Mariçiq nga Strasburgu: Jemi të përkushtuar ndaj negociatave, nevojitet konsensus kombëtar në vend

“Për 17 vite Maqedonia e Veriut ka pritur fillimin e negociatave me Bashkimin, tani duhet të ketë një konsensus kombëtar dhe do të përcaktojmë mekanizmat që të gjithë deputetët të përfshihen në proces. Duhet të përfitojmë nga ky moment historik për të përmbushur qëllimin strategjik që Maqedonia e Veriut të jetë anëtare e BE-së. Kështu u shpreh zëvendës-kryeministri i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq para anëtarëve të Komisionit të Përbashkët Parlamentar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, në Strasburg në mbajtjen e takimit të 20-të të Komitetit të Përbashkët Parlamentar ndërmjet RMV-së dhe BE-së, i pari që kur vendi filloi bisedimet me Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Në Parlamentin Evropian, Mariçiq iu drejtua temës: “Shkëmbimi i mendimeve me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian për marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. “, në të cilën ai theksoi se Parlamenti do të jetë një partner kryesor në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, nga i cili do të varet dinamika e rrjedhës së negociatave, veçanërisht nga roli dhe veprimtaria e organeve të tij, Komisioni për Çështje Evropiane dhe Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian.

Në fjalën e tij, Mariçiq prezantoi strukturën e re të miratuar të negociatave, e cila është përcaktuar për t’iu përgjigjur metodologjisë së re dhe në të njëjtën kohë për të mundësuar transparencë dhe gjithëpërfshirje të procesit.

Deputetja Sonja Mirakovska, bashkë-kryetare e Komisionit të Përbashkët Parlamentar Maqedoni e Veriut-BE, theksoi se negociatat për anëtarësim nuk janë operacion i thjeshtë teknik, por një paketë komplekse reformash, përshtatje e infrastrukturës institucionale dhe aktivitet i zgjeruar i informimit të publikut për avantazhet e zbatimit të tyre.

Eurodeputeti Andreas Schieder në fjalën e tij hyrëse nënvizoi se se besueshmëria e BE-së u konfirmua me fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe se angazhimi dhe përkushtimi për integrimin evropian të vendit u materializua me meritë, por tani që pala më e rëndësishme dialogu dhe konsensusi ndërpartiak, i cili mund të avancohet në kuadër të aktiviteteve të dialogut “Jean Monet”.

Mikela Matuela, ushtruese e detyrës së drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin e Bashkimit, tha se me fillimin e negociatave, marrëdhëniet mes Maqedonia e Veriut dhe BE-ja hyjnë në një fazë të re, dhe procesi i skriningut nuk është vetëm teknik, por një proces transformimi.

Raportuesi i përhershëm për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyçyk, tregoi se procesi i negociatave është në duar të sigurta dhe se Maqedonia e Veriut meriton të gjitha lavdërimet për përkushtimin e saj ndaj integrimeve evropiane, bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut javën e ardhshme do të pres Raportin e Komisionit Evropian.

“Presim Raport pozitiv i cili do të jetë padyshim udhërrëfyes për reformat dhe aktivitetet e radhës, me të gjitha notat e mira dhe më pak të mira. Ky do të jetë Raporti i parë nga fillimi i negociatave dhe nuk pres të ketë ndonjë surprizë”, deklaroi zëvendëskryeministri Mariçiq.

Raporti i vitit 2021 i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut nuk kishte “lëvdata” të mëdha krahasuar me atë të vitit të kaluar. Sidomos kjo, kur dihet se vendi ka miratuar disa dokumente që pritej të reflektonin në këtë raport. Ndër to është edhe dokumenti “Agjenda: Evropa në shtëpi”, i përmendur sipërfaqësisht edhe në raport, i cili përveç që nuk po zbatohet sipas planit të paraparë, nuk ka pothuajse aspak transparencë për zbatimitn e tij. Sidoqoftë, në shumicën e fushave, Maqedonia e Veriut vlerësohet si e përgatitur mesatarisht, ashtu edhe si vitin e kaluar, por pa ndonjë dallim që do të na linte “gojë-hapur”. Portalb.mk, ju sjell një krahasim më të thukët midis raporteve të vitit 2021 dhe atij të vitit 2020.

Ndryshe, nga data 15 deri më 27 shtator, në Bruksel në kuadër të procesit të skriningut RMV-BE u mbajtën takime për fushat dhe kapitujt e grupit të të Drejtave themelore, ku Komisioni Evropian prezanton legjislacionin e tij për këto fusha.

Prej 11 nëntori deri më 9 dhjetor të këtij viti, do vazhdojë faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button