EKSODI I FRIKSHËM 

Zyrtarët, që vetëm e konstatojnë gjendjen, thonë se ndërmjet viteve 2011 dhe 2019 janë larguar 700 mijë qytetarë nga Maqedonia e Veriut. Më thjeshtë: për tetë vjet është larguar çdo i katërti banor. Ky trend ka vazhduar edhe më vonë. Pra, kjo shifër është më e madhe.

Për një shtet me më pak se dy milionë banorë, ky është eksod i frikshëm. Një prej eksodeve që i shënon historia.

Historia, që anashkalon edhe ngjarje të rëndësishme, nuk i ka harruar eksodet, që zakonisht kanë ndodhur për shkak të luftërave, urisë, sëmundjeve, gjendjes së pashpresë…

Politikanët që me vite flasin nga agu deri në muzg “për të ardhmen e ndritur dhe të lumtur”, do të kujtohen se si në kohën kur qeverisën u iku populli. Këtë gjëmë mund t’ia bëjnë popullit vetëm politikanët pa ide, pa vizion, pa ndjenjë përgjegjësie, pavarësisht se çfarë thonë për ta lëpirësit.

Nga vendi kanë ikur dhe ikin njerëz të shkolluar dhe punëtorë krahu. Ikin ata që kanë probleme ekzistenciale, por edhe ata që kanë mirëqenie. Ikin të rinjtë sepse nuk besojnë më në institucionet e shtetit. E shohin se këtu janë bërë të parëndësishëm; se nuk mund të dëshmohen; se nuk mund ta shprehin kreativitetin e tyre; se nuk kanë hapësirë për të përparuar nëpërmjet punës që bëjnë; se për fatin e tyre vendosin të paaftët; se ndjehen të pasigurt për të ardhmen e tyre dhe të familjes.

Mund të numërojmë edhe shumë shkaqe tjera që e nxisin eksodin: shkaqe ekonomike, politike, psikologjike. Mund të shkruajmë qindra shkrime për këtë dukuri. Por, nuk mund ta pengojmë eksodin, sepse ne që shqetësohemi nuk kemi asgjë në dorë.

Ne vetëm e dimë se të rinjtë ikin nga vendi, sepse, siç tha një poete, atdheu ka ikur prej tyre, sepse atdheu i ka braktisur, sepse atdheu nuk ka asnjë strategji si ta pengojë largimin e të rinjve.

Ata që largohen e dinë se shkojnë drejt vendeve ku mund të sigurojnë jetë më të mirë, më të qetë, më të dinjitetshme, më pak të trazuar. E dinë se shkojnë drejt vendeve ku ka rend, siguri, funksionim të ligjit. Shkojnë drejt vendeve ku njerëzit nuk kanë nevojë ta dinë as emrin e presidentit.

Ne që jemi këtu, për dallim prej tyre, më nuk e dimë as ku jemi duke shkuar…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button