Nuredini: Qytetarët të mos ngrohen me gjithçka, do të hetohet çmimi i shitjes së druve

Duke marrë parasysh krizën ekonomike dhe energjetike, ndotja e ajrit pritet të rritet këtë dimër, tha ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini në konferencën e sotme për shtyp. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes se si i ngrohin amvisëritë, pra të mos përdorin materiale që ndotin mjedisin, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

“Do të importojmë naftë dhe qymyr, më e pakta që kërkojmë është që të respektohen standardet për mazutin dhe qymyrin që importojmë. Jemi të vetëdijshëm se institucionet – spitalet, kopshtet, shkollat… janë ndotësit më të mëdhenj. Me shumë mundësi, do të ketë një rritje të ndotjes së ajrit këtë dimër”, theksoi Nuredini.

Ai theksoi se fatkeqësisht kjo nuk është një situatë vetëm në vendin tonë, por në të gjithë Evropën dhe tha se problemi është se Maqedonia e Veriut ka 30 vjet që nuk ka investuar në energji në vend.

“E kuptoj që është një kohë e vështirë, por apeloj që të gjithë të kenë kujdes se me çfarë ngrohemi, sa ngrohemi dhe të jemi më efiçent në energji. Qytetarët mund të ngrohen me dru dhe pelet, të cilat janë sipas standardeve, dhe jo me materiale që lëshojnë lëndë të dëmshme gjatë djegies, të cilat fillimisht ndotin shtëpinë dhe më pas mjedisin”, theksoi Nuredini.

Ministri në konferencë iu referua edhe thashethemeve në opinion se drutë e zjarrit shiten gati 50 për qind më të lartë se çmimi i tregut.

Sipas rregullores së NP “Pyjet Kombëtare”, çmimi për një metër kub dru zjarri është 3.000 denarë, por në periudhën e fundit, pasi qytetarët filluan të blejnë dru për ngrohjen e shtëpive në dimër, u përhap informacioni se ata paguajnë 4.500 denarë për metër kub.

Ministri i Mjedisit deklaroi se pasi mësoi për këtë ka alarmuar për problemin në seancën e kaluar të Qeverisë dhe, siç theksoi, nesër pret të marrë informacion nga Inspektorati i Tregut dhe Inspektorati Shtetëror i Pyjeve dhe Gjuetisë.

“Këtë temë e kemi hapur në seancën e fundit të qeverisë. Rregullorja thotë 3.000 denarë. Pse shitet me çmime të tilla në privat presim të marrim informacion nga Inspektorati”, theksoi Nuredini.

Kujtojmë që dje, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, deklaroi se Bullgaria është e gatshme të rrisë eksportet e saj në Republikën e Maqedonisë së Veriut në përputhje me rregullat e tregut evropian të energjisë dhe legjislacionit bullgar, si dhe me interesin e qytetarëve dhe bizneseve bullgare.

Javën e kaluar, Presidenti Stevo Pendarovski në një konferencë për media në Sofje pas pjesës zyrtare të ceremonisë për fillimin e interkonjektorit ndërmjet Greqisë dhe Bullgarisë, tha se ka kërkuar ndihmë konkrete nga Bashkimi Evropian për tejkalimin e krizës energjetike.

Në takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe më pas në takimin trepalësh ku mori pjesë edhe presidenti bullgar Rumen Radev, Pendarovski kërkoi që BE-ja të mbulojë diferencën e çmimit të energjisë elektrike të kërkuar nga Bullgaria dhe çmimit që mund ta paguajë Maqedonia e Veriut. Vetëm në këtë mënyrë, tha kreu i shtetit, mund të realizohet me sukses marrëveshja parimore e arritur në fillim të muajit të kaluar ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të premten e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button