Komiteti i Përzier Parlamentar RMV-BE sot dhe nesër do të mbajnë mbledhje në Strasburg

Komiteti i Përzier Parlamentar Republika e Maqedonisë së Veriut dhe BE sot dhe nesër do ta mbajnë mbledhjen e njëzetë në Parlamentin Evropian në Strasburg, njofton Portalb.mk.

Hapja e mbledhjes së 20 të Komitetit të Përzier Parlamentar mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së do të bëhet nga ana e europarlamentari Andreas Shider dhe deputetja Sonja Mirakovska.

Në mbledhje do të jenë të pranishëm edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, i cili do të mbajë fjalim në pikën “Këmbimi mendimeve me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian për Marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së”.

Përveç pikës për këmbim të mendimeve, do të ketë dhe pika tjera në rend dite, të cilat do të jenë për sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shoqërinë civile, krizën energjetike dhe mjedisin jetësor, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal dhe për raportin për dialog “Zhan Mone”.

Mbledhja paraprake e Komitetit të Përzier Parlamentarështë mbajtur në Shkup, më 28 dhe 29 korrik të këtij viti.

Komiteti i Përzier Parlamentar – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe BE, është themeluar në vitin 2004 në bazë të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim. Ai paraqet forum ku anëtarët e Kuvendit të RMV-së dhe Parlamentit Evropian këmbejnë përvoja, mendime dhe qëndrime për përforcimin e partneritetit të ndërsjellë. Komiteti mblidhet dy herë në vjet – njëherë në Kuvendin e RMV-së, njëherë në Parlamentin Evropian.

Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut javën e ardhshme do të pres Raportin e Komisionit Evropian.

“Presim Raport pozitiv i cili do të jetë padyshim udhërrëfyes për reformat dhe aktivitetet e radhës, me të gjitha notat e mira dhe më pak të mira. Ky do të jetë Raporti i parë nga fillimi i negociatave dhe nuk pres të ketë ndonjë surprizë”, deklaroi zëvendëskryeministri Mariçiq.

Raporti i vitit 2021 i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut nuk kishte “lëvdata” të mëdha krahasuar me atë të vitit të kaluar. Sidomos kjo, kur dihet se vendi ka miratuar disa dokumente që pritej të reflektonin në këtë raport. Ndër to është edhe dokumenti “Agjenda: Evropa në shtëpi”, i përmendur sipërfaqësisht edhe në raport, i cili përveç që nuk po zbatohet sipas planit të paraparë, nuk ka pothuajse aspak transparencë për zbatimitn e tij. Sidoqoftë, në shumicën e fushave, Maqedonia e Veriut vlerësohet si e përgatitur mesatarisht, ashtu edhe si vitin e kaluar, por pa ndonjë dallim që do të na linte “gojë-hapur”. Portalb.mk, ju sjell një krahasim më të thukët midis raporteve të vitit 2021 dhe atij të vitit 2020.

Ndryshe, nga data 15 deri më 27 shtator, në Bruksel në kuadër të procesit të skriningut RMV-BE u mbajtën takime për fushat dhe kapitujt e grupit të të Drejtave themelore, ku Komisioni Evropian prezanton legjislacionin e tij për këto fusha.

Prej 11 nëntori deri më 9 dhjetor të këtij viti, do vazhdojë faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button