RMV, u mbajt Samiti i parë kombëtar i shkollave të mesme

Të shtunën në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” u mbajt Samiti Kombëtar i Shkollave të Mesme nën moton “Jini në hap me gjeneratën”. Samiti është evenimenti më i madh, por edhe i pari i këtij lloji, i shkollave së mesme, i organizuar nga Organizata për dialog dhe afirmim të gjimnazistëve (ODAGj). Në Samit morën pjesë nxënës të shkollave të mesme nga i gjithë vendi, transmeton Portalb.mk.

Qëllimi i Samitit ishte që nxënësit e shkollave të mesme të flisnin lirshëm për problemet e tyre kolektive në nivel kombëtar dhe të propozonin zgjidhje për to.

Në Samit u diskutuan tema që janë aktuale në mesin e nxënësve të shkollave të mesme si: shëndeti mendor, mësimdhënia në kohë krize si dhe burimet e nevojshme.

Samiti tregoi se mes nxënësve të shkollave të mesme ka një interes të madh për diskutim. Gjithashtu u diskutua për pjesëmarrjen e shkollave në projekte dhe përzgjedhjen e nxënësve që do të përfaqësojnë shkollat, për përfshirjen më të madhe të nxënësve me aftësi të kufizuara, ushqimet e subvencionuara të shkollave të mesme për gjimnazistët e kategorive vulnerabël, transportin publik falas për të gjithë gjimnazistët- pa diskriminuar nxënësit e shkollave private, shtimi dhe përmirësimi i mësimdhënies praktike, të bëhet përpjekje që mësimi të zhvillohet me prezencë fizike, dhe jo nëpërmjet internetit dhe tema të tjera.

Foto: Organizata për dialog dhe afirmim të gjimnazistëve (ODAGj)

Diskutimi rezultoi në draft-konkluzionet që do të sublimohen në një deklaratë të vetme që do t’u dorëzohet institucioneve kompetente dhe të gjithë aktorëve relevantë për politikat arsimore dhe rinore.

Në ngjarje folën zëvendës-kryeministrja Sllavica Grkovska, si dhe zëvendës përfaqësuesi i UNICEF-it, Artur Aivazov.

Përndryshe, Organizata për dialog dhe afirmim të gjimnazistëve (ODAGj) është organizatë e shkollave të mesme e përkushtuar ndaj misionit të saj për të krijuar një komunitet të studentëve të përkushtuar, qytetarëve të përgjegjshëm dhe liderëve të ardhshëm. Motoja e ODAS është “Nga studentët, për studentët”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button