“Car Borisi i Tretë” i Bullgarisë në Ohër, protestë me parulla antifashiste

“Me fashistë nuk negociohet”, “Fashizmi patjetër të bie”, “Me fashitë nuk jemi njëjtë, ne jemi antifashistë”, këto ishin vetëm një pjesë e pankartave të cilat i kanë mbajtur sot disa qytetarë maqedonas në Ohër, me rastin e hapjes së klubit bullgar “Car Borisi i Tretë”, njofton Portalb.mk.

Atmosfera e protestës ishte e tensionuar, ndërkaq kishte forca të shumta policore.

Protestuesit kanë gjuajtur vezë në drejtim të klubit, e kanë kënduar himnin e Maqedonisë së Veriut dhe kanë bërë thirrje kundër Car Borisit të Tretë.

Protestë kundër klubit bullgar në Ohër, Car Borisi i Tretë
Protestë kundër klubit bullgar në Ohër, Car Borisi i Tretë, foto: Meta.mk

Anëtarët e klubit fillimisht nuk kanë reaguar për protestën, ndërkaq më pas ua kanë kthyer thirrjet në gjuhën bullgare dhe e kanë valëvitur flamurin e Car Borisit të Tretë.

Klubi bullgar në Ohër, Car Borisi i Tretë, foto: Meta.mk
Klubi bullgar në Ohër, Car Borisi i Tretë, foto: Meta.mk

Protesta u paralajmërua nga Levica, por të njëjtën e kanë mbështetur edhe VMRO-DPMNE.

Sipas opinionit maqedonas, Car Borisi i Tretë i Bullgarisë ka qenë bashkëpunëtor i Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore dhe okupator i Maqedonisë.

Paraprakisht, Ministria e Punëve të Jashtme të RMV-së, ka apeluar deri te të gjithë qytetarët, grupet politike dhe jopolitike, për sjellje të matur dhe dinjitoze, të bazuar në respektimin e të drejtës së të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, për të ushtruar të drejtën kushtetuese për tubim dhe shprehje të lirë të mendimit.

“Maqedonia e Veriut, si një vend demokratik ku liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit janë ngritur në nivelin e vlerës themelore të Kushtetutës dhe shtetësisë, do të vazhdojë të mbrojë të drejtën e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve për të shprehur, kultivuar dhe zhvilluar identitetin etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar, si dhe lirinë e besimit, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit. Në këtë kontekst, i lusim të gjitha palët që të përmbahen nga përpjekjet për keqpërdorim me të drejtat dhe liritë e tyre, veçanërisht t’u ikin provokimeve dhe mohimit të të drejtave dhe lirive të të tjerëve!”, thuhet në apelin e MPJ-së.

Paraprakisht në Manastir u hap edhe një shoqatë tjetër bullgare me emrin “Ivan Mihajllov”, i cili gjithashtu për opinionin maqedonas ishte emër diskutabil. Pas hapjes këngëtari Lambe Alabakovski ia ka vënë flakën pjesës së hyrjes së klubit.

Sofja zyrtare në vitin 2019-të kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Me ndërmjetësimin e Francës, në RMV dhe Bullgari u votua një propozim për zgjidhjen e problemeve mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndërkaq më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutën e RMV-së. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button