Nën vëzhgimin e kamerave të dyshimta kineze

Në mungesë të njohjes formale, marrëdhëniet mes Kinës e Kosovës mbeten të ftohta. Por, pavarësisht kontestimit që Kina ia bënë shtetit të Kosovës, nuk mungon ndërveprimi. Shteti më i madh aziatik ka tentuar që ndikimin ta instalojë edhe përmes partnerit kryesor në Ballkanin Perëndimor- Serbisë. Edhe pse jo në masë të njëjtë sa me shtetin serb dhe vendet tjera të rajonit ku bashkëpunimi shtrihet në sektorët e ekonomisë, teknologjisë dhe kulturës- shteti komunist është i pranishëm në Kosovë kryesisht nëpërmjet pajisjeve teknologjike, shkruan Sbunker.

Kompanitë kineze në fushën e teknologjisë kanë pasur rritje të shpejtë në vitet e fundit, falë çmimeve të lira, por të afta për vëzhgim, ruajtje dhe përpunim të të dhënave.

Mbështetur në të dhënat e fundit, “Dahua” dhe HikVision” janë të pranishme me shitje ndërkombëtare për agjencitë qeveritare dhe kompanitë private, në 200 vende, përfshirë Kosovën. Referuar shifrave, rrjeti i kamerave të vëzhgimit në Kosovë është në total 3 mijë e 359. Prej tyre 873 i takojnë “Dahuas” kurse 2 mijë e 942 janë “HiKvision”.

Ky shpërthim teknologjik, ka ngritur shqetësime për sigurinë e qytetarëve për shkak të rrezikut që të dhënat e tyre, të bien në duart e palëve që kanë qëllime destruktive.

Veprimet e ndërmarra nga autoritetet e Kosovës, pas sugjerimeve dhe kërkesave të aleatëve perëndimorë kryesisht ShBA-së, për t’i shmangur pajisjet kineze, deri më tani kanë rezultuar të pamjaftueshme. Kamerat kineze janë të instaluara në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Kushdo që kalon afër objektit kryesor të qeverisë në sheshin kryesor të Prishtinës dhe kur futet brenda tij vëzhgohet nga kamerat që janë prodhim kinez. “Dahua” dhe “HikVision” janë kompanitë të cilat mbikëqyrin objektin e qeverisë por edhe të institucioneve tjera. Të dy këto kompani janë në listën e zezë të SHBA-së.

Kamerat kineze brenda institucioneve 

Ministria e Administratës Publike që tani është integruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme më 20 nëntor 2019 kishte nënshkruar kontratë me grupin e operatorëve ekonomikë “Enteri ShPK dhe “Artech” N.Sh, për mirëmbajtjen e pajisjeve të sigurisë dhe kamerave. Mbështetur në dosjen e tenderit, e cila i është vënë në dispozicion “Sbunkerit” mbi bazën e kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, kamera të tilla janë vendosur në objektin kryesor të qeverisë, objektin Rilindja, Ministrinë e Punëve të jashtme, Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Dosja përshkruan edhe specifikat e kamerave. Kamerat “Starlight HDCVI”- Dahua paraqet një imazh me cilësi të lartë me detaje të pasura edhe në kushte ekstreme me dritë të ulët.

“Performanca e saj superiore e imazhit dhe veçoria e dritës së yjeve e bëjnë kamerën një zgjedhje ideale për biznese dhe projekte të përmasave të mesme dhe të mëdha ku nevojiten si mbikëqyrje shumë e besueshme, ashtu edhe fleksibilitet ndërtimi”, është përshkrimi që u bëhet këtyre kamerave.

Zbulimi i fytyrës [facial recognition system] është një teknologji tipike që përdoret në këto kamera, e të cilat janë pjesë e kontratës.

Përfundimi i kontratës parashihet më 19 nëntor 2022.

Por, sipas asaj që kanë thënë zyrtarët e qeverisë, implementimi i saj është pezulluar pas ngritjes së shqetësimeve se kamerat që i takojnë prodhuesit “Dahua” përbëjnë kërcënim për sigurinë e institucioneve dhe qytetarëve.

“Bëhet fjalë për kontrata të nënshkruara nga qeveritë e kaluara. Ne jemi duke i trajtuar ato sikurse dhe aspektin e sigurisë së produkteve që ato ofrojnë. Ndërkohë kemi ndalur instalimin e mëtejmë të këtyre pajisjeve nga këto kontrata në objektet qeveritare”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu. Sipas tij, aktualisht MPB-ja është në proces të hartimit të rregullores që ndër të tjera përcakton më detajisht kriteret për kontrata të ardhshme për furnizim me pajisje të ngjashme. Në MPB kanë konfirmuar se janë duke punuar që ky lloj i kamerave të mos instalohet nëpër institucione.

“Sa i përket trajtimit të kësaj çështjeje, është duke u punuar në këtë drejtim nga organet kompetente të sigurisë që të mos instalohen me produktet e këtyre dy brendeve në institucionet qendrore qeveritare”, kanë thënë nga kjo ministri. Sipas tyre, në shumë institucione qendrore dhe lokale janë të vendosura këto dy lloje të kamerave.

“Por prokurimi dhe vendosja e tyre ka ndodhur në kohën kur produktet e këtyre dy brendeve nuk kanë qenë në listën e zezë të sanksionuar nga Qeveria e SHBA-së. Kontratat e lidhura për blerjen e tyre janë si rrjedhojë e procedurave të prokurimit të zhvilluara nga MAP-i, tani MPB”, kanë deklaruar nga MPB. Të pyetur rreth sigurisë së kamerave, ata kanë sqaruar se monitorimi bëhet vetëm nga personat e autorizuar. “Sistemi kamerave të instaluara në objekte Qeveritare janë sisteme vëzhgimi  të kyçura në rrjet të mbyllur duke mos pasur qasje në internet dhe monitorimi i tyre bëhet vetëm nga personeli i autorizuar -DOSPK-policia  në dhomën e monitorimit”, kanë deklaruar nga MPB-ja. Ata kanë shtuar se janë duke punuar për ta rregulluar infrastrukturën ligjore për shërbimin- furnizim dhe montim me kamera për institucionet shtetërore.

Në anën tjetër, kompanitë që kanë furnizuar institucionet me kamera të tilla nuk janë deklaruar lidhur me këtë çështje.

Image

Kamerat e tilla përdoren në shumë qytete të botës dhe konsiderohen thelbësore për parandalimin e krimit, si dhe rrjetëzimin e mjediseve urbane përmes ndërtimit të “qyteteve të mençura”. Së fundmi, Huaëei ka instaluar në 60 vende kryesore të Beogradit gati 1000 kamera HD të cilat përdorin programe kompjuterike të njohjes së fytyrave dhe targave të makinës por gjithashtu sisteme të menaxhimit të videove. Gjithashtu janë bërë plane së bashku me Huaëei-n për një qendër të dhënash në qytetin e Kragujevcit.

Ashtu si kompanitë e tjera të teknologjisë kineze të profilit të lartë, “Hikvision” është përballur me një kontroll të rreptë vitet e fundit.

Kjo kompani ishte futur në listën e zezë të SHBA-së në vitin 2019 së bashku me shtatë gjigantë të tjerë të teknologjisë kineze, duke ua kufizuar tregtinë me kompanitë amerikane.

Shqetësimet kryesore në Uashington dhe vendet tjera kanë të bëjnë me sigurinë e dobët kibernetike dhe të dhënat e sigurisë që ofron ky prodhues; statusi si ndërmarrje shtetërore kineze, ndryshe e njohur si kampion kombëtar në marrjen e subvencioneve, ka pjesëmarrje të madhe në mbikëqyrjen masive kineze; si dhe u shet pajisje regjimeve represive.

Ekspozimi i karakteristikave biometrike

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) është institucion i pavarur, përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kjo agjenci ka trajtuar edhe aspektet e sigurisë së kamerave të vendosura nëpër institucione. Përmes një përgjigjeje me shkrim lidhur me hulumtimin AIP kanë thënë se gjatë kryerjes së inspektimeve deri tash nuk është vërejtur ndonjë çështje shqetësuese sa i përket sistemit të vëzhgimit me kamera në institucione. “Ato kryesisht kërkojnë këshilla nga AIP se si të rregullojnë mbikëqyrjen nga ky sistem veçanërisht për kriteret dhe masat që duhet të përmbushen për përpunimin e të dhënave personale përmes instalimit të sistemit të vëzhgimit me kamerë”, thonë nga kjo agjenci.

Kamerat “Dahua” dhe HikVision”, që kanë teknologji të identifikimit të fytyrës dhe teknologji tjera të bazuara në inteligjencën financiare, sipas AIP-ut, janë trajtuar në takimet koordinuese mes institucioneve.

Përfaqësuesit e AIP-së kanë dhënë informacionet e duhura rreth kritereve, masave legjislative dhe administrative që duhet të plotësohen lidhur me përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë. Konstatimi që ka dalë prej këtyre takimeve, sipas AIP-ut, është se, përdorimi i pajisjeve që mundësojnë identifikimin e personave përmes karakteristikave biometrike (tipareve të fytyrës) në parim është i ndaluar dhe jo proporcional me qëllimin e vendosjes për një përpunim, “pasi kjo konsiderohet përpunim i karakteristikave biometrike ku ligji ka përcaktuar masat, kriteret se kur një përpunim biometrik i të dhënave personale mund të bëhet, për cilat qëllime dhe në bazë të të cilave kritere lejohet një përpunim i tillë”.

Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përcakton se personat në sektorin publik dhe privat mund të instalojnë sistemet e vëzhgimit me kamerë për vëzhgimin e ndërtesave të tyre nëse konsiderohet e nevojshme për sigurinë e njerëzve dhe sigurimin e pasurisë. “Në këtë kuptim institucionet publike përfshirë edhe shkollat mund të vendosin sistemin e vëzhgimit me kamerë kur kjo kërkohet për qëllim të sigurisë së njerëzve dhe sigurimin e pasurisë së tyre që ata posedojnë”, thonë nga AIP.

Mungesa e kontrollit

Në kuadër të qeverisë funksionojnë edhe mekanizma të tjerë që mbikëqyrin mallrat e importuara. Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është Departamenti për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike, që si fushëveprim ka kontrollin e  eksportit, importit, transitit, mallrat ushtarake, teknologjitë dhe shërbimet e ndërlidhura për sigurimin e interesave kombëtare të Kosovës. Për përmbushjen e detyrimeve ligjore, ky departament kërkon informacione nga institucionet tjera shtetërore, përfshirë edhe informacione të klasifikuara, në funksion të ushtrimit të kontrollit të tregtisë me mallra strategjike. Ata kanë thënë se nuk kontrollojnë importin apo eksportin e kamerave, përderisa nuk hyjnë në listën e mallrave me përdorim të dyfishtë apo atyre të mallrave ushtarake, konform klasifikimeve dhe specifikave teknike të përcaktuara. Sipas tyre, pajisjet të cilat hyjnë në këto lista i nënshtrohen procedurave të licencimit. “Ne rastin konkret këto kamera (“Dahua” dhe “HikVision”) nuk i nënshtrohen procedurave të licencimit nga ana e Departamentit”, thonë ata. “Kosova nuk ka ndalesa për këto mallra, nëse referoheni në vendimin e datës 23.02.2021 lidhur me zbatimin e sanksioneve ekonomike ndërkombëtare ndaj etniteteve dhe personave fizikë që përcaktohen  sipas listave të sanksioneve të vendosura nga OKB-ja, BE-ja  dhe SHBA-ja”.

Sipas kësaj ministrie, SHBA-ja kontrollon eksportet e teknologjisë së ndjeshme, por jo importet. “Kështu që kjo teknologji nuk do të mbulohej nga AER nëse do të importohej në SHBA”. Lidhur me sanksionet që ShBA-të kanë vënë ndaj këtyre prodhuesve të kamerave, sipas interpretimit të MINT-ës, ligji amerikan ka të bëjë kryesisht me teknologjinë e ndjeshme që përdoren kundër interesave të sigurisë amerikane.

Por në shumë raste, zyrtarët amerikanë e kanë ndërlidhur sigurinë kombëtare edhe me rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Edhe mekanizmat e sigurisë që Kosova i ka ngritur që prej shpalljes së pavarësisë janë bërë me kontributin dhe ndihmën financiare të ShBA-ve.

Ligji për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare përcakton masa edhe në fushën ekonomike, kur një produkt i caktuar përbën kërcënim. Sanksionet ekonomike parashohin “kufizime në import, eksport, ri-eksport dhe transit, duke përfshirë ndërmjetësimin e mallrave për nevoja të qytetarëve, artikuj me destinim të dyfishtë, pajisje ushtarake, shërbime dhe teknologji, kufizime në tregti me entitetet ndaj të cilave zbatohen sanksionet ndërkombëtare”.

Kamerat ilegale nga Serbia

Duke shfrytëzuar partneritetin me Serbinë, nuk kanë munguar tentativat kineze për ta shtrirë ndikimin edhe në Kosovë, veçmas në lokalitetet e populluara me shumicë serbe. Keshtu, fundvitin e kaluar është raportuar se Beogradi përmes të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë dhe autoriteteve komunale paralele- të cilat nuk i njeh Prishtina zyrtare, ka futur kamera kineze në Kosovë.

Marrëveshja është nënshkruar më 16 dhjetor 2021, për të blerë teknologjinë Dahua me vlerë prej 39 mijë euro nëpërmjet kompanisë- “Neva Company 2020”, e cila është në regjistrin e bizneseve në Serbi, me filial edhe në Ranillug. Por një kompani e tillë nuk figuron në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë. Zyrtarë të kompanisë nuk kanë dhënë sqarime në pyetjet që u janë dërguar.

Sipas dokumenteve të publikuara, aty specifikohet blerja e 196 kamerave të vogla vëzhgimi të njohura si “kamera plumbash”, 30 hard disqe, 30 regjistrues DVR dhe 9000 metra kabllo.
Dogana e Kosovës, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka ofruar përgjigje nëse këto pajisje u janë nënshtruar kontrolleve dhe procedurave përkatëse kufitare.

Zyrtarë të Komunës për të cilën është përmendur se janë dedikuar këto pajisje, dhe e cila punon me sistem të Kosovës, thonë se nuk janë në dijeni për vendosjen e tyre. Përmes një përgjigje me shkrim, zyra për informim e Ranillugut ka thënë se “nuk i ka prokuruar këto pajisje, nuk ka bashkëpunuar me ndonjë kompani që ka të bëjë me prokurimin e këtyre pajisjeve dhe as nuk ka njohuri për prokurimin e këtyre pajisjeve”. Më tutje ata kanë shtuar se “komuna e Ranillugut nuk e ka në regjistrin e saj të biznesit kompaninë e përmendur ‘Neva Company’. Komuna e Ranillugut ka kamerat e veta vëzhguese, të cilat nuk kanë teknologji për njohjen e fytyrës dhe janë në përdorim prej katër vitesh”.

Ndërkaq më 7 korrik, me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Policia e Kosovës ndërmori aksion për sekuestrimin e kamerave të sigurisë të vendosura nga strukturat ilegale serbe në Komunën e Shtërpcës. Me këtë rast, u konfiskuan dokumente e gjësendeve që janë në objektin e komunës së strukturave ilegale dhe në tri lokacione të tjera përfshirë rrugë publike, ku dyshohet se janë të vendosura pajisjet për monitorim të kamerave të sigurisë.

Në anë tjetër, Serbia vazhdon ta nxisë zhvillimin teknologjik duke bashkëpunuar me kompanitë kineze, me gjithë presionin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Partneriteti serbo-kinez zhvillohet në kuadër të kornizës që njihet si Rruga e Mëndafshtë Digjitale. Iniciativa kineze ka për synim forcimin e lidhjeve ndërkombëtare në fushën e telekomunikimeve, që kryesisht bazohet në ndërtimin e kabllove optike ndërkufitare si dhe përmirësimeve e hapësirave satelitore të informacionit në funksion të zgjerimit dhe bashkëpunimet me vendet aleate. Aspekt i rëndësishëm në kuadër të saj është edhe ofrimi i shërbimeve 5G.

Kosova është refuzuese ndaj këtyre shërbimeve për shkak të rreshtimit krah ShBA-ve.

Obligimet derivojnë edhe nga marrëveshja e zotimeve me ShBA-të e nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020.

Ndërkaq më 23 tetor të vitit 2020, Kosova nënshkroi Memorandumin e Bashkëpunimit me ShBA-të, lidhur me sigurinë për 5G. Ky ishte një hap i madh drejt rritjes së sigurisë, pasi Kosova merr përsipër obligimet e veta shtetërore në këtë fushë për të qenë krahë partnerëve strategjikë.

Kësisoj, në Kosovë më nuk ka përdorim të pajisjeve 5G që sigurohen nga shitës të pabesueshëm. Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organi më kompetent në fushën e komunikimeve elektronike. Edhe Zyrtarë të këtij institucioni kanë thënë se Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, nga shitës të pabesueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit.

Sa i përket marrëveshjeve me shtetet e rajonit, Kosova ka të nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për Krijimin e Korridorit Digjital 5G, dhe Lehtësimin e Lëvizjes në të Ardhmen me Shqipërinë.

Referuar gjendjes aktuale me këto shërbime, pa lëvizur edhe vendet e rajonit drejt nënshkrimit të të këtij Memorandumi, nuk mund të integrohen në plotni sistemet digjitale të cilat do të kontribuonin në rritjen e sigurisë në këtë fushë.

Rritja e importit kinez

Ndikimi kinez nuk kufizohet vetëm në pajisjet teknologjike. Kina vazhdon të jenë ndër eksportueset më të mëdha, të cilat prekin kryesisht fushën ekonomike. Agjencia e statistikave të Kosovës (ASK) është institucioni që publikon të dhënat për Importin dhe Eksportin e Kosovës që nga viti 2001, por si të dhëna të besueshme konsiderohen nga viti 2005. Publikimi për Tregtinë e Jashtme është i bazuar në të dhënat e Shërbimit Doganor të Kosovë. Në raportin e fundit të publikuar më 2021, vërehet rritje e importeve nga Kina. Derisa në tetor të vitit 2020 vlera e importit nga Kina ishte 34.396 milion euro, në periudhën e njëjtë të vitit 2021, kjo vlerë u ngrit në 46 milion euro.

Image

“Eksportet e Kosovës me vendet tjera arritën në 25,6 milion euro, ose (35.3%). Si partner më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport vlen të përmendën: SHBA (20.3%), dhe Zvicra (8.4%). Ndërsa importet e Kosovës me vendet tjera arritën në 162,3 milion euro, ose (37.9%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.0%) dhe Kina (10.7%)”, thotë raporti.

Ndërsa Kina vazhdon të zgjerohet ekonomikisht megjithë mungesën e një ekonomie të tregut të lirë dhe qasjen shtypëse ndaj ujgurëve, Kosova duhet të jetë më e kujdesshme në politikat dhe raportet tregtare të cilat i kultivon me shtetin aziatik.

Repost, Partner Disklejmer, baner, disclaimer, disinfohub, partner

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button