Këshilli i Evropës: Është koha që BE-ja të zgjerohet drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor

Me 134 vota “për”, 3 “kundër” dhe 3 “të përmbajtur”, sot në Strasburg Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE) e miratoi rezolutën për mbështetjen e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke bërë thirrje në nxitje të re të procesit të zgjerimit të BE-së dhe duke kërkuar nga Ballkani Perëndimor që menjëherë t’i menaxhojë sfidat kryesore me të cilat përballet, njofton Portalb.mk.

Në rezolutë thuhet se përforcimi i rezistencës demokratike dhe respektimi i sundimit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, promovimi i pajtimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, por edhe krijimi i kushteve për zhvillim më të fuqishëm ekonomik dhe social në rajon, paraqet investim gjeostrategjik në paqen, stabilitetin dhe sigurinë demokratike për tërë Evropën.

Gjithashtu, sipas rezolutës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës beson fuqishëm se ndihma ndaj Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Kosovës që t’i plotësojnë aspiratat e tyre për integrim më të afërt është e rëndësishme jo vetëm për ato vende, por edhe për Evropën, dhe se e njëjta do të jetë në dobi të qytetarëve evropian.

Rikujtohet se nga Samiti në Selanik në vitin 2003, përkushtimin e zgjerimit vazhdimisht e mbështesin liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, po se me kalimin e kohës zvogëlohet momenti politik dhe entuziazmi i opinionit. Njëkohësisht, gjithnjë e më shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë janë pesimist për perspektivat për anëtarësim në BE.

“Vizioni evropian po e humb shkëlqimin e saj. Në vend të asaj, sërish është paraqitur etno-nacionalizëm, që është zhvillim shumë shqetësues në rajonin ku spektri i dhunës është ende i madh”, thuhet në rezolutë.

Më tej thuhet se “imperativ është që Ballkani Perëndimor të qëndrojë në fokus”.

APKE kërkon që të bëhet nxitje e re e procesit të zgjerimit të BE-së, ndërkaq Ballkani Perëndimor menjëherë t’i menaxhojë sfidat, siç janë klima politike e polarizuar, problemet serioze në sundimin e së drejtës dhe qeverisjes së mirë të cilat ndikojnë negativisht në pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit dhe funksionimit të administratës publike, çështjet lidhur me të drejtat e pakicave nacionale dhe komuniteteve, problemet me liritë në media dhe pronësinë e mediave.

Gjithashtu, theksohet se është e domosdoshme që të  bëhen përpjekje sa më të mëdha me qëllim të përforcimit të pajtimit, por edhe angazhimit të shoqërisë civile.

Gjithashtu thuhet se Këshilli i Evropës duhet t’i dyfishojë përpjekjet që t’i ndihmojë Ballkanit Perëndimor që të arrijë zhvillim të prekshëm dhe të matshëm në plotësimin e kritereve për zgjerim të BE-së.

Nga data 15 deri më 27 shtator, në Bruksel në kuadër të procesit të skriningut RMV-BE u mbajtën takime për fushat dhe kapitujt e grupit të të Drejtave themelore, ku Komisioni Evropian prezanton legjislacionin e tij për këto fusha.

Ndryshe, gjatë kësaj jave në Bruksel do vazhdojnë seancat e skriningut shpjegues për Klasterin e 2-të, që pritet të përmbyllet për 2 javë, për të vazhduar në Klasterin e 3-të – Konkurrenca dhe zhvillimi gjithëpërfshirës.

Prej 11 nëntori deri më 9 dhjetor të këtij viti, do vazhdojë faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button