Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka zgjedhur kontraktor për t’i pastruar mbetjet e Spitalit Modular në Tetovë

Ka kaluar një vit nga tragjedia e zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën14 persona, ndërsa objekti i djegur nuk është larguar ende. Autoritetet shëndetësore për Portalb.mk thonë se po përzgjidhet kontraktori për të njëjtën, pa dhënë datë konkrete se kur. 

Ky objekt tani më është shndërruar në një makth i cili ngjall kujtime të trishta, ndërkaq i njëjti nuk është larguar ende nga aty, edhe pse hetimet për të njëjtin anë mbaruar.

Ministria e Shëndetësisë pa precizuar se kur do të largohet ky objekt për Portalb.mk u deklarua kështu:

“Spitali i Tetovës është në proces të përzgjedhjes së kontraktorit për largimin e mbetjeve të spitalit modular.”

Të pyetur për atë se kur do të përfundojë kjo procedurë thanë se nuk e dinë ende, pasi theksuan se nuk duan të japin një datë dhe më pas mos të bëhet në të njëjtën.

Ndryshe, gjykimi për këtë rast filloi fiks sot para një muaji, por seanaca u shty për me 14 tetor pasi në seancë munguan ish-drejtori ekonomik i spitalit- Artan Etemi dhe përgjegjësi i qendrës për Kovid- Boban Vuçevski. Në seancë i pranishëm ishte vetëm ish-drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi. Nga spitali i Tetovës si person juridik nuk pati përfaqësues, kishin dërguar përfaqësues të autorizuar. Rastin e udhëheq gjykatësi Jordan Velкovski dhe mban numrin K450/22.

Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen në bazë të nenit 292, në lidhje me nenin 288 nga Kodi Penal për vepër që dëmton sigurinë e përgjithshme.

Boban Vuçevski akuzohet në bazë të nenit 206 për veprën penale – mosveprim në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohën e epidemisë.

ISHP Spitali klinik Tetovë akuzohet për rrezikim të sigurisë së përgjithshme dhe mosveprim në përputhje me rekomandimet në kohën e epidemisë.

Për veprat në fjalë, sipas Kodit Penal, personat e dyshuar nëse shpallen fajtorë, mund të marrin dënime deri në 5 vjet burgim.

Deri më tani për zjarrin janë kryer katër ekspertiza.

E para është realizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka konstatuar se kontakt i shkurtë i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti e ka djegur një kabllo shtesë, pas çka ka shpërthyer zjarri.

E dyta është e Fakultetit të Teknologjisë, për të cilën nuk ka detaje për gjetjet.

E treta është bërë nga një elektro-inxhinier për instalimet në spital.

E katërta nga ekspertiza gjermane, ku prokuroria ka thënë se e nuk ndryshon shumë nga konstatimet e ekspertëve të Sektorit për Kontrolle Ekspertiza Kriminalistikë (SKEK).

Sipas informacioneve, gjatë procedurës para-hetimore, për të dhënë dëshmitë e tyre para prokurorëve të lëndës, u thirrën mbi 30 mjekë dhe infermiere, të cilët kanë qenë të angazhuar në Kovid-qendrën e Tetovës natën kur ndodhi rasti. Janë dëgjuar edhe dëshmitarë okularë dhe familjarë.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button