e grupit të të Drejtave themelore, ku Komisioni Evropian prezanton legjislacionin e tij për këto fusha.

Prej 11 nëntori deri më 9 dhjetor të këtij viti, do vazhdojë faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button