Vizatimi i kufijve politik

Kur  dy perandoritë ajo Osmane dhe Habsburge u shpërbënë, diplomatë të Francës, Britanisë së Madhe dhe Rusisë u dëfryen shumë. Nuk kaluan disa vite, Rusia imperiale u përfshi nga lufta qytetare dhe Bollshevikët e morën pushtetin. Ushtria ruse njëkohësisht ishte shumë e dobët, pasi e thyer nga gjermanët në Luftën e Parë Botërore (LPB) nuk ishte në gjendje të përcaktonte fuqinë rajonale dhe globale të atëhershme të BRSS-së.

Në ndërkohë, “Pax- Britannica” tashmë e kishte humbur statusin e një fuqie globale dhe ishte dorëzuar para SHBA-së. Po ashtu Franca bashkë me Britaninë ishin gati t’i lëshonin kolonitë e para afrikane dhe aziatike, kurse SHBA ishte gati për një rol të ri duke pas si kundërshtare BRSS-në. Para se të formohej aleanca kundër Gjermanisë, dhe deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore (LDB), sistemi i marrëdhënieve ndërkombëtare ndryshoi për të mirë, duke promovuar demokracinë liberale e cila drejtohej nga SHBA dhe politika e Uillsonit, Hardingut, Kolidgesit dhe Hoverit.

Nuk vonoi shumë, viti 1933 me ardhjen në pushtet të partisë nacional-socialiste gjermane me në krye Hitlerin, i ndryshoi mjaft raportet e krijuara në mes shteteve evropiane. Përgatitja për luftë në Evropën e pas vitit 1918, për disa analistë të atëhershëm amerikanë dukej e pamundur, mirëpo Gjermania me politikën e saj të “Lebensraumit” ishte bërë gati për një zgjerim të ri territorial- pushtimin e fuqive më të dobëta evropiane dhe sigurisht një luftë e përgjithshme ndaj kundërshtarëve historik, Francës dhe Britanisë.

Parandalimi i një lufte të re në Evropë dhe në Azinë e Paqësorit ishte bërë i pamundur. Pas gjashtë viteve të një lufte globale e cila mori miliona njerëz dhe ushtarë nga të gjitha shtetet e përfshira në konflikt, teatri evropian i luftës më në fund u qetësua me fitoren e forcave aleate ndryshe të quajtura si “Tre të mëdhenjtë” (SHBA, Britania e Madhe, dhe BRSS-ja), kundër “Fuqive të Boshtit” të përbëra nga (Gjermania, Italia dhe Japonia).

Fundi i LDB-së njëkohësisht shënoi vendosjen e një rendi të ri botëror nga fuqitë fituese, duke i vënë edhe linjat e reja kufitare bashkë me zonat e influencës. Rendi botërorë që zanafillën e kishte që nga Konferenca e Teheranit, Jaltës dhe e Potsdamit, u finalizua në Breton Uoods të SHBA-së, e cila më tej do të bëhej më agresive- të një gare ushtarake me të gjitha mjetet në tokë, det dhe gjithësi.

Në ndërkohë, pas ndarjes së Gjermanisë dhe Berlinit, në fillim të viteve të 50-ta të shek. 20 i gjejmë bazat e para të BE-së së sotme, e cila si vendeve anëtare, atyre të Ballkanit Perëndimor dhe padyshim Evropës Lindore i ka dhënë shumë. Disa pesimistë thonë se BE-ja nuk është e dukshme, pasi me luftën në Ukrainë është bërë edhe më shumë e pa rëndësishme.

Jo nuk është ashtu! Edhe pse në dukje të parë BE-ja nuk e ka forcën e SHBA-së për të ndikuar në procese të mëdha dhe përballuar Rusinë, ushtarakisht, përsëri ndihma e BE-së ka qenë e rëndësishme për Ukrainën dhe luftën e saj kundër Rusisë. Dhe jo vetëm kaq! BE-ja gjatë gjithë kësaj kohe ka bërë shumë për vendet e Ballkanit, duke ua hapur dyert e anëtarësimit Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Të mos përmendim kohën e pandemisë, vaksinat falas dhe miliona euro të dhëna nga Brukseli për banorët e varfër të rajonit dhe botës.

Në këtë garë të re e cila duhet e pakuptimtë për shtetet pro ruse dhe nostalgjikët e BRSS-së, BE-ja bashkë me pjesën tjetër të botës ka marrë anën e duhur. Natyrisht se më të zëshmet këtu kanë qenë Britania e Madhe dhe SHBA në luftën ukrainase për të mposhtur rusët në front, pasi kanë kapacitete ushtarake dhe janë njohës të mirë të kundërshtarit, pra të Rusisë që nga luftërat ruso –turke, Betejës për Krimenë gjatë shek.18-19, Luftës së Ftohtë dhe pas.

Në rrethanat e reja të krijuara në marrëdhëniet në mes “Treshes së Madhe”, Rusia paraqitet e dobët, pasi me armë të kufizuara bërthamore mundohet të mbajë një lidhje me prestigjin e dikurshëm të “Luftës Patriotike”, dhe të aneksojë pjesë tjera të territorit ukrainas. Pasi Moskës nuk i kanë dalë planet në terren, dy fuqi tjera që kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm në këtë luftë janë Polonia dhe Turqia.

Turqia me dronët “Bayraktar” –TB2, kurse Polonia ka shërbyer si një nyjë për të dërguar armë në Ukrainë, ka kryer shërbime inteligjente dhe vëzhguese në favor të NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Të dyja shtetet bashkë kanë treguar aftësitë e fuqive të mesme dhe me rëndësi strategjike për SHBA-në dhe partnerët.

Të arriturat e Turqisë dhe Polonisë në fushën ushtarake në kohën e konkurrencës gjeopolitike dhe të inteligjencës artificiale, do t’i bëjë jo vetëm shtete të balancës, por edhe shtete që aspirojnë statusin e fuqisë së madhe. Krahas tragjedisë dhe të panjohurës se si do të përfundojë lufta në Ukrainë, për disa shtete të rajonit është një mundësi për t’i arritur qëllimet e shekullit, arritjen e qëllimeve ekonomike, statusit në aspektin ushtarak, dhe sigurisht në negociatat ndërkombëtare të bëhen pjesë e vendime të rëndësishme.

Kur Perandoria Osmane filloi të shembet, britanikët dhe francezët kishin ide të ndryshme. Në vitin 1916, diplomati dhe koloneli britanik Mark Sykes mori një laps me yndyrë dhe vizatoi një vijë në hartën e Lindjes së Mesme. Ajo më vonë u bë baza e marrëveshjes së tij të fshehtë me homologun e tij francez, Francois G. Picot, për të ndarë rajonin në dy sfera ndikimi.

Ky krahasim vlen edhe sot, ku lufta në Ukrainë ka hapur shumë dilema se ku do të mbetet kufiri i ri. Mirëpo këtë kënaqësi të ndikimit të madh si dikur para një shekulli nuk e kanë më britanikët dhe francezët. Për sa i përket Ballkanit, që nga rënia e bizantinëve dhe otomanëve dhe në veçanti, që nga rënia e Murit të Berlinit, qytetarët ende nuk e gëzojnë statusin e vërtetë si njerëz të demokracive të reja të rajonit. Siç e dimë të gjitha shtetet janë të varura nga BE, SHBA, Turqia dhe demokracitë tjera të botës.

Sigurisht se të gjithë kombet presin fundin e luftës së Perëndimit dhe Rusisë në Ukrainë, për të shikuar drejt së ardhmes e cila nuk dihet se si do të jetë. Megjithatë, pozicioni aktual i Fuqive të Mëdha në Evropë, tregon se si gjeografia i jep formë jo vetëm historisë, por edhe fatit të kombeve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button