RMV, çmimet e biletave të autobusëve të linjave mes qyteteve, të cilat u rritën dimrin e kaluar, aktualisht mbeten të pandryshuara

Studentët që udhëtojnë nga qytete të tjera drejt kryeqytetit apo qyteteve universitare ë përballen me kostot e rritura të udhëtimit. Për disa do të thotë tarifa dyfish, e për disa tre herë më të larta se vitin e kaluar në këtë kohë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Kështu, për shembull, një student që udhëton nga Kumanova për në Shkup, nëse dikur paguante 100 denarë për biletën e autobusit në një drejtim, këtë dimër kushtonte 150, ndërsa aktualisht kushton 170 denarë.

Situata është e ngjashme me biletat nga Tetova në Shkup dhe anasjelltas, tetorin e kaluar çmimi mesatar ishte 120 denarë, ndërsa tani çmimi është fiks për të gjitha transportuesit dhe është rritur në 200 denarë.

Për linjën Ohër – Shkup, më parë bileta vajtje-ardhje ishte 860 denarë, ndërsa tani aq kushton bileta në një drejtim, ndërsa bileta vajtje-ardhje është 1.100 denarë.

Është rritur edhe bileta në linjën Manastir – Shkup, nga 680 denarë vajtje-ardhje në 980, ndërsa momentalisht bileta në një drejtim kushton 630 denarë.

Vitin e kaluar akademik, shumica e fakulteteve të universiteteve në vend praktikonin mësimin online, ndaj për disa prej studentëve në vend që t’i riktheheshin jetës studentore me prezencë fizike, të nënkuptonte lajm pozitiv, nënkuptonte panik dhe shqetësim për kostot e transporti për në universitet.

Nesër, më 3 tetor, të gjithë nxënësit do të ndjekin mësimin me prezencë fizike si para pandemisë. Megjithatë, një ditë në universitet do t’i kushtojë studentit dhe prindërve të tij tre herë më shumë se në vitin 2018.

Transportuesit me duar të lidhura

Megjithëse çmimet e benzinës kanë rënë në muajin e fundit, çmimi i naftës dhe metanit të përdorur nga shumica e kompanive të transportit mbetet i lartë.

“Kompania jonë analizon të gjitha kostot që lidhen me transportin dhe nuk është vetëm karburanti në pyetje. Sa më shpejt do të vendosim për çmimet e biletave rrugore”, është përgjigja që e a “Rule Tours” muajin e kaluar.

Nuk kemi marrë përgjigje në pyetjen nëse është marrë një vendim i ri në muajin aktual, deri në ditën e publikimit të këtij shkrimi.

Transportuesi SHA “Galeb” – Ohër, para pandemisë dhe para rritjes së çmimit të biletave, ofroi një mundësi të shkëlqyer për studentët, zbritje prej 50 denarë në biletë. Nëse pasagjeri është student dhe udhëton nga Ohri në Shkup nga ora 17:45 deri në 21:00, biletën e ka blerë për 440 denarë në vend të çmimit të rregullt prej 490 denarë. Kjo mundësi nuk ekziston më. Nga aty kanë njoftuar se është anuluar dhe se tani për të gjithë udhëtarët bileta është 860 denarë.

Edhe pse Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas përpjekjeve të gjata të organizatave studentore, ka rikthyer transportin me tren falas për studentët çdo të enjte si dhe çdo fundjavë të dytë të muajit, trenat nuk janë në funksion në të gjitha qytetet.

Disa studentë, si ata që udhëtojnë nga Tetova në Shkup ku aktualisht nuk ka tren të rregullt, detyrohen të udhëtojnë me autobus.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button