Mbaroi takimi ndërmjet Kovaçevskit dhe Mickoskit

Në objektin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut sot pasdite u takuan kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Mickoski para takimit deklaroi që nuk do të ketë bisedime për zgjedhje dhe politikë, por për energjetikën. Takimi zgjati rreth dy orë, njofton Portalb.

“Në periudhën në vazhdim është e nevojshme që fuqishëm të punojmë që të tejkalojmë të gjitha problemet që mund të na ndodhin”, deklaroi Mickoski.

Sipas tij, duhet të jenë funksional tre blloqet në Manastir, një bllok në Osllome dhe dy turbinat në Negotinë, duke përfshirë edhe prodhimin e energjisë elektrike përmes hidrocentraleve. Por një gjë e tillë mund të jetë vështirë e realizueshme, vlerësoi kryeopozitari.

Në takim ishte caktuar që kontaktet e ardhshme mes opozitës maqedonase dhe Qeverisë të realizohen përmes ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Kryeministri Kovaçevski ka premtuar që do të merren në shqyrtim propozimet e opozitës.

“Vlerësojmë se në këto momente të rënda, është e nevojshme t’u ndihmojmë qytetarëve të Maqedonisë dhe ky është momenti kur duhet të tregojmë se jemi shtet dhe ko të mbledhim pikë politike. Ky është thelbi”, tha Mickoski.

Paraprakisht, kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, i ftoi kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, në një takim në të cilin do t’ia prezantonte planin për zbutjen e pasojave nga kriza energjetike dhe shpëtimin e vendeve të punës. Bytyqi i ka kthyer përgjigje se për të mërkurën është caktuar Këshilli Ekonomik dhe nuk ka pse të diskutojmë pas dyerve të mbyllura

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button