UT, studentët e filluan edhe këtë vit akademik pa konviktin studentor pasi MASH ende nuk e ka mobiluar

Studentët e Universitetit të Tetovës edhe këtë vit akademik e filluan pa konviktin studentor, pavarësisht se studentët e rajonit dhe qyteteve tjera që studiojnë në këtë universitet kanë nevojë të madhe. Punimet ndërtimore për të njëjtin kanë përfunduar, ndërsa në procedurë është pjesa e mobilimit. Autoritetet vazhdimisht kanë zgjatur afatet kohore për këtë konvikt. Sot, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nuk ka përgjigje se kur ky konvikt, i cili premtohet prej vitit 2016-të, do jetë gati, shkruan Portalb.mk.

Mungesa e konviktit studentor tani e disa vite është problem për shumë studentë nga qytete dhe shtete tjera të cilët studiojnë në Universitetin e Tetovës. Sipas tyre, gjetja e akomodimit privat nuk është e thjeshtë ndërsa çmimet e banesave private janë të shtrenjta, kurse mbulimi i harxhimeve është i papërballueshëm për një student, sidomos me rritjen e çmimeve kohëve të fundit. Ndërsa gjetja e një apo më shumë kolegu për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.

Autoritetet kanë shkelur afatet e realizimit dhe vazhdimisht kanë premtuar afate të reja të përfundimit të projektit por pa rezultat përfundimtar deri më sot, kur këtë jave edhe filloi viti i ri akademik 2022/23.

Universiteti i Tetovës për Portalb.mk theksoi se ky konvikt  është investim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe se i njëjti menaxhohet nga ky dikaster.

“Universiteti i Tetovës ka marrë për sipër ta realizojë kyçjen e ujit dhe kanalizimin. Për kryerjen e këtyre punimeve, Universiteti ynë së shpejti do t’i fillojë procedurat e prokurimit publik. Në dijeninë tonë godina është në fazën përfundimtare të mobilimit, por për informata zyrtare për fillimin e funksionimit, përkatësisht pranimin e studentëve, ju lutemi drejtohuni te MASH si institucion kompetent”, thanë nga Universiteti i Tetovës.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk tregojnë se kur konkretisht ky konvikt do të jetë gati për tu lëshuar në përdorim të studentëve.

“Konvikti studentor në Tetovë është tërësisht i ndërtuar, gjegjësisht kanë përfunduar të gjitha aktivitetet ndërtimore, mbetet procesi i mobilimit. Më pas do të vihet në dispozicion të studentëve, për të cilin do të shpallet konkurs për akomodim”, thanë nga MASH.

Ndërtimi i shtëpisë studentore në Tetovë është investim me vlerë prej 166,5 milionë denarëve, objekti do të ketë 305 krevate.

Përveç dhomave të fjetjes, në këtë shtëpi studentore është paraparë të ketë edhe dhomë teknologjike, leximore, sallë ku studentët do të mund të ushtrojnë fitnes, hapësirë për meze, etj.

I njëjti premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti.

Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Më pas, ish zëvendësministri i Arsimit, Arafat Shabani, tha se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, por edhe kjo nuk u bë.

Ndërsa në fillim të këtij viti, ministri Shaqiri deklaroi se pritet të jetë gati për këtë semestër i cili filloi në tetor, që edhe kjo nuk u bë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button