“Intimiteti strategjik“ i Komunitetit të ri Politik Evropian

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.  

-Pas takimit të inaugurimit të mbajtur më 6 tetor të vitit 2022 në Pragë-

Malinka Ristevska Jordanova

Komuniteti Politik Evropian (EPC) u inaugurua gjashtë muaj pas paralajmërimit nga iniciatori i tij- Presidenti francez Emmanuel Macron. Është pikërisht ai që do të vlerësojë se me të në kontinent është arritur një “intimitet strategjik”.

Është evidente se kuptimi primar që i është dhënë takimit të parë është uniteti gjeopolitik, kryesisht në një nivel simbolik, i kontinentit që përforcon izolimin e Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës. Pavarësisht mosmarrëveshjeve të brendshme ekzistuese në BE, sidomos në planin energjetik dhe sanksionet kundër Rusisë, ky samit i lejoi BE-së të tregojë unitet, por edhe ta dëshmojë edhe një herë veten si një forcë gravitacionale në kontinentin evropian. Në të njëjtën kohë po rritet edhe presioni ndaj pjesëmarrësve të takimit për një qëndrim më të unifikuar ndaj Rusisë, siç është për shembull rasti me Serbinë, për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Disa nga shumica e paqartësive fillestare në lidhje me Komunitetin tashmë po sheshohen. Pjesëmarrësit dihen – 44 vende. Krahas shteteve anëtare të BE-së (27) aty janë edhe vendet anëtare të EEA dhe EFTA (Norvegjia, Islanda, Lihtenshtajni dhe Zvicra), Mbretëria e Bashkuar, vendet kandidate dhe kandidatët potencialë (nga Ballkani Perëndimor, Partneriteti Lindor dhe Turqia), si dhe Armenia dhe Azerbajxhani. Praktikisht, anëtarësimi bëhet i njëjtë me atë të Këshillit të Evropës, nga i cili Rusia u tërhoq para se të përjashtohej dhe Bjellorusia mbeti me një aplikim të bllokuar. Mbretëria e Bashkuar e shfrytëzoi këtë mundësi për të ndikuar në kontinentin evropian dhe për të ndryshuar marrëdhëniet negative me BE-në pas Brexit-it, prandaj demostroi pozitivitet dhe madje fitoi mundësinë të organizojë një nga takimet e radhës.

Mesazhi kryesor për aspirantët për anëtarësim, të cilët që në fillim të kësaj nisme ishin të shqetësuar se në fakt ky komunitet ishte një zëvendësim për zgjerimin, u përsërit në mënyrë deklarative: Komuniteti nuk është zëvendësim për zgjerimin. Megjithatë, që ky pretendim të jetë më bindës BE-së do duhet të bëjë diçka më shumë në planin e zgjerimit.

Formësimi i Komunitetit po bëhet me kujdes. Takimi i parë ka përfunduar pa kurrfarë dokumenti të përbashkët. Kujdesi vihet re edhe në drejtim të institucionalizimit të iniciativës. Për momentin ajo ka mbetur në nivelin e një platforme joformale, ndërsa nuk ka asnjë njoftim për burimet e saj të veçanta. Për këtë arsye disa analistë kritikojnë se samitet do të mbeten një „guacë boshe”. Nga ana tjetër, tashmë ka propozime dhe iniciativa të përpunuara që vijnë nga institucione të pavarura, si p.sh. Instituti Bruegel. Propozimi i tyre është që fillimisht të „ecet para lehtë” dhe më pas të arrihet një marrëveshjeje formale midis BE-së, vendeve anëtare dhe shteteve jo anëtare. Propozimi kërkon që EPC të formohet si një lidhje me reformën institucionale të BE-së të shpallur pas Konferencës për Ardhmërinë e Evropës. I vendosur në këtë mënyrë EPC do të kishte rolin e përshpejtuesit dhe jo të frenuesit të procesit të zgjerimit, sepse është e qartë se pa reformë institucionale të BE-së zgjerimi i mëtejshëm nuk është i mundur. Edhe pse nën gjithë kujdesin zyrtar, propozimet për zhvillimin e mëtejshëm të EPC-së që vijnë dhe do të vazhdojnë të vijnë nga institucione dhe organizata të pavarura tashmë janë një indikator se kjo temë do të vazhdojë të përpunohet dhe të zhvillohet.

Sa i përket fushave prioritare të Komunitetit – për momentin më evidente është ajo e para nga fushat e paralajmëruara në muajin maj të këtij viti: siguria e përbashkët dhe politika e jashtme. Në këtë fushë është edhe rezultati i vetëm konkret nga margjinat e Samititpëlqimi i Armenisë për lehtësimin e misionit civil të BE-së (për dy muaj) pranë kufirit me Azerbajxhanin, i cili, nga ana tjetër, ka pranuar të bashkëpunojë me këtë mision. Pas tentativave të Rusisë dhe SHBA-ve për ndërmjetësim në konfliktin mes dy shteteve Nagorno-Karabakun, BE-ja po tregon ambicie (edhe pse jo me hapa tepër ambicioz) ta përforcojë rolin e saj gjeostrategjik në Euroazi.
Fusha e dytë prioritare mbeten rrjetet – transporti, komunikimi, energjia, ndërkohë që tani po përmenden edhe aktivitete në fushën e ndryshimeve klimatike. Fusha e tretë dhe ajo më e gjerë – programet në ekonomi për momentin mbetet pa përpunim të mëtejshëm.

Mbetet që përgjigje për këto çështje dhe çështje të reja të merret në ndonjë nga samitet e radhës. Edhe pse për momentin EPC mbetet një platformë joformale, shtetet kanë rënë dakord që samite të mbahen në çdo gjashtë muaj e që do qarkullojnë mes vendeve anëtare dhe atyre jo anëtare. Nikoqirët e radhës janë Moldavia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button