Stoltenberg: Përparimi i Ukrainës në Liman tregon se mund të shtyhen prapa forcat ruse

Kapja nga Ukraina e një qyteti brenda territorit të aneksimit të deklaruar nga presidenti rus Vladimir Putin tregon se ukrainasit po bëjnë përparim dhe janë në gjendje të zmbrapsen kundër forcave ruse, tha të dielën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, shkruan Reuters, transmeton Portalb.mk.

“Ne kemi parë se ata kanë qenë në gjendje të marrin një qytet të ri, Liman, dhe kjo tregon se ukrainasit po bëjnë përparim, janë në gjendje të shtyjnë forcat ruse për shkak të guximit, për shkak të trimërisë së tyre, aftësive të tyre, por sigurisht edhe për shkak të armëve të avancuara që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë po ofrojnë”, tha Stoltenberg .

Ai deklaroi se mënyra më e mirë për të kundërshtuar aneksimin e shpallur nga Rusia të pjesëve të Ukrainës është të vazhdojë të mbështesë qeverinë në Kiev.

Forcat ushtarake ukrainase çliruan qytetin Liman në rajonin e Donetskut. Autoritetet ruse kanë konfirmuar se kanë tërhequr trupat e tyre nga ky qytet me rëndësi strategjike pas raportimeve të mëparshme se mund të jetë i rrethuar plotësisht.

I pyetur në lidhje me aplikimin e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO, Stoltenberg tha se “çdo vendim për anëtarësimin duhet të merret me konsensus dhe të 30 aleatët duhet të bien dakord për të marrë një vendim të tillë”.

Ai mes tjerash deklaroi se NATO mbështet hetimin për sabotimin e dukshëm të tubacioneve të Rusisë Nord Stream që shkojnë nga Rusia në Evropë nën Detin Baltik.

“Çdo sulm i qëllimshëm ndaj infrastrukturës kritike të NATO-s do të përballet me një përgjigje të fortë dhe të bashkuar nga një kënd,” tha Stoltenberg.

Sot gjithashtu, presidentët e vendeve anëtare të NATO-s të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë dalë me një deklaratë të përbashkët mbi përpjekjet ruse për të aneksuar ilegalisht territoret e Ukrainës, pjesë e kësaj deklarate është edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.

Kujtojmë që Ukraina ka paraqitur zyrtarisht kërkesën e saj për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s të premten e kaluar (30 shtator).

Po të njëjtën ditë, Presidenti rus, Vlladimir Putin,  shpalli aneksimin e katër rajoneve ukrainase, Donetsk, Luhansk, Herson dhe Zaporizhija, në të cilat u mbajtën referendume, të cilat Perëndimi i quajti të manipuluara. Nëse Rusia anekson katër rajonet ukrainase, Putin mund ta paraqesë çdo përpjekje ukrainase për të rimarrë këto rajone, si sulm ndaj vetë Rusisë.

Ndryshe, Ukraina është nën agresionin rus që nga 24 shkurti i këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button