“Gjithmonë në anën e drejtë”, me manifestim solemn në Kumanovë u shënua “11 Tetori” – Dita e Kryengritjes Popullore

Me program të përshtatshëm ceremonial nën moton “Gjithmonë në anën e drejtë”, të organizuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot është shënuar 81-vjetori i Ditës së Kryengritjes Popullore, 11 Tetori. Manifestimi qendror në të cilin foli kryeministri Dimitar Kovaçevski u mbajt në Memorialin Përkujtimor në Kumanovë, njofton Portalb.mk.

Në fjalën e tij drejtuar qytetarëve, kryeministri theksoi se shënimi i kësaj feste është vazhdimësi dhe drejtim ne të cilin kemi qenë dhe mbetemi gjithmonë në anën drejtë.

“Në këtë vend të shenjtë, në Memorialin e Kumanovës, në shtëpinë e përjetshme të rreth 300 luftëtarëve që dhanë jetën në themelet e tokës amtare, shprehim respekt të sinqertë për të gjithë luftëtarët e luftës antifashiste dhe nacionalçlirimtare dhe e dërgojmë porosinë se amaneti i shenjtë të jemi në anën e duhur, është pranuar, ruajtur dhe zbatuar dhe do t’u dorëzohet gjeneratave të ardhshme, si gjithmonë, në emër të së ardhmes së mirë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Kovaçevski.

Shënimi i festës filloi me nderim dhe vendosje të luleve të freskëta në nderim të luftëtarëve, shtëpia e përjetshme e të cilëve është në Memorialin Përkujtimor në Kumanovë. Më pas vazhdoi me intonimin e himnit kombëtar, një performancë ushtarake nga pjesëtarët e Gardës dhe me program të përshtatshëm kulturo-artistik.

Kovaçevski, e udhëhoqi delegacionin qeveritar të përbërë nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Artan Grubi,  ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska, ministri i Shoqërisë Informatike  dhe Administratës Admirim Aliti.

Me nderime të veçanta delegacioni qeveritar i udhëhequr  nga zëvendëskryeministrja për Politika të Qeverisjes së Mirë, Sllavica Gërkovska, i përbërë nga Aleksandar Bajdevski zëvendësministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë dhe Bashkim Hasani, zëvendësministër i Mbrojtjes, në orën 11: 15 vendosën lule të freskëta në përmendoren “Çlirimtarët e Shkupit”, para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Si pjesë e shënimit të festës 11 Tetori, delegacioni zyrtar qeveritar mori pjesë në manifestimin në Komunën e Prilepit me fillim në orën 09:30 para monumentit “Metodia Andonov – Çento”. Në përbërje të delegacionit qeveritar ishin Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ministre e Kulturës, Vlladimir Rendevski, zëvendësministër i Shëndetësisë, Xhemil Qamili, drejtor i Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë.

Ndryshe, 11 Tetori është dita e Kryengritjes së organizuar të vitit 1941 kur Detashmenti i Parë Partizan i Prilepit e ka sulmuar stacionin e policisë bullgare – aleate e fashistëve dhe rrjetin telefonik-telegrafik në Prilep, dhe të nesërmen, më 12 tetor, dolën përpara edhe partizanët nga Detashmenti i Kumanovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button