Kryesia e Sindikatës së UKM-së u takua me kryeministrin dhe dy ministrat

Kryesia e Sindikatës së Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) u takua sot me kryeministrin, ministrin e Financave dhe atë të Arsimit për të biseduar për kërkesën e tyre për rritjen e pagave të profesorëve dhe nënshkrimin e një Marrëveshjeje të veçantë kolektive për UKM-në, pavarësisht nga marrëveshja kolektive tashmë ekzistuese me Sindikatën për Arsim dhe Shkencë (SAShK), e nënshkruar vitin e kaluar, transmeton Portalb.mk.

Sindikata kërkon rritje graduale të pagave, me 25 përqind në vit,  që pas katër viteve të arrihet në 100 përqind.

“Takimi ishte konstruktiv. Kemi paraqitur kërkesat tona legjitime, argumentet. Ata vunë në dukje situatën shumë të vështirë ekonomike dhe financiare.  Ata përfunduan se ka vullnet politik nga ana e tyre për plotësimin e kërkesave të Sindikatës. Megjithatë, kërkuan kohë për të bërë kalkulime shtesë, sepse në periudhën e ardhshme është miratimi i buxhetit për vitin e ri. Në një të ardhme të afërt të kemi sërish takim në të cilin do të jemi të ftuar dhe presim që më në fund kërkesat tona të marrin përgjigje pozitive”, tha Risto Angellov nga UKM.

Nga Qeveria njoftuan se në takim nga kryeministri dhe ministrat u theksua se duhet të merret parasysh situata në vend në kushtet e krizës ekonomike.

“Në katër vitet e fundit, pagat e punonjësve të universiteteve janë rritur gjithsej për 20%, pra 5% nga shtatori 2019, 8% nga shtatori 2021 dhe 7% nga shtatori i këtij viti. Gjithashtu nga kryeministri dhe ministrat u theksua se do të bëhen analiza dhe përllogaritje të detajuara për vazhdimin e rritjes së pagave në arsimin e lartë dhe shkencë vitin e ardhshëm”, njoftoi Qeveria.

Sindikata kërkoi edhe riorganizimn e fakulteteve, prezantim të ri më atraktiv të programeve studimore, të cilat do të rrisin të ardhurat e vetë institucioneve të arsimit të lartë.

Lidhja e sindikatave të UKM-së pret që Qeveria dhe dy ministritë t’i shqyrtojnë kërkesat e tyre, siç thekson “të justifikuara dhe të arsyeshme dhe do të përgjigjen pozitivisht” dhe se duan të mundësojnë kërkesat ekzistenciale t’i realizojnë përmes dialogut.

Sindikata e UKM-së më 2 qershor ka shprehur pakënaqësinë e saj para Rektoratit të Universitetit, ndërsa të nesërmen është dashur të organizojë protestë paqësore para Qeverisë, e cila më pas u shty.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button