Radev: Bullgaria është e gatshme të rrisë eksportin e energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut

Bullgaria është eksportuesi kryesor i energjisë elektrike në rajon dhe është e gatshme të rrisë eksportet e saj në Republikën e Maqedonisë së Veriut në përputhje me rregullat e tregut evropian të energjisë dhe legjislacionit bullgar, si dhe me interesin e qytetarëve dhe bizneseve bullgare, tha sot presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, njofton 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.

Deklarata e Radevit vjen një ditë pas takimit të tij me presidentin Stevo Pendarovski dhe takimit trepalësh që dy presidentët kishin me kryetaren e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen.

Presidenti bullgar tha se së bashku me Pendarovskin dhe kryetaren e KE-së, Von der Leyen, kanë biseduar për mundësitë që BE-ja të mbështesë financiarisht mundësitë e Maqedonisë së Veriut për të shmangur një krizë të mundshme në dimër në lidhje me furnizimin me energji elektrike në vend.

Radev shprehu shpresën se do të ketë përparim në këtë drejtim, por kjo varet nga vendimi i institucioneve evropiane, por edhe i Maqedonisë së Veriut për të bërë kërkesat e duhura, për të cilat, siç thotë, tashmë po ndihmon Bullgaria.

Ai tha se Bullgaria tashmë ka krijuar një grup të përbashkët pune me vendin.

Bisedimet e mbetura politike mes dy vendeve, sipas Radevit, po zhvillohen në një atmosferë normale të respektit dhe miqësisë reciproke.

Ai tha se është shumë e rëndësishme që vendi të kuptojë se zbatimi i detyrimeve dypalëshe duhet të vazhdojë sa më shpejt.

“Është garanci për përshpejtimin e integrimeve evropiane për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Radev dhe kujtoi se negociatat reale për anëtarësimin e saj sipas kornizës së negociatave nuk kanë filluar, por do të fillojnë kur vendi të përfshijë bullgarët në Kushtetutën e vet.

Presidenti bullgar theksoi se të gjitha çështjet që janë shtyrë për shumë vite duhet të zgjidhen dhe se “biseda për historinë e përbashkët me Republikën e Maqedonisë së Veriut është e pashmangshme”.

Gjatë qëndrimit në Sofje, dje, me rastin e vënies në shfrytëzim të interkonjektorit të gazit Greqi – Bullgari, Pendarovski pati takime me kryetaren e KE-së Von der Leyen dhe me presidentin bullgar Radev, temat e të cilave ishin kriza aktuale energjetike dhe pritjet për ndihmë nga BE-ja në përballimin e saj.

Presidenti Stevo Pendarovski dje në një konferencë për media në Sofje pas pjesës zyrtare të ceremonisë për fillimin e interkonjektorit ndërmjet Greqisë dhe Bullgarisë, tha se ka kërkuar ndihmë konkrete nga Bashkimi Evropian për tejkalimin e krizës energjetike.

Në takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe më pas në takimin trepalësh ku mori pjesë edhe presidenti bullgar Rumen Radev, Pendarovski kërkoi që BE-ja të mbulojë diferencën e çmimit të energjisë elektrike të kërkuar nga Bullgaria dhe çmimit që mund ta paguajë Maqedonia e Veriut. Vetëm në këtë mënyrë, tha kreu i shtetit, mund të realizohet me sukses marrëveshja parimore e arritur në fillim të muajit të kaluar ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut para dy ditëve e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button