U rrit në 19 numri i viktimave nga sulmet raketore të Rusisë në Ukrainë

Numri i të vdekurve nga sulmet e fundit të Rusisë në Ukrainë është rritur në 19, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, sipas shërbimit të urgjencës të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Numri i të plagosurve nga bombardimet ruse, të cilat filluan të hënën, arriti në 105, thuhet në deklaratën e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës.

“Si rezultat i sulmeve, objektet e infrastrukturës kritike dhe civile u goditën dje në 12 rajone, përfshirë kryeqytetin Kiev, ku shpërthyen më shumë se 30 zjarre, të cilat u shuan nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave”, shton deklarata.

Shërbimi i Emergjencës më tej theksoi se furnizimi me energji elektrike në 3.571 vendbanime në rajonet Poltava, Sumy, Ternopil, Lviv, Kiev dhe Khmelnytskyi është rivendosur.

Por 301 vendbanime në rajonet e Kievit, Lviv, Sumy, Ternopil dhe Khmelnytsky ende vazhdojnë të jenë pa energji.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes të hënën vonë deklaroi se të gjitha objektivat në Ukrainë, duke përfshirë komandën ushtarake, objektet e komunikimit dhe energjisë, u goditën me armë të precizitetit të lartë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se sulmet ishin si përgjigje të shpërthimeve në urën Kerç, e cila lidh Gadishullin e Krimesë me Rusinë, dhe “sulmeve të tjera terroriste”.

Por ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha se Putini nuk ishte “provokuar” nga sulmi i urës, sepse “Rusia e ka goditur vazhdimisht Ukrainën me raketa”.

“Putini është i dëshpëruar për shkak të humbjeve në fushëbetejë dhe përdor terrorin raketor për të tentuar të ndryshojë ritmin e luftës në favor të tij”, shkroi ai në Twitter.

Sulmet e fundit janë dënuar nga zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë, të cilët u zotuan për mbështetje të vazhdueshme për Kievin.

Rusia filloi “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë më 24 shkurt. Në javët e fundit, forcat ukrainase nisën një kundërofensivë, ndërsa Moska shpalli mobilizim të pjesshëm dhe aneksoi katër rajone ukrainase në Rusi pas referendumeve “të rreme”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button