Rimëkëmbja e vështirë industriale e shteteve të Ballkanit

Ndërhyrja e qeverisë në një sektor specifik, i cili është krijuar për të nxitur perspektivat e rritjes së atij sektori dhe për të nxitur zhvillimin e ekonomisë quhet politikë industriale. Sot politika industriale pothuajse nuk ekziston në fjalorin e politikanëve dhe ministrave të disa qeverive ballkanike.

Kjo më së shumti vërehet në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe në Shqipëri, ku politikat industriale nuk përmenden nga qeveria ose janë vetëm të shkruara në programet qeveritare. Një shtet pa industri qoftë të lehtë dhe të rëndë është i detyruar gjithnjë të ballafaqohet me kriza elementare që shpeshherë detyrojnë qeveritë të ndërmarrin hapa të pamenduara. Të gjitha ndërmarrjet e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore (LDB), e deri në vitet e 90-ta falimentuan ose u privatizuan me të pa drejtë nga një grup afaristësh dhe politikanë. Për më shumë, Karl Marksi shkroi se “kapitalistët industrialë dhe të tjerët që përdorin pronën private për të bërë fitime përbëjnë klasën shtypëse”.

Marksi e quajti këtë klasë si borgjezi, e cila e përdor pasurinë dhe kontrollin e saj mbi qeverinë për të shfrytëzuar klasën punëtore industriale. Në kohën e demokracisë ndryshe kjo klasë drejtuese quhet si shfrytëzues e djersës së klasës punëtore. Por, kur jemi te politika qeveritare industriale, kjo më së shumti në hapësirën tonë ka qenë e ndërtuar gabimisht. Pas mbarimit të LDB-së, Tito dhe ekipi i tij e shtetëzuan industrinë e kohës dhe filluan një ekonomi të planifikuar.

Një gjë pozitive gjatë reformave të ekonomisë së atëhershme ndodhi kur Tito hoqi dorë nga kolektivizimi i fermerëve të vegjël. Kështu Tito më vonë reformat e tipit sovjetik i ndërpreu, duke u hapur ndaj Perëndimit dhe duke lënë më tepër hapësirë për ekonominë e përzier jugosllave. Përkundër manovrimeve të udhëheqjes komuniste, ndryshimet e atëhershme nuk ishin të mjaftueshme për të mbajtur një ekonomi gjallë dhe konkurruese në tregjet globale dhe as më pak rritje ekonomike kombëtare. As tri dekadat e ekonomisë së lirë nuk sollën ndonjë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe promovim të strategjive industriale në hapësirën që sot quhet Ballkani Perëndimor.

Aktualisht ekonomitë e Ballkanit Perëndimor nuk kanë ndonjë përparim pas pandemisë. Sipas një raporti të Bankës Botërore (BB), prodhimi për shtetet e rajoni në tërësi tani ka tejkaluar nivelet e para pandemisë, por shtetet kanë një borxh më të lartë publik. “Rritja mbetet e kufizuar nga nevoja për reforma strukturore për të rritur produktivitetin, për të rritur konkurrencën, për të investuar në kapitalin njerëzor dhe për të forcuar qeverisjen”. ”Lufta në Ukrainë po dërgon valë tronditëse në të gjithë rajonin, veçanërisht nëpërmjet çmimeve të larta të energjisë dhe ushqimeve, por edhe nëpërmjet ndërprerjes së flukseve tregtare dhe investimeve, duke vënë në rrezik rimëkëmbjen e rajonit”.

Qeveritë e rajonit ajo e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duhet të nisin të flasin për plane konkrete se si do të bëhet me politikat industriale, pasi me rëndësi gjatë hapjes dhe mbylljes së kapitujve të BE-së, është që qeveritë të dëshmojnë vullnetin se do të ndërtojnë një strategji industriale. Kapitulli XX i Acqusis-it i BE-së thotë: “Politika industriale e BE-së kërkon të promovojë strategji industriale që rrisin konkurrencën duke përshpejtuar përshtatjen ndaj ndryshimeve strukturore, duke inkurajuar një mjedis të favorshëm për krijimin dhe rritjen e biznesit në të gjithë BE-në, si dhe investimet vendase dhe të huaja. Ai gjithashtu synon të përmirësojë mjedisin e përgjithshëm të biznesit në të cilin operojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”. Kapitulli përfshin privatizimin dhe ristrukturimin. Sipas kapitullit, zbatimi i politikës së sipërmarrjes dhe asaj industriale kërkon kapacitete adekuate administrative në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal.

Duhet nënvizuar se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor tani përballen me një perspektivë të pasigurt dhe këtu sidomos kur lufta në Ukrainë nuk ka marrë fund. Parashihet që rritja e PBB-së në vitin 2022 në Ballkanin Perëndimor të jetë 3.1 përqind. Në këtë gjendje as që mund të flitet për ndërtimin të një strategjie të vërtetë industriale të qeverive që janë në rrugë të hapin kapitujt me BE-në. Politika qeveritare duhet të fokusohet në ndërmarrjen e reformave strukturore për të mbështetur rritjen dhe për të drejtuar krizat e të gjitha llojeve, ndryshe ekonomitë e vendeve do të mbeten të pa ndryshuara bashkë me një industri e cila nuk do të jetë vibrante dhe nuk do të sjellë stabilitet ekonomik në Ballkan. Ajo që duhet të bëjnë qeveritë rajonale, është përqendrimi i kapaciteteve në burimet ku shtetet janë të pasura dhe që mund të qëndrojnë më vete apo në një ambient të përbashkët ekonomik të bashkëveprojnë qoftë në kohë krize dhe paqeje. Se a do ta bëjnë këtë, mbetet të shihet deri në vitin 2030.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button