Edhe Mavrova të lirohet nga hidrocentralet e vogla, apelon “Eko Vetëdije”

Shfuqizimi i koncesioneve për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në Parkun nacional “Mali Sharr” duhet të vazhdojë edhe në “Mavrovë”, apelojnë nga organizata civile “Eko Vetëdije”. Ekologët e kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë dhe angazhimin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për shfuqizimin e marrëveshjeve me koncesionerët për shtatë hidrocentrale të vogla në Sharr, por vlerësojnë se që me të vërtetë të mbrohen lumenjtë dhe biodiversiteti, procesi patjetër duhet të vazhdojë edhe në zonat tjera, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Shfuqizimi i marrëveshjeve për këto objekte energjetike në Mavrovë, vlerësojnë ekologët, do të ishte hapi i parë më i rëndësishëm edhe në drejtimin e procesit për rishpalljen e parkut tonë më të vjetër nacional, në të cilin më shumë se dhjetë vite, si rezultat i menaxhimit jo të qëndrueshëm shkaktohen dëme të mëdha ndaj ekosistemeve, biodiversitetit dhe vlerave të parkut.

“Hidrocentralet e vogla bëjnë dëme të pariparueshme ndaj lumenjve dhe ekosistemeve dhe nuk guxon që të ndërtohen në zonat e mbrojtura, ndërkaq lumenjtë pa pengesa janë një prej elementëve më të rëndësishëm për shëndetin e ekosistemit”, thotë Gjorgji Mitrevski nga “Eko Vetëdije”.

Ai thekson se vendimi i Qeverisë tregon se tanimë nuk ka hapësirë që të injorohen njohuritë shkencore për ndikimin e madh negativ të hidrocentraleve të vogla ndaj zonave të mbrojtura, por thekson se edhe në Parkun Nacional “Mavrovë” ka dhënë koncesione të cilat patjetër duhet që të shfuqizohen sa më shpejtë, që të mundësohet menaxhim i qëndrueshëm dhe integrues me parkun.

Parqet nacionale dhe zonat e mbrojtura janë kyçe për mbrojtjen dhe ruajtjen e llojllojshmërisë biologjike dhe kanë rol të paçmueshëm në mirëmbajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së ujit që e pimë, mbrojtjen e ujërave nëntokësorë dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Kjo und të jetë edhe përmbysje në qasjen tonë ndaj mbrojtjes së natyrës, para se gjithash të lumenjve. Në legjislativin tonë, por edhe nëpërmjet konventave të ratifikuara ndërkombëtare, kemi mekanizma të fuqishme të cilat nëse i zbatojmë në mënyrë të drejtë mund të na ndihmojnë që në tërë vendin të kemi lumenj të pastër dhe të shëndoshë”, thotë drejtorja ekzekutive e “Eko Vetëdije”, Ana ÇoloviqLeshoska.

Bazat për mbrojtjen e lumenjve mund të jenë të ndryshme, nga rëndësia e tyre për komunitetet lokale, rëndësia për mbrojtjen e diversitetit, e deri te unikaliteti i peizazhit që është krijuar ndër shekuj.

Ndryshe, më 4 tetor Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi informacionin lidhur me statusin e Marrëveshjeve koncesionare për hidrocentralet e vogla të vendosura në zonat e mbrojtjes së rreptë dhe të menaxhimit aktiv të Parkut Kombëtar Mali Sharr.

Sipas Projektplanit për Menaxhim me Parkun Kombëtar të prezantuar më 11 tetor të vitit 2021, në të gjithë territorin e Parkut Kombëtar “Mali Sharr” nuk do të lejohen të ndërtohen hidrocentrale të reja, miniera dhe të gërmohen miniera, nuk do të bëhen hulumtime gjeologjike e as instalim të infrastrukturës së gazsjellësit. Në të gjitha zonat e menaxhimit do të ndalohet kultivimi i bimëve dhe kafshëve aloktone (jovendase).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button