Komuna thotë se për arsye politike dhe burokratike nuk janë bërë 230 vend-parkimet në “Bllagoja Toska” dhe “Ilinden”

Ndonëse në Tetovë sipas planit vjetor të Komunës, për periudhën korrik-shtator ishin paraparë të krijohen 230 vend-parkime përgjatë dy-bulevardeve, “Bllagoja Toska” dhe “Ilinden”, kjo nuk është bërë deri më tani. Komuna thotë se vonesat në realizimin e planit për parkingje në Tetovë kanë qenë “si rezultat i ngjarjeve politike në periudhën e fundit dhe procedurave burokratike”, shkruan Portalb.mk.

Sipas planit të shpalosur me 11 janar nga kryetari i komunës, për tremujorin e tretë të vitit, planifikoheshin të realizohen parkingje në Bulevardin “Bllagoja Toska” dhe atë “Ilinden”.

“Faza 3- Korrik-Shtator: Kjo fazë përfshinë dy bulevarde, atë të Bllagoja Toskës me 150 vendparkime si dhe një pjesë të bulevardit të Ilindenit me 80 vend parkime, dmth gjithsej kjo fazë përfshinë 230 vend parkime. Në këtë fazë do ketë edhe intervenime për zgjerim të profilit të rrugës dhe gjithashtu do të përgatiten matje gjeodezike, projekt infrastrukturor, marrje e lejes së ndërtimit, projekt komunikacioni dhe pëlqim nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme – Tetovë.”, thuhet në planin e komunës.

Mirëpo, në këto dy bulevarde, deri më tani diçka e tillë nuk është bërë.

“Vonesat në realizimin e planit për parkingje në Tetovë ka qenë si rezultat i ngjarjeve politike, në periudhën që lamë pas. Po ashtu në realizimin e këtij plani ka ndikuar edhe procedura burokratike, të cilat kanë krijuar pengesa të natyrave të ndryshme”, arsyetohen nga Komuna e Tetovës.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pjesa e bulevardit “Bllagoja Toska” nga Spitali i Qytetit deri te Shkolla Tekstile ende nuk është lëshuar në përdorim pasi ende po punohet dhe pritet të përfundojë gjatë muajit tetor.

“Sa i përket parkingjeve në Bulevardin “Bllagoja Toska”, i njëjti ka projekt komunikacioni dhe tashmë pritet pëlqim nga MBP-SPB-Tetovë, që edhe ai të realizohet. Deri në fund të vitit do të realizohen fazat e parapara me këtë projekt. Ndërkaq në vitin që vjen do të fillohet edhe me ndërtimin e parkingjeve të tjera të mbyllura dhe në kate”, thanë nga Komuna.

Nga atje shtojnë se pavarësisht këtyre vonesave, kanë arritur që të realizojnë disa parkingje tjera.

“Pavarësisht këtyre vonesave, ne kemi arritur që të realizojmë tërësisht, me sinjalizim horizontal dhe vertikal, disa parkingje nëpër të gjithë qytetin e Tetovës, të cilët, tashmë janë në funksion të qytetarëve. Janë realizuar këto parkingje: Parkingu tek rruga Strasho Pinxhur, rruga T.C.Merxhan, kompleksi Saranda, tek tregu i gjelbër në rrugën 120a, Bllagoja Toska, te rest.Mema, rruga Goce Dellçev, (varrezat ortodokse), Boris Kidriç, BU 53 (kulla), BU 54 (Bokata), BU 88. K.R.Drnc. Komuna e Tetovës në kontinuitet po punon në këtë drejtim”, thonë nga komuna.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë që, plani vjetor për krijimin e vendeve të parkimit nuk u zbatua plotësisht edhe për tre-mujorin e parë si dhe tre-mujorin e dytë të vitit 2022.

Sipas planit të shpalosur me 11 janar, Komuna e Tetovës planifikon që deri në fund të vitit të rris numrin e vendeve të parkimit, përmes parkingjeve zonale, atyre të mbyllura si dhe garazheve në kate. Numri i planifikuar i parkingjeve zonale është 410, të mbyllura 790 dhe garazhet në kate 1,890. Gjithsej deri në fund të vitit Kasami deklaroi se priten të krijohen 3,730 vende të reja parkimi.

Sipas raportit të punës së NP “Parkingu i Qytetit” Tetovë, numri i vendeve të parkimit në kuadër të ndërmarrjes (zonale dhe të mbyllura) për vitin 2021 ka qenë gjithsej 764.

Ndërsa, numri i vendeve të parkimit në kuadër të ndërmarrjes (zonale dhe të mbyllura) për periudhën janar-qershor 2022 ka qenë gjithsej 834 (është shtuar zona C me 70 vende parkimi).

Zgjerimi i parkimit zonal, nuk nënkupton krijimin e vendeve të reja shtesë për parking, aty vetëm se në të kaluarën janë parkuar vetura, pra nuk ka qenë zonal dhe me pagesë.

Zgjerimi i parimit zonal, duket të jetë një indikator për forcimin e gjendjes financiare të ndërmarrjes së parkingjeve, e cila vitet e kaluara ka punuar vazhdimisht në humbje. Këtë vit, në gjashtë mujorin e parë ndërmarrja doli në fitim me mbi 100 mijë euro.

Mirëpo, gjatë kësaj periudhe u rrit çmimi i parkimit zonal, atyre të mbyllura, ajo e shërbimit merimangë si dhe u bë zgjerimi i parkingut zonal në disa pjesë.

Sot ka filluar pastrimi dhe rregullimi i parkingut përballë SH.F “Liria”, ndërsa nesër do të rregullohet dhe pastrohet parkingu prapa Restorant “Bokata”.

Në fillim të këtij muaji u lëshuan në funksion edhe dy zona të reja të parkimit zonal, vende që paraprakisht shfrytëzoheshin për parkim nga qytetarët por pa pagesë.

Ndryshe, numri i automjeteve të regjistruara me targa të Tetovës, gjatë vitit 2021, sipas Sektorit për Punë të Brendshme është 44,592 .

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami nuk e mbajti premtimin parazgjedhor se parkingu do të jetë falas derisa të krijojë parkingje të mjaftueshme për çdo veturë. Parkingu pa pagesë ishte vetëm dy javë dhe e pagesa u rikthye.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button