Të rinjtë nuk janë prioritet i komunave – Ligji për Pjesëmarrje Rinore po zbatohet me vështirësi (Infografik)

Afate të përfunduara dhe komuna të pa interesuara – kështu mund të përshkruhet shkurt zbatimi i Ligjit për Pjesëmarrje Rinore dhe Politika Rinore, shkruan Meta.mk.

Vetëm 12 përqind e komunave në Maqedoninë e Veriut kanë formuar Këshilla rinore lokale, edhe pse me ligj të gjitha komunat ishin të detyruara që një gjë të tillë ta bëjnë deri në muajin janar të vitit të kaluar. Zyra për të rinjtë kanë formuar 11 komuna, ndërsa pjesa më e madhe – 69 përqind, e kanë plotësuar detyrimin ligjor sa i përket përcaktimit të Nëpunësve për të rinjtë.

Qendra rinore, për hapjen e të cilave komunave u mbeten edhe dy vjet, deri më tani kanë hapur vetëm 8 komuna në Maqedoni.

Me sa duket të rinjtë dhe organizatat rinore nuk janë prioritet i institucioneve shtetërore, sepse edhe dy e më shumë vjet pas miratimit të Ligjit një pjesë e madhe e mekanizmave të parapara për pjesëmarrje të të rinjve dhe shërbimeve për të rinjtë nuk janë implementuar ende.

Me iniciativë të Klubit për Çështje dhe Politika Rinore në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vitin 2018 filloi procesi për krijimin e Ligjit për Rininë. Procesi u fillua për herë të dytë, pas tërheqjes paraprake të projektligjit për të rinjtë në vitin 2011. Më 14 janar të vitiT 2020 Kuvendi e miratoi Ligjin, i cili në Maqedoninë e Veriut paraqet zgjidhjen e parë ligjore që garanton pjesëmarrjen e të rinjve dhe njeh të rinjtë dhe format e organizimit të të rinjve.

Ligji për Pjesëmarrje Rinore dhe Politika Rinore parasheh edhe shërbime për të rinjtë, gjegjësisht mekanizma për afrimin e institucioneve më pranë të rinjve dhe për të mundësuar rritjen dhe zhvillimin e tyre. Kështu, në kuadër të ligjit janë definuar edhe Zyra për të rinjtë dhe Qendra rinore, si edhe Nëpunës për të rinjtë dhe Këshilla rinore lokale nëpër komuna.

Sipas Ligjit të miratuar në janar të vitit 2020, brenda një viti pas hyrjes në fuqi të tij komunat duhej të përmbushnin disa detyrime, ndër të cilat është themelimi i Këshillave rinore lokale, hapja e Zyrave për të rinjtë dhe emërimi i Nëpunësve për të rinjtë. Afati i caktuar për përmbushjen e këtyre detyrimeve ka përfunduar më 14 janar të vitit 2021 dhe sot, një vit e gjysmë pas përfundimit të këtij afati pjesa më e madhe e komunave ende nuk i kanë përmbushur detyrimet ligjore. Kjo shihet edhe në Raportin e monitorimit të zbatimit të Ligjit për Pjesëmarrje Rinore dhe Politika Rinore të publikuar nga Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë (KRKM).

Numër i vogël i Zyrave për të rinj dhe Qendrave rinore

Raporti i cili thekson zbatimin e vonuar të detyrimeve ligjore tregon se Strategji lokale për të rinjtë deri më tani kanë miratuar vetëm 14 përqind e komunave.

Strategjia lokale për të rinjtë është një dokument strategjik me të cilin në pajtim me Strategjinë kombëtare për të rinjtë definohen qëllimet dhe prioritetet afatmesme për zhvillimin e politikave rinore dhe promovimin e interesave të të rinjve në nivel lokal, si dhe i përcakton masat organizative, financiare dhe administrative për realizimin e tyre. Strategjia për të rinjtë paraqet një bazë për zhvillimin e politikave lokale rinore të komunës në pesë vitet pas miratimit të saj. Kjo strategji është miratuar nga 11 komuna – Bogovina, Velesi, Gostivari, Ilindeni, Kërçova, Koçani, Kriva Pallanka, Krusheva, Llozova, Strumica dhe Çairi. Ndërkohë që Plan aksionar për realizim kanë sjellë vetëm 6 komuna.

Sipas Ligjit të gjitha komunat kanë obligimin të hapin Zyra për të rinjtë të cilat do paraqesin pikën e parë të qasjes të të rinjve në rrafsh lokal. Aty mund të drejtohen të gjithë të rinjtë në komunë dhe të informohen për çështje të kanë të bëjnë me të rinjtë.

Por, edhe pas përfundimit të afatit ligjor Zyra për të rinjtë kanë hapur vetëm 14 përqind e komunave në vend, ndërkohë që procesi i hapjes ka filluar në vetëm një komunë. Në pjesën më të madhe të komunave as që ka paralajmërim për hapjen e një zyre të tillë.

Infografik: Meta.mk

Gjendja është e ngjashme edhe me Qendrat rinore hapjen e të cilave komunat duhet ta bëjnë brenda pesë viteve nga dita e miratimit të ligjit. Tani, nga gjysma e këtij afati, Qendra rinore kanë hapur vetëm 8 komuna.

Infografik: Meta.mk

Hapja e Qendrave rinore ka për qëllim sigurimin e një mjedisi adekuat dhe të sigurt ku do të bëhet zbatimi i mbështetjes sistemike të zhvillimit të të rinjve dhe përfshirje aktive e tyre në jetën në komunitet.

„Qendrat rinore paraqesin vende ku përgatiten dhe zbatohen programe që përmirësojnë mirëqenien e të rinjve, zhvillimin e jetës personale, sociale dhe profesionale të të rinjve, ku mund të merren informacione me interes të rëndësishëm për të rinjtë dhe aspekte të tjera të jetës të të rinjve. Qendrat rinore janë një mundësi për autoritetet lokale për të krijuar një partneritet me format e organizimit rinor që veprojnë në ato komuna, me qëllim që të rinjtë nga komunat të kenë qasje në programe cilësore për zhvillimin e tyre”, sqaron Filip Kullakov nga Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë.

Procedura për hapjen e Qendrave rinore dhe sigurimin e cilësisë së tyre është përcaktuar me Rregulloren për standardet e cilësisë së qendrave rinore të miratuar nga Agjencia për Rini dhe Sport. Sipas përvojës së komunave ku tashmë janë hapur Qendrat rinore, është vlerësuar se mjetet minimale të nevojshme që duhet t’i sigurojë komuna për realizimin e një programi vjetor janë 600.000 denarë.

„Është me rëndësi të theksohet se vetëm disa nga komunat i përmbushin standardet e cilësisë së qendrave rinore, si komuna e Kavadarit, Kumanovës, Ohrit dhe Velesit. Qendrat rinore në komunat e tjera janë hapur me mbështetje nga donatorë dhe kanë funksionuar para miratimit të Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, dhe tek këto qendra presim që komunat të vazhdojnë të investojnë në funksionimin e tyre dhe të hyjnë në partneritet me format e organizimit të të rinjve për të realizuar të programeve cilësore”, thotë Kullakov nga KRKM.

Këshilla rinore lokale

Edhe pse Ligji parasheh krijim të Këshillave rinore lokale në të 81 komunat në vend, këtë detyrim edhe pas përfundimit të afatit e kanë përmbushur vetëm 11 komuna – Vallandova, Dellçeva, Kisella Voda, Koçani, Kratova, Mogilla, Novaci, Ohri, Plasnica, Sveti Nikole dhe Strumica.

Në raportin e KRKM-së thuhet se disa nga komunat që kanë themeluar Këshill rinor lokal janë përgjigjur se këtë nuk e kanë bërë me thirrje publike për të, gjë që është në kundërshtim me hapat ligjorë për themelimin e Këshillit rinor lokal.

Infografik: Meta.mk

Në komunat ku Këshillat rinore lokale funksionojnë, ato tashmë po punojnë për promovimin e tyre dhe për informimin e të rinjve për punën e tyre, siç është shembulli me Këshillin Rinor Lokal në Ohër.
„Si gjenerata e parë e një Këshilli rinor lokal që ë funksion rregullisht, mund të themi se gjërat po shkojnë mirë. Rrethanat na kanë detyruar që implementimin e disa gjërave ta shtyjmë për më vonë, por pavarësisht pengesave që kemi hasur, për ne, në rend të parë janë të rinjtë me idetë dhe propozimet e tyre”, thotë Tea Petkoska nga Këshilli Rinor Lokal në Ohër.

Këshilli rinor në këtë komunë tashmë ka filluar edhe me realizimin e projekteve të parapara, ndërsa si problem kryesor të të rinjve në këtë qytet buzë Liqenit të Ohrit e theksojnë mungesën e eventeve dhe aktiviteteve gjatë periudhës së dimrit.

„Qëllim kryesor gjatë këtij mandati e kemi hapjen e Qendrës Kulturore Rinore në Ohër, si nevojë e të rinjve për një vend ku mund të kalojnë kohën e lirë të përmbushur me ngjarje kulturore. Ky qëllim tashmë është në fazën e realizimit dhe të rinjtë do mund të shijojnë përfitimet që do ju ofrohen. Problemi kryesor me të cilin ballafaqohen të rinjtë në Ohër është mungesa e aktiviteteve kulturore gjatë periudhës së dimrit. Të rinjtë nuk kanë mundësi të zhvillohen në atë nivel dhe në shumicën e rasteve përditshmëria e tyre konsiston në përsëritjen e të njëjtave aktivitete, kështu që shumë shpejt çdo gjë kalon në monotoni”, thotë Petkoska.

Në anën tjetër të vendit – në lindje, problemi më i madh me të cilin ballafaqohen komunat është shpërngulja e madhe e të rinjve, por edhe mungesa e madhe e interesit për t’u përfshirë në proceset vendimmarrëse në rrafsh lokal. Prandaj, këshillat rinore lokale në komunat ku veprojnë janë fokusuar në gjetjen e zgjidhjeve për t’i mbajtur të rinjtë në vend. I tillë është shembulli i Këshillit Rinor Lokal në Dellçevë, i cili mbajti disa takime me të rinjtë në të cilat u mblodhën propozime për përmirësimin e standardit jetësor të të rinjve në këtë komunë.

„Problemet kryesore me të cilat ballafaqohen të rinjtë në Komunën e Dellçevës, si dhe në komunat tjera më të vogla në lindje, janë shpërngulja masive e tyre, papunësia e lartë tek të rinjtë, pagat e ulëta dhe mundësitë e limituara për zhvillim në karrierë. Nga ana tjetër, shumica e të rinjve nuk janë të interesuar për ngjarjet dhe zhvillimet politike dhe sociale dhe nuk kanë vullnet për përfshirje më të madhe në proceset vendimmarrëse në rrafsh lokal dhe kombëtar”, thotë për Meta.mk Milica Stojkovska, nëpunëse për të rinjtë në Komunën e Dellçevës.

Një pjesë e nëpunësve për të rinjtë nuk i dinë kompetencat e tyre

Një përjashtim nga zbatimi i ulët i detyrimeve që burojnë nga Ligji për Pjesëmarrje Rinore është emërimi i Nëpunësve për të rinjtë, detyrim që e kanë përmbushur 69 përqind të komunave. Por edhe në këtë aspekt mbi 30 për qind e komunave kanë humbur afatin ligjor dhe ende nuk kanë emëruar Nëpunës për të rinjtë – person i cili do të jetë përgjegjës për funksionimin e Zyrës për të rinjtë në komunë dhe që do të koordinojë dhe zbatojë çështjet me interes për të rinjtë.

Është e qartë se komunat kanë treguar interes më të madh për përmbushjen e këtij detyrimi, i cili para së gjithash konsiston në emërimin e një personi tashmë të punësuar në komunë.

Infografik: Meta.mk

Kullakov nga KRKM thotë se edhe pse disa komuna tashmë i kanë përmbushur detyrimet e tyre ligjore, një pjesë e madhe e tyre nuk e njohin mirë Ligjin për Pjesëmarrje Rinore dhe Politika Rinore dhe në pjesën më të madhe nuk bëjnë dallim ndërmjet Qendrës Rinore dhe Zyrave për të rinjtë dhe disa nga nëpunësit për të rinjtë as vetë nuk janë të vetëdijshëm për rolin dhe kompetencat e tyre.

Kullakov thekson se kriza shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga COVID-19 është përdorur rregullisht si justifikim për zbatimin e vonuar të Ligjit për Pjesëmarrje Rinore dhe se me këtë autoritetet lokale tregojnë se të rinjtë nuk janë prioritet i tyre.

„Është fakt se këto dy vite e gjysmë pas miratimit të Ligjit për Pjesëmarrje Rinore dhe Politika Rinore u karakterizuan me kriza shëndetësore, ekonomike dhe politike, të cilat janë shfrytëzuar rregullisht si arsyetim për zbatimin e vonuar të dispozitave të ligjit. Me zbatimin vonuar të ligjit, institucionet dhe autoritetet lokale e humbën mundësinë për të treguar se të rinjtë janë prioriteti i tyre. Gjatë kësaj periudhe të rinjtë mbetën vetëm prioritet në premtimet zgjedhore dhe moszbatimi i ligjit vetëm sa e forcon qëndrimin e të rinjve se janë poshtë në agjendën e vendimmarrësve”, thotë Kullakov.

Në dokumentin e KRKM-së theksohet nevoja për zbatimin e menjëhershëm të dispozitave të Ligjit për Pjesëmarrje Rinore, sidomos në nivel të komunave. Nevojitet profesionalizim i Nëpunësve për të rinjtë që ata të mund të informohen më konkretisht me kompetencat dhe detyrimet e tyre dhe të sigurohet stabiliteti i pozitës dhe jo të bëhet rotacion i saj mes nëpunësve nëpër komuna.

KRKM gjithashtu rekomandon hapjen e debateve publike për ndryshimin e Ligjit dhe përmirësimin e tekstit ligjor, bazuar në mësimet e nxjerra nga dy vitet e fundit.
Afatet për disa nga detyrimet që i kishin komunat mund të kenë përfunduar, por shpresa dhe mundësia që autoritetet lokale të tregojnë se të rinjtë janë aktorë të rëndësishëm shoqërorë dhe të përmbushin detyrimet e tyre ligjore edhe pas përfundimit të afateve ende mbetet e gjallë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button