Bytyqi i ktheu përgjigje Mickoskit: S’ka nevojë të flasim me dyer të mbyllura, te mërkurën ka mbledhje Këshilli Ekonomik

Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, e ka ftuar zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Fatmir Bytyqi, në një takim për nesër i cili do të mbahej në selinë e partisë, ku ai do t’ia prezantojë planin për zbutjen e pasojave nga kriza energjetike dhe shpëtimin e vendeve të punës. Bytyqi i ka kthyer përgjigje se për të mërkurën është caktuar Këshilli Ekonomik dhe nuk ka pse të diskutojmë pas dyerve të mbyllura, njofton Portalb.mk.

Ftesa e Mickoskit për Bytyqin vjen pasi që siç thotë ai, kryeministri Dimitar Kovaçevski u ikë takimeve dhe TV-dueleve.

“Dëshiroj me të vërtetë të ndihmoj, pasi që punët janë më serioze dhe më të rëndësishme nga kotësia e cilitdo anëtar të Qeverisë. Në kushte kur Dimitar Kovaevski dezerton, ik nga takimi dhe TV dueli me mua, e ftoj zëvendëskryeministrin e Qeverisë, të Obliguar për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi në mbledhje të dielën (2 tetor 2022) në ora 12 në Selinë e VMRO-DPMNE-së, ku detajisht do ta sqarojë planin dhe konceptin të cilët do të nënkuptojnë rimëkëmbje të ekonomisë dhe ndihmë ndaj bizneseve”, shkruan Mickoski në FB.

Mickoski thotë se ofron koncept jo vetëm për vjeshtën dhe dimrin, por edhe për vitin e ardhshëm.

Fatmir Bytyqi, i ka kthyer përgjigje Mickoskit duke theksuar se për të mërkurën është caktuar Këshilli Ekonomik në një format të gjerë, i cili, siç tha ai, u përpoqëm të jetë produktiv dhe konstruktiv gjatë krizës së koronës.

“Fatkeqësisht, opozita nuk e tregoi atë shans për të treguar kujdes dhe ndërgjegje, përkundrazi as që erdhi, kështu që filloi me bllokadë, pastaj bllokadë aktive të Parlamentit. Qytetarët e dinë se prej gati tre vitesh publikisht bëj thirrje për bashkëpunim dhe përgjegjësi për të përballuar krizën. Përsëri dyert janë të hapura, zgjidhjet janë gjithmonë në tavolinën ku ulemi të gjithë bashkë. Nuk ka nevojë të flasim ballë për ballë, pas dyerve të mbyllura. Kompleksiteti i kësaj krize kërkon që ne të tejkalojmë vetet tona, sepse solidariteti, përgjegjësia dhe mençuria kolektive janë ato që do të na nxjerrin nga kriza”, shkruan Bytyqi.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dje e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button