6 fakte që nuk i dinit më parë për xhamitë në Gjermani

Gjermania ka mijëra xhami, por shumica gjenden në oborret e pasme të ndërtesave ose në zona industriale. Numrin e saktë të tyre askush nuk e di, shkruan DW.

Gjermania është mjaft e njohur për saktësinë dhe rregullin. Gjithçka dokumentohet dhe analizohet. Por se sa xhami ka në Gjermani, nuk e di askush saktë. Sipas llogaritjeve nga 2350 deri në 2750. Në vitin 2019 këto xhami u vizituan të paktën një herë në javë nga 24% e 5,5 milionë myslimanëve, që jetojnë në Gjermani, sipas studimit të Konferencës Gjermane të Islamit.

Në Ditën e Xhamisë së Hapur që zhvillohet nga Gjermani nga viti 1997 më 3 Tetor, rreth 1000 xhami hapin portat për t’u vizituar nga myslimanë e jomyslimanë. Motoja këtë vit ishte: Burime të pakta, përgjegjësi e madhe. “Efekti i krizës së klimës vërehet si tek ne ashtu edhe në shumë pjesë të botës, si së fundmi në katastrofën e madhe të përmbytjes në Pakistan”, thotë Aiman Mazyek, kreu i Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani, (ZMD). Ja disa fakte mbi xhamitë në Gjermani:

1. Në xhaminë e parë në Gjermani u përgatitën xhihadistë

Xhamia Wünsdorfer në Brandenburg u ndërtua në vitin 1915 me dëshirën e myftiut të Stambollit dhe konsiderohet si ndërtesa më e vjetër islamike e Gjermanisë, madje e Europës Qendrore. Xhamia ishte në qendër të një kampi të burgosurish të luftës për myslimanë, Kampi i Gjysmëhënës. Këtu nuk bëheshin vetëm lutjet, por perandoria gjermane e përdorte xhaminë për të nxitur të burgosurit myslimanë kundër fuqive të tyre koloniale: Francës dhe Anglisë. “Strategjia e revolucionit” e quante këtë perandoria gjermane. Këtu betoheshin xhihadistë dhe dërgoheshin në “luftën e shenjtë”. Por të burgosurit përdoreshin edhe për qëllime studimore duke regjistruar gjuhën apo bërë matje antropologjike. Këto u përdorën më vonë në “studimet racore” të nacionalistëve. Më ndërtimin e xhamisë në Berlin-Wilmersdorf në vitin 1928, kjo xhami humbi rëndësinë dhe në vitin 1930 u prish.

2. Xhamia më e vjetër gjermane i ngjason Taxh Mahal

Xhamia në Berlin Wimmersdorf është sot xhamia më e vjetër në Gjermani dhe të kujton një monument të njohur botëror nga India. Taxh Mahal. Dy minare më shumë se 30 metra të larta rrethojnë ndërtesën. Kjo xhami u konceptua nga arkitekti gjerman Karl August Herrmann për komunitetin islam të Ahmadia-Lahore nga Pakistani i sotëm, anëtarët e të cilit erdhën në vitin 1920 në Gjermani. Ata së bashkë me myslimanë gjermanë themeluan Shoqatën Gjermano-Myslimane dhe kjo xhami u bë epiqendër e jetës myslimane.

3. Në një xhami në Berlin predikojnë edhe gra

Në xhaminë e hapur në Berlin në vitin 2017, xhamia Ibn-Rushd Goethe e një lloji të veçantë falen së bashku, burra dhe gra, njerëzit e komunitetit LGBTQ nuk janë të përjashtuar. Në faqen e internetit thuhet se “xhamia Ibn-Rushd Goethe përfaqëson një islam progresiv, të moderuar, që pajtohet me demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Ne jetojmë një islam, ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe njësoj të vlerësuar.” Kjo xhami thekson se i ka dyert e hapura për llojet e besimeve, sunitë, shiitë, sufi dhe alevitë. Iniciatore është aktivistja për të drejtat e njeriut dhe grave, avokatja dhe autorja, Seyran Ateş, e cila paguan një çmim të lartë për këtë. Ajo merr rregullisht kërcënime për jetën dhe ndodhet nën mbrojtje policore.

4. Shoqatat e xhamive ndodhen në kritika

Xhamitë në Gjermani drejtohen nga shoqatat e xhamive. Shoqata më e njohur e xhamive është “Unioni Turko-Islamik për Institucionin e Fesë”, DITIB. Kjo shoqatë kritikohet, sepse është e vraur nga autoriteti turk i fesë, Diyanet, presidiumit shtetëror turk për çështje fetare. Imamët e saj shkollohen me shumicë në Turqi, paguhen nga shteti turk dhe predikojnë për disa vite në xhamitë gjermane. Kritikët paralajmërojnë nga rritja e influencës së shtetit turk tek besimtarët. Erdogan ka shumë përkrahës në Gjermani, kjo u duk në zgjedhjet presidenciale në vitin 2018, por edhe gjatë vizitave të tij, ku ai pritet me entuziazëm.

5. Xhamitë në Gjermani shpesh të padukshme

Në një kohë që ndërtesat e krishtera përcaktojnë pamjen e qyteteve gjermane, xhamitë nuk bien në sy. Shumica e tyre nuk dallohen nga jashtë. Shpesh ka vetëm një tabelë në ndonjë hyrje, që të tregon se pas ndërtese apo në ndonjë zonë industriale ndodhet një xhami. Përjashtim bën Xhamia Qendrore DITIB në Köln e konceptuar nga arkitekti i njohur, Paul Böhm, e hapur në vitin 2017. Ndërtesa impozante islamike kryesisht me beton dhe xham me dy minare 55 metra të larta, ishte planifikuar të bëhej xhamia më e madhe e Gjermanisë, por pas kritikave planet u ndryshuan. Sot ajo ofron vend për 1200 besimtarë, aq sa xhamia tjetër e DITIB në Duisbrug Marxloh.

6. Xhamitë si rregull heqin dorë nga thirrja e muezinit

Në vendet islamike tradicionalisht thërret muezini për faljen e së premtes. Kjo parimisht lejohet edhe në Gjermani, por praktikohet shumë rrallë, dhe është e vështirë, sepse shumica e xhamive nuk kanë minare. Kësaj i shtohet mospranueshmëria në shoqërinë gjermane. Kundërshtarë të thirrjes së muezinit i referohen shqetësimit të zhurmës dhe kritikojnë besimin fetar që shprehet në këtë formë, se ndryshe nga këmbana e kishës, thirrja e muezinit ka kuptim teologjik dhe nuk krahasohet me këmbanën. Vetëm nga 30 xhami në Gjermani dëgjohet rregullisht thirrja e muezinit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button