Putin pret “stabilizimin” e situatës pas humbjeve në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se pret të “stabilizohet” situata në rajonet ukrainase, që ai pretendon se i ka aneksuar, pasi ushtria ruse është përballur me ngecje dhe ka humbur kontrollin e disa qyteteve kyçe në Ukrainë, transmeton Portalb.mk nga REL.

Më herët, Ukraina pretendoi fitore të reja ndaj forcave ruse në rajonin lindor të Luhanskut, teksa Kremlini u zotua se do të rimarrë territorin e humbur në kundërofensivën ruse.

Sot, Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar edhe zyrtarisht dokumentet për aneksim të katër rajoneve ukrainase, Donjek, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja. Rajone këto që kontrollohen pjesërisht nga forcat ruse, prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë në fund të muajit shkurt.

Në këto rajone u mbajtën referendume të rreme. Putin tha se të ashtuquajturat referendume kanë qenë “absolutisht transparente”. Referendumet e rreme janë dënuar nga liderët botërorë, teksa ka pasur edhe raportime se ukrainasit janë detyruar që të marrin pjesë në to.

Vendimi i Putinit për aneksim të territoreve është konsideruar shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se Uashingtoni “nuk do t’i njohë kurrë territoret e Ukrainës, si diçka tjetër përveç si Ukrainë”.

Kujtojmë që Ukraina ka paraqitur zyrtarisht kërkesën e saj për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s të premten e kaluar (30 shtator).

Sekretari i përgjthshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në lidhje me aplikimin e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO,  deklaroi se “çdo vendim për anëtarësimin duhet të merret me konsensus dhe të 30 aleatët duhet të bien dakord për të marrë një vendim të tillë”.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell lidhur me kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO ka thënë se “Nuk është një çështje themelore për momentin”.

Presidentët e vendeve anëtare të NATO-s të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë dalë me një deklaratë të përbashkët mbi përpjekjet ruse për të aneksuar ilegalisht territoret e Ukrainës, pjesë e kësaj deklarate është edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button