LIDERSHIPI MORAL

“Karriera ime fillon çdo mëngjes.”
Sani Şener, TAV

Aktiviteti ynë i fundit ishte pjesëmarrja si ligjërues në Shkollën e 13-të të “Liderëve të Rinj” të mbajtur në Shkup dhe Ohër në periudhën 16-30 shtator të muajit të kaluar, që këtë vit pati si temë pune “prijësinë e moralshme apo etike”, trajtuar në figura eminente nga Kroacia, Sllovenia, Anglia, Turqia, Shtetet e Bashkuara etj. Bindjet morale në politikë, parimet e lidershipit moral,  lidershipi moral në kohën e shoqërisë imorale, lidershipi në kohën e krizës globale, prijësia e frymëzuar nga feja ishin titujt e disa prej sesioneve të këtij eventi të veçantë që lidh shkollarët, liderët e karrierës me të rinjtë që duhet t’u prijnë rrjedhave të së ardhmes. Misioni i kësaj shkolle është të stimulojë vlerat pozitive në mesin e liderëve të rinj politikë, kulturorë dhe ekonomikë të vendit dhe më gjerë, të zhvillojë kapacitet për t’u përballur me sfidat e teknologjisë globale, garës ndërkombëtare dhe diversitetit fetar; të pasurojë këtë kategori me standarde pozitive dhe përgjegjësi për integrim, të ndërtojë një model të ri të edukimit në mjedisin e tyre të jetesës dhe të punës.

Lidershpi etik, që përkufizohet si “demonstrim dhe promovim i sjelljes normativisht të përshtatshme për veprime personale dhe ndërpersonale”, është një problematikë me peshë në kohën kur kemi kratos pa ethos, apo sundim – qeverisje pa etikë, pa karakter, kur kemi dyzinë prijësish që regjistrohen si “dështakë moralë” që i dorëzohen parasë, famës, prestigjit, seksit e shumë gjërave të tjera që i skandalizojnë si individë dhe më gjerë. Mes viteve 1990 dhe 2012 prokurorët federalë amerikanë kanë shpallur fajtorë 10,000 zyrtarë qeveritarë për akte të korrupsionit zyrtar, ku bëjnë pjesë konflikti i interesit, mashtrimi, shkelja financiare në fushata dhe obstruksionet ndaj drëjtësisë. Një studim empirik nxjerr në pah se 72 % e amerikanëve besojnë se keqveprimi (wrongdoing) është i përhapur në mesin e botës së biznesit. Sipas një ankete të Roperit, vetëm 2% prej respondetëve janë shprehur se CEO-t e Fortune 500 janë “shumë të besueshëm” (very trustworthy). (Williamson, 2021) Gjetjet e një hulumtimi të Organizatës Ombrellë të Rinisë Serbe (2022) tregojnë se 80% e të rinjve nuk iu besojnë prijësve politikë, ndërsa 48% janë shprehur se nuk kanë për kë të votojnë. Anketa e realizuar nga MRB dhe Data Centrum për Euronews Albania ka shpalosur se vetëm 12.7% të shqiptarëve besojnë në ndershmërinë e liderëve politikë; vetëm 18.3 % kanë pohuar se politikanët i kthejnë fjalët në vepra, ndërsa 14.8% se përkujdesen për njerëzit e thjeshtë.

Menaxhimi etik shihet si instrumenti më i rëndësishëm për të arritur te realizimi i një shoqërie ideale. Lidershipi me etikë dhe parimet etike japin fryte afatshkurtra dhe afatgjata për institucionet, organizatat dhe individët. Lidershipi moral thekson virtytet personale si integriteti, altruizmi, përgjegjësia dhe të qenët rol model. (Cheng et.al., 2004) Liderët moralë përbëjnë një shembull për vartësit e tyre duke demonstruar vetëdisiplinë, kryerje të detyrave dhe sjellje vetëmohuese (Farh et.al, 2008); ata krijojnë relacione të kuptimta me ndjekësit, kanë sjellje shembullore, i japin përparësi procesit përballë rezultateve dhe nxisin komunikimin e dyanshëm. Sipas Kyle Emich (2021) nga Universiteti Delaware, lidershipi moral është çelës për kapërcimin e krizave. Sipas tij, “ka një mori shembujsh të liderëve joetikë shumë të suksesshëm, që fitojnë tituj sportivë dhe zgjedhje, që udhëheqin kompani të mëdha, por të njëjtët ballafaqohen me shumë probleme në drejtim të mbajtjes së ekipevë të tyre së bashku pas dështimit; ata thyhen dhe digjen shpejt – thotë ai. Prijësi imoral çon në dëshpërim të ndjekësve, humbje të interesimit dhe përkushtimit (Keselman, 2021).

Shekulli XX, që ka qenë më i dhunshmi në histori është dëshmitar i liderëve të mëdhenj si Dr. Martin Luther King, Mahatma Gandhi dhe Nelson Mandela, por edhe i të tmerrshmive si Leopoldi II, Hitleri, Maoceduni, Stalini, Enver Hoxha e të tjerë. Në shekullin XXI priten ndryshime pozitive në aspekt që qeverisjes, menaxhimit, lidershipit. Mësimdhënësit e Darden School of Business të Universitetit Virginia, kanë shtjelluar shtatë pika që duhet t’i kenë parasysh apo t’i adresojnë liderët e vitit 2022: kapitalizmi i përgjegjshëm (responsible capitalism), elasticiteti i zinxhirit furnizues, aksioni klimaterik, mirësia e lidershipit, fuqizimi i makinave, fuqia hibride e punës, lidershipi i diversifikuar.

Udhëheqësit mund të inkurajojnë sjellje joetike midis ndjekësve edhe pa u përfshirë vetë në sjellje të tilla: duke shpërblyer të këqinjtë, duke i falur ata dhe duke injoruar veprimet joetike. Liderët që targetojnë rezultatet afatshkurtra, që modelojnë sjellje agresive dhe makiaveliste, që nuk ndëshkojnë keqbërjet dhe promovojnë individë që mendojnë si ata, rrisin sjelljen joetike brenda organizatave. Lidershipi është përgjegjësi, është edhe pushtet, por jo në kuptimin e fjalëpërfjalshëm. Toni Morrison një radhë ka thënë: “Nëse ke pak fuqi, detyra jote është të fuqizosh dikë tjetër!” Vetja juaj më e mirë është kur e shfrytëzoni pushtetin për t’i drejtuar të tjerët (Blank, 2019) e jo për t’ua bërë ditën a jetën ferr atyre. Bëni mirë që të gjeni mirësi. Siç thotë populli, çfarë të mbjellni atë do të korrni. Çdo ditë tuajën kuptojeni si mundësi të re për të bërë gjëra pozitive, për t’u avancuar në aspekt veprave mbresëlënëse që do t’ju bëjnë të kërkuar, vlerë kriter sa të jeni të gjallë, madje edhe përtej. Ajo që Edward Said e ka quajtur moral battle (beteja morale) nuk përfundon kurrë, ngase e mira dhe e keqja do të ekzistojnë sa të ketë jetë e botë. Karriera juaj nis çdo mëngjes, edhe imazhi juaj ndërtohet çdo ditë. Kështu mendon një njeri që udhëheq një nga kompanitë më të suksesshme të aviotransportit botëror, Şener, që TAV-in ka arritur ta bëjë objekt analize të Harvard Businnes School. Hans Alma dhe Ina Ter Avest kanë përpiluar një libër shumë interesant për kohën tonë, Moral and Spiritual Leadership in an Age of Plural Moralities (Lidershipi moral dhe shpirtëror në kohën e moraliteteve të shumëfishta, 2019). Në fund: abrogimi i lëndës së etikës (së religjioneve) nga kurikulat e shkollave të RMV do të ishte gabim fatal i qeverisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button