U publikuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Bullgari, fituesja GERB thuajse nuk ka gjasa të formojë qeveri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Bullgarisë, i ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Bullgari që janë mbajtur të dielën. Sipas tyre, fuqia më e fortë parlamentare do të jetë partia GERB e ish kryeministrit Bojko Borisov, me 67 deputetë, njofton portali bullgar “Mediapool.bg”, transmeton Portalb.mk.

Në vendin e dytë është partia “Vazhdojmë me Ndryshimin” (PP) e ish kryeministrit Kiril Petkov, e cila ka fituar 53 deputetë.

Në vendin e tretë “Lëvizja për të Drejta dhe Liri” (DPS) e ish partnerit të koalicionit të GERB në disa qeveri  me 36 deputetë, a pas tyre vjen partia pro-ruse dhe nacionaliste “Rilindja” me 27 deputetë.

Përndryshe, kryetari i “Rilindjes”, dje bëri skandal duke tentuar që t’i përzë gazetarët nga konferenca për shtyp e partisë dhe duke i ofenduar deputetët si “deputetë të huaj”. Duke u larguar nga salla, ai tha se partia e tij nuk do të koalicionojë me Borisovin.

Në vendin e pestë është Partia Socialiste Bullgare (BSP) me 25 mandate, ndërkaq menjëherë pas saj është “Bullgaria Demokratike”  (BD) me 20 deputetë, përndryshe partner koalicioni në ish qeverinë politike të Petkovit.

Partia e fundit që në zgjedhjet e 2 tetorit ka siguruar vend në Parlamentin e Bullgarisë është “Ngritja Bullgare” e ish kryeministrit teknik Stefan Janev.

Me shpërndarjen e këtillë të forcave në Parlamentin e Bullgarisë, thuajse gjasat janë zero që GERB të formojë koalicion qeveritar stabil, pasi që të gjitha partitë, përveç DPS, e cila ishte disa herë në qeveri dhe ajo e Stefan Janevit, i cili tha se është i gatshëm të koalicionojë me të gjithë, e kanë hedhur mundësinë që të hyjë në qeverinë e udhëhequr nga GERB.

Koalicioni i GERB, DPS dhe Ngritja Bullgare do të kishin vetëm 115 deputetë, 15 më pak për të pasur bllok të qëndrueshëm parlamentar.

Nga ana tjetër, nëse Borisov, e kthen mandatin e parë për formimin e Qeverisë, fuqia e dytë PP – do të dilte me mandatarin e saj me kusht që përveç partneritetit të qeverisë paraprake (PP, BSP dhe BD), t’i tërheqë në palën e saj edhe “Rilindjen” dhe partinë e Stefan Janevit, me çka do të fitonte 39 deputetë shtesë – kjo do të thoshte që mund të formojë shumicë parlamentare e cila do të ishte stabile, por e kushtëzuar.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, sot nuk kumtoi se për kur do ta mbledh Parlamentin, por tha se do të ketë takim me partitë javën e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button