Kur mjetet e demokracisë përdoren për të instaluar hegjemoni

Putin organizoi referendume në disa pjesë të okupuara të Ukrainës të cilat përmes këtyre referendumeve i aneksoi dhe i shpalli pjesë të territorit të shtetit rus. Pasi ky aneksim u dënua ashpër nga të gjitha shtetet normale në botë dhe nga të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare, Putin shpalli se territoret në fjalë tani më janë pjesë e Rusisë dhe në rast të sulmit, Rusia do të mbrohet me të gjitha mjetet duke përfshirë këtu edhe armët nukleare. I gjithë ky proces është një shembull shkollor që tregon se edhe në shekullin XXI ka ende vende që ushtrojnë hegjemoni ndaj vendeve tjera duke përdorur dhunë dhe duke u kërcënuar me përdorim edhe më të madh, edhe më të gjerë të dhunës.

Pjesa më e madhe e shteteve në botë i dënuan ashpër këto referendume të rrejshme që u mbajtën në pjesë të ndryshme të Ukrainës me qëllim që të legalizohet aneksimi i këtyre tetritoreve nga ana e Rusisë. Sekretari Gjeneral i OKB, Antonio Guteres deklaroi që këto referendume paraqesin shkelje të Kartës së OKB për shkak se aneksimi i territorit të shtetit të huaj përmes përdorimit të forcës është i ndaluar dhe këto referenume nuk mund të konsiderohen se e kanë marë parasysh vullnetin e lirë të popullit. Të mos harrojmë, që për shkak të luftës që zhvillohet në këto territore që në fillim të këtij viti, pjesa më e madhe e popullatës është larguar nga këto vendbanime ku tani u organizuan këto referendume të rrejshme. Sekretari general i NATO-s, Jens Stoltenberg poashtu i quajti këto referendume të rrejshme si dhe eskalim të luftës së Putinit. OSCE i quajti referendumet të paligjshme dhe deklaroi se të njejtat janë të papranueshme si me të drejtën nacionale të Ukrainës ashtu edhe me të drejtën ndërkombltare. Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si Human Rights Watch dhe Amnesty International këto referendum i konsideruan si shkelje të rënda të të drejtave të qytetarëve që jetojnë në këto vende. Asnjë shtet në botë nuk tregoi përkrahje për këto referendume dhe as që e njohu aneksimin e këtillë të dhunshëm të territorit të Ukrainës.

Ajo që e bën rstin e referendumeve të rrejshme ende më të papranueshëm dhe të neveritshëm është shfrytëzimi i mjeteve fundamentale të demkoracisë për të realizuar procese skajshmërisht jodemokratike dhe tërësisht hegjemonike. Referendumi është instituti më demokratik që eksiston, përmes të cilit qytetarët e shprehin lirshëm vullnetin e tyre lidhur me një çështje. Referendumi është institut i demokracisë së drejtpërdrejtë, sepse nuk ka asgjë më direkte se shprehja e vullnetit të lirë përmes votës së secilit qytetar. Demokracitë parlamentare funksionojnë përmes procesit të delegimit të pushtetit, ku gjatë proceseve zgjedhore, qytetarët e delegojnë pushtetin tek strukturat politike të cilat pastaj udhëheqin me shtetin. Për raste esencialisht të rëndësishme, si për shembull ndarja nga një shtet dhe bashkimi me një shtet tjetër, por edhe për raste tjera që nuk e kanë këtë rëndësi dramatike për shtetin, është ruajtur e drejta e qytetarëve të inicohet referendum dhe të dëgjohet vullneti i lirë i qytetarëve i shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe jo përmes delagatëve apo deputetëve. Pra referendum si institute paraqet kulmin e demokracisë. Të përdorish instrumentin më esencial demokratik për të legalizuar aneksimin me dhunë të territorit të një shteti të pavarur, është pëqeshje e demokracisë përmes instalimin të hegjemonisë me mjete “demokratike”. Qëllimi i Putinit në këtë rast nuk është vetëm aneksimi i territorit ukrainas por mbi të gjitha, qëllimi i tij është përqeshja e institutive demokratike që janë esenca e liberalizmit perëndimor. Putin ka kohë që i ka shpallur luftë sistemit të vlerave liberale perëndimore, dhe ai këtë nuk e fsheh. Kjo është e dukshme në veprimet e tij, por edhe në fjalët e tij. Mjafton të dëgjohet fjalimi i tij në ceremoninë e njohjes së rezultateve të këtyre referendumeve të turpshme dhe shpalljes së aneksimit të këtyre territoreve përmes festimeve në Kremlin.

Bota është duke u përballur me turbulenca të mëdha, ndoshta më të mëdhatë pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe atëherë, lufta është zhvilluar mes sistemit demokratik liberal dhe sistemit hegjemonik që konsideron se shteti është i lirë të veprojë si të dojë me qytetarët e vetë, bile edhe ti torturojë dhe ti vrasë ata. Kjo luftë e përhershme mes demokracisë dhe hegjemonisë duket sikur asnjëherë nuk do të mbarojë. Por fakti që asnjë shtet në botë haptazi nuk e përkrahu atë që bëri Putini përmes këtyre referendumeve të rrejshme jep shpresë se megjithatë, normaliteti do të rikthehet një ditë dhe demokracia do të mund të funksionojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button