Mbrojtja e të dhënave personale e qytetarëve në rast të pëlqimit të dhënë

Pëlqimi është një nga instrumentet, sipas Ligjit për të dhënat personale, i cili përdoret për marrjen dhe për përpunimin e të dhënave personale të qytetarëve nga personat që i përpunojnë të dhënat personale. Pëlqimi duhet doemos të jepet lirisht (nuk guxon të zhvatet ose të jepet nën presionin e personit i cili i përpunon të dhënat personale), ai duhet doemos të jetë konkret (qytetari të dijë saktësisht se për çfarë e jep pëlqimin), duhet të jetë informativ (qytetari të dijë se për çfarë qëllimi merren të dhënat e tij personale dhe në çfarë vëllimi) dhe duhet doemos të jetë i qartë.

Si shembull mund të merret politika e skedarëve (cookies) e një ueb faqeje të caktuar përmes së cilës merren të dhënat personale të personit i cili e përdor ueb faqen. Që personi i cili i përpunon të dhënat personale të marrë pëlqim për të mbledhur të dhëna personale nga përdoruesi i ueb faqes së tij, ai duhet t’i lejojë përdoruesit të pajtohet ose të mos pajtohet me politikën e skedarëve (cookie), duhet të sqarojë konkretisht se për çfarë skedari (cookies) bëhet fjalë, ta informojë përdoruesin për cilat qëllime do të përdoren të dhënat e tij personale dhe cilat të dhëna personale mblidhen, dhe pyetja për pëlqimin të jetë e qartë dhe e kuptueshme lehtësisht për përdoruesin. Në këtë rast, nëse pyetja është “A ju pëlqen ueb faqja jonë dhe a jeni dakord që t’i përdorim të dhënat tuaja personale?”, pëlqimi nuk do të konsiderohet i dhënë, sepse pyetja është e paqartë. Më shumë rreth politikës së skedarëve (cookies) mund të lexoni këtu.

Tejkalimi i qëllimeve për të cilat është marrë pëlqimi për përpunimin e të dhënave personale paraqet shkelje sipas Ligjit për të dhënat personale. Për shembull, të themi se e keni çuar automjetin tuaj te një servis automjetesh dhe keni lënë emrin, mbiemrin dhe numrin e telefonit në mënyrë që punonjësit të mund t’ju njoftojnë se mund ta merrni automjetin tuaj. Nëse, më tej, dikush nga punëtoria e njëjtë ju thërret në numrin tuaj të telefonit për t’ju treguar ofertat e reja për blerjen e gomave për automjetin, do të konsiderohet se janë tejkaluar qëllimet për përpunimin e të dhënave personale (njoftimi se automjeti juaj mund të merret nga servisi) dhe se është kryer shkelje. Në këtë rast, Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale parashikon mundësi që personi ta tërheqë pëlqimin e tij për përpunimin e të dhënave personale, përkatësisht ta informojë personin i cili përpunon të dhënat personale se ai nuk dëshiron më që të dhënat e tij të përpunohen. Gjithashtu, personi mund të kërkojë në çdo kohë që ato të fshihen nga evidenca e të dhënave personale të personit i cili i përpunon të dhënat personale.

Më tutje, pëlqimi mund të tërhiqet edhe kur nuk është kryer shkelje. Për shembull, të themi se keni vendosur t’ia jepni të dhënat tuaja personale (emri, mbiemri dhe posta elektronike) brendit tuaj të preferuar për veshje me qëllim për të marrë njoftime për koleksionet ose promocionet e reja, dhe pas një kohe të caktuar keni vendosur se nuk dëshironi më të merrni njoftime të tilla. Përmes të drejtës për tërheqje të pëlqimit, personi i cili i përpunon të dhënat personale (në këtë shembull, brendi për veshje) është i detyruar ta ndërpresë dërgimin e njoftimeve, edhe krahas asaj që i kanë përpunuar të dhënat tuaja personale veçanërisht për qëllimet për të cilat ju keni dhënë pëlqim.

Në rastet e tërheqjes së pëlqimit për përpunimin e të dhënave personale, kompetent është zyrtari i mbrojtjes së të dhënave personale i personit i cili i përpunon të dhënat personale. Më shumë rreth zyrtarit për mbrojtjen e të dhënave personale mund të lexoni këtu.

Në rastet kur tërheqja e pëlqimit nuk mjafton, përkatësisht të dhënat personale edhe më tutje përpunohen në mënyrë të paligjshme, përkatësisht keqpërdoren nga personi i cili i përpunon të dhënat personale, qytetarët kanë mundësi t’i drejtohen Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Me plotësimin e formularit i cili mund të gjendet në ueb faqen e tyre, qytetarët mund të raportojnë se cili person dhe në çfarë mënyre i keqpërdor të dhënat e tyre personale dhe në këtë mënyrë shkel dispozitat e Ligjit për të dhënat personale. Agjencia, pas marrjes së raportimit dhe nëse raportimi ka bazë, do ta kontaktojë personin i cili i përpunon të dhënat personale dhe do ta urdhërojë atë ta ndërpresë përpunimin, përkatësisht keqpërdorimin e të dhënave personale, ose në të kundërtën do të gjobitet.

Pëlqimi është një instrument përmes të cilit personi i cili përpunon të dhëna personale mund t’i marrë dhe përpunojë të dhënat personale të qytetarëve. Në këtë rast, personat të cilat i përpunojnë të dhënat personale kanë për obligim t’i marrin si dhe më tutje të mund të dëshmojnë se kanë marrë pëlqim nga qytetarët para se t’i marrin dhe përpunojnë të dhënat personale. Qytetarët, nga ana tjetër, kanë të drejtë që në çdo moment ta tërheqin pëlqimin e tyre, si dhe të raportojnë çfarëdo shkelje dhe keqpërdorime të të dhënave të tyre personale në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Autor: Mr. Nikolla Dimitrov

Ky tekst është përgatitur me mbështetje të Bashkimit Evropian. Përmbajtjet në këtë tekst janë përgjegjësia e vetme e partnerëve të projektit “Mbrojtja teknike dhe e integruar e të dhënave personale – ndërtimi i ekosistemit digjital inkluziv” dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet  e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button