Pixel Group dhe KMG EOL KVAZAR mohojnë akuzat e VMRO-DPMNE-së për lidhje me Kovaçevskin

Kompanitë Pixel Group dhe KMG EOL Kvazar PIXEL GROUP, pas akuzave të djeshme të VMRO-DPMNE-së për lidhjen e tyre me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, dolën sot me një reagim publik. Ata thonë se Pixel Group është një kompani që ekziston në tregun e vendit që nga viti 2018 dhe vazhdimisht punon sipas standardeve më të larta teknologjike dhe etike korporative, transmeton Portalb.mk.

“Në kohë të krizës globale energjetike, kur Maqedonia jonë dhe e gjithë bota kanë nevojë për çdo megavat të energjisë elektrike të prodhuar, besojmë se është nën çdo nivel që emri i kompanisë sonë, si dhe kompanisë amë të PIXEL GROUP, KMG EOL KVAZAR, të përdoret për zënka të politike ditore dhe konferenca të pakuptimta për shtyp, duke thënë vetëm gënjeshtra dhe manipulime klasike për të mashtruar opinionin. Ndaj dënojmë ashpër çdo përpjekje për diskreditim, për të lidhur grupin tonë me çdo strukturë politike”, thanë dy kompanitë.

Ata thonë se punojnë në tregun e lirë si kompani private sipas të gjitha dispozitave ligjore dhe sipas standardeve më të larta etike dhe nuk përdorin kurrfarë kushte të veçanta, përtej atyre që vihen në dispozicion të të gjitha kompanive në këtë aktivitet dhe i respektojnë ato me ligj.

“Edhe para emërimit të Dimitar Kovaçevskit si zëvendës-ministër i Financave, kemi njoftuar se Dimitar Kovaçevski, si bashkëpronar i PIXEL GROUP, po largohet nga struktura e pronësisë së kompanisë për shkak se është e papajtueshme me angazhimin e tij politik”, thuhet në njoftimin e dy kompanive.

Ata theksojnë se kompanitë e tyre janë viktima të nevojave të dikujt për vlerësime politike ditore dhe kërkojnë që emri i PIXEL GROUP dhe KMG EOL KVAZAR të mos përdoret për marketing politik.

KMG EOL KVAZAR thotë se janë themeluar në vitin 2007, aktualisht kanë më shumë se 70 punëtorë dhe disa kompani nën-kontraktore dhe kanë realizim total për periudhën 2010-2021 në vlerë prej 1.291.668.742 denarë ose rreth 21.002.744 euro. Për atë periudhë kompania i ka paguar shtetit kontribute dhe tatim në paga në shumë prej 23.284.533 denarë.

Ndryshe, VMRO-DPMNE dje ka akuzuar se kryeministri Kovacevski, është i përfshirë në biznes prej 26 milionë eurove nëpërmjet ndërmarrjeve të paneleve diellore, që sipas opozitës, janë themeluar nga vetë Kovaçevski. Partia LSDM, me të cilën udhëheqë Kovaçevski i ka demantuar pretendimet e opozitës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button