Lula da Silva e fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Brazil

Ish-presidenti i krahut të majtë, Lula da Silva, po rikthehet në Brazil. Pas një fushate të stuhishme elektorale, ai fitoi për habi vetëm ngushtë kundër presidentit në largim të krahut të djathtë Bolsonaro, shkruan DW.

Luiz Inacio Lula da Silva fitoi raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Brazil. Ish-kreu i shtetit të krahut të majtë mori 48.4 për qind, njoftoi zyra elektorale pas numërimit të pothuajse të gjitha votave. Presidenti aktual i krahut të djathtë, Jair Bolsonaro mori 43.2 për qind. Rezultati ishte, megjithatë, shumë më i ngushtë se sa pritej: Sondazhet i patën dhënë Lula da Silvës një epërsi të qartë. Ata parashikuan 50-51% për Lula da Silva dhe 36-37% për Bolsonaron. Sipas ekspertëve, shumë nga të anketuarit nuk vendosën për favoritët e tyre të vërtetë ose e morën vendimin vetëm ditën e zgjedhjeve.

Meqë asnjë nga kandidatët nuk ka marrë më shumë se 50 për qind të votave, Lula dhe Bolsonaro do të përballen me njëri-tjetrin më 30 tetor në një raund të dytë. Nëse ish-presidenti Lula fiton edhe raundin e dytë, ai do të bëhet presidenti i parë demokratik i Brazilit që kandidon për një mandat të tretë.

Mbështetësit e Lula da Silvës festojnë rezultatin e tij zgjedhor

Lula da Silva votoi në qytetin e Sao Bernardo do Campo, në shtetin e Sao Paulos. Bolsonaro votoi në Rio de Zhaneiro. Të dielën, 156 milionë njerëz u thirrën për të votuar në Brazil. Zgjedhje u bënë gjithashtu për 27 guvernatorët, për anëtarët e Kongresit dhe të parlamenteve rajonale. Votimi është i detyrueshëm në Brazil.

Ish-udhëheqësi i sindikatave Lula da Silva ka qeverisur më parë Brazilin nga viti 2003 deri në 2010. Pasi u burgos nga prilli 2018 deri në nëntor 2019 për korrupsion, ai i rifitoi të drejtat e tij politike në mars 2021. Gjyqet dhe gjykimet u anuluan për shkak të gabimeve procedurale.

Përpara zgjedhjeve u shpreh frikë për dhunë të mundshme. Kjo sepse të paktën tre mbështetës të Partisë së Punëtorëve të Lulës (PT) u vranë nga mbështetësit e Bolsonaros muajt e fundit.

Për më tepër, Bolsonaro ka nxitur thashethemet se kutitë elektronike të votimit po manipulohen. Çdo gjë tjetër përveç fitores së tij dërrmuese sot është e pamundur në kushte normale, tha ai. Ai do t’i pranojë rezultatet e zgjedhjeve vetëm “nëse ato janë të pastra”, tha Bolsonaro të dielën në mëngjes para një qendre votimi. Sipas tij, në mitingjet e fushatës së tij kishte aq shumë njerëz, saqë fitorja e tij ishte e pashmangshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button