Domethënia e “skriningut”, fillim i fillimit për integrimin e RMV-së në BE

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.  

Shkas: fillimi i skriningut shpjegues i Komisionit Evropian me Maqedoninë dhe Shqipërinë

Malinka Ristevska Jordanova

Në mesin e fjalëve të shumta të huaja të cilat përdoren në procesin e integrimit evropian, më aktualja është „skrining“. Kur bëhet fjalë për bisedimet me BE-në kjo fjalë nënkupton një proces i cili duhet të mundësojë vlerësim të gjendjes së pajtueshmërisë së vendit me kërkesat e detyrimeve të një shteti anëtar të BE-së.

Do të trajtojmë disa aspekte kyçe të skriningut: përmbajtjen e tij, dinamikën, aktorët kryesorë, dallimet kryesore sipas metodologjisë së re dhe se ku çon ky proces më tej.

Në fillim, për përmbajtjen. Gjendja e cila skenohet në këtë rast është pajtueshmëria e Maqedonisë së Veriut me ato që njihet si acquis i BE-së. Definicioni më i shkurtër për acquis është korpusi i të drejtave dhe detyrimeve të përbashkëta të detyrueshme për shtetet anëtare. Shtrirja e acquis të cilin ne duhet ta miratojmë është dhënë me saktësi në Kornizën negociuese. Këto, para së gjithash, janë marrëveshjet themeluese të BE-së- dhe në një përkufizim më të gjerë „përmbajtja, parimet, vlerat dhe qëllimet politike të Marrëveshjeve mbi të cilat bazohet BE-ja”. Elementi i dytë është i gjithë legjislacioni i miratuar në bazë të tyre (ligjërisht i detyrueshëm dhe jo i detyrueshëm), përfshirë këtu praktikën e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, elementi i tretë – aktet ndërkombëtare të lidhura nga BE-ja ose ndërmjet shteteve anëtare.

Ajo që është e rëndësishme është se pranimi i acquis nuk është kushti i vetëm për anëtarësim. Sipas Kornizës tonë negociuese kushtet e anëtarësimin fillojnë nga kriteret e njohura të Kopenhagës (politike, ekonomike dhe miratimi i acquis), por përmbajnë edhe plotësimin e kushteve të Procesit të stabilizim-asociimit, si dhe në rastin e Maqedonisë – kushtet e veçanta të cilat burojnë nga marrëveshjet bilaterale me Greqinë dhe Bullgarinë. Kjo do të thotë se skriningu është një proces i cili nuk i përfshin të gjitha kushtet e bisedimeve, por vetëm njërin prej tyre – pajtueshmërinë me acquis. Nga institucionet e BE-së aktor kryesor në procesin e skriningut është Komisioni Evropian.

Dallojmë tre faza të skriningut:

  • Skriningun shpjegues;
  • Skriningun bilateral;
  • Raportet e skriningut.

Skriningu shpjegues paraqet pjesën në të cilën Komisioni Evropian e prezanton acquis, e që është në rrjedhë e sipër. Jozyrtarisht një nga fazat tashmë është zbatuar në periudhën 2018-2019, ashtu që tani vetëm se azhurnohet ajo që tashmë është prezantuar. Edhe pse në këtë rast rolin kryesor e ka Komisioni Evropian, me rëndësi është përgatitja e delegacioneve kombëtare (të Maqedonisë dhe Shqipërisë, për të cilat për momentin procesi i skriningut po zhvillohet bashkërisht), që kanë mundësinë që t’i parashtrojnë pyetje Komisionit.

Tek skriningu bilateral ndryshojnë rolet, ashtu që vendi kandidat duhet të paraqesë se deri në çfarë shkalle është pajtueshmëria e legjislacionit dhe strukturave të tij me ato të acquis, përfshirë këtu edhe zbatimin. Mirëpo, duhet t’i prezantojë edhe planet për pajtueshmërinë, si dhe burimet e nevojshme. Ajo që është e re në skriningun tonë bilateral është edhe se duhet të shprehet interesi, gjegjësisht prioritetet tona për të ashtuquajturin „integrim të përshpejtuar“.

Deri më tani në skriningun shpjegues Komisioni Evropian e ka respektuar parimin e prezantimit të acquis, por jo edhe kushteve të tjera të caktuara me Kornizën Negociuese. Në skriningun bilateral pala maqedonase duhet të përqendrohet tek pajtueshmëria me atë kornizë dhe përmbajtje, pa u zgjeruar „vullnetarisht“ tek kushtet e tjera. Ndërsa sa i përket shkallës së pajtueshmërisë me acquis, për vendin i cili 17 vite po përgatit Program kombëtar për miratimin e legjislacionit të BE-së dhe që ka kaluar nëpër 15 cikle të dialogut institucional në procesin e stabilizim-asociimit, kjo gjë nuk do duhej të jetë problem. Megjithatë, ndikimi politik dhe dobësimi i vazhdueshëm i kapaciteteve të administratës, por para së gjithash mungesa e planit dhe vizionit, paraqesin rrezik si në fazën bilaterale të skriningut, ashtu edhe në fazat e tjera të negociatave.

Sipas kalendarit, skriningu shpjegues dhe bilateral zhvillohen paralelisht. Skriningu shpjegues (më saktësisht azhurnimi i tij) filloi në 15 shtator, ndërsa duhet të përfundojë në 12 shtator të vitit 2023. Skriningu bilateral duhet të fillojë në 11 nëntor të vitit 2022, ndërsa të përfundojë në 24 nëntor të vitit 2023. Kjo do të thotë që këto dy faza të skriningut do zgjasin pak më shumë se një vjet (por vetëm nëse nuk merret parasysh pjesa e parë tashmë e përfunduar e skriningut shpjegues që zgjati rreth një vit). Një kohëzgjatje të ngjashme kishte skriningu për Malin e Zi (një vit) dhe për Serbinë (një vit e dy muaj). Dallimi shfaqet tek raportet e skriningut – për Malin e Zi të gjithë kapitujt janë publikuar gjashtë muaj pas skriningut, për Serbinë – pothuajse tre vite pas. Është e qartë që dinamika gjithmonë është në duart e institucioneve evropiane dhe nën ndikimin e fuqishëm të politikës.

Pikërisht faza e tretë – raportet e skriningut, të cilët i përpilon Komisioni Evropian dhe i dorëzon pranë Këshillit, janë faza më e rëndësishme e skriningut e cila duhet të japë diagnozën, por edhe të propozojë terapinë nëpërmjet rekomandimeve të shkruara në to. Raporti i skriningut është edhe lidhja deri në fazën e fundit të negociatave e cila tashmë kalon në duart e Këshillit. Edhe pse kjo fazë gjithmonë ka qenë politike, përfaqësuesit e Komisionit Evropian për skriningun shpjegues ngritën „frerin“, pa hyrë në udhërrëfyesit që duhet të ndiqen si përgjigje ndaj raporteve të skriningut. Ata vetëm theksuan karakterin e tyre politik, në pajtim me karakterin politik të negociatave të theksuar me Metodologjinë e re. Përndryshe, për dallim nga më parë, tani raportet e skriningut do të prezantohen sipas grupeve dhe jo sipas kapitujve.

Në situatën specifike të Maqedonisë, kur Korniza negociuese nuk është publikuar, e kur ende nuk është mbajtur as konferenca ndërqeveritare me të cilën duhet të përfundojë „faza e hapjes së negociatave“, është e qartë se para mbajtjes së saj nuk do të publikohet asnjë raport, ndërsa dinamika e skriningut dhe e të gjitha fazave në vazhdim do të diktohet fuqishëm nga politika.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button