Alpinistja Mrika Nikçi publikoi videon e sulmit seksual ndaj saj, u arrestua i dyshuari (VIDEO)

Alpinistja Mrika Nikçi e ka publikuar videon që shfaq momentin kur ajo sulmohet seksualisht nga një person, transmeton Portalb.mk.

“Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës”, ka shkruar Nikçi në llogarinë e saj në Facebook sipër videos që e ka publikuar.

“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupull”.

Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar sot se e ka arrestuar të dyshuarin me inicialet F.B, transmeton Klan Kosova.

“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se pas punës intensive me Policinë e Kosovës, ka identifikuar dhe arrestuar një person (me inicialet F.B) i cili dyshohet se me datën 27 shtator të këtij vitit ka sulmuar seksualisht viktimën femër”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Pas identifikimit, i njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Sulmi seksual’ nga neni 229, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtoj mundësin e paraqitjes se kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe gjithashtu lidhur me ketë çështje penale do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”.

Babai i alpinistes Mrika Nikçi, Arianit Nikçi, ka dhënë një prononcim për Klan Kosova, pas videos që e kishte publikuar vajza e tij, në të cilën shihej duke u sulmuar seksualisht nga një person që tashmë është arrestuar.

“Kuptohet që jam ndier shumë i shqetësuar, por fatmirësisht ka qenë një bashkëpunim i mirë me organet përkatëse dhe me qytetarët”, ka thënë Nikçi.

I pyetur për detaje të tjera lidhur me të dyshuarin dhe me procedimin e rastit, ai tha se nuk mund të prononcohet për momentin për këtë dhe se pret që çështja të zgjidhet përmes rrugëve ligjore.

“Për më tepër, nuk mund të prononcohem”, ka përfunduar Nikçi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për rastin e sulmit seksual ndaj alpinistes Mrika Nikçi.

Haxhiu, për Klan Kosova  tha se e ka parë videon e publikuar nga Nikçi, teksa shtoi se ka biseduar edhe me vetë atë dhe se ndihet mjaft e shqetësuar.

Tutje, Haxhiu tha se, në bazë të informacioneve që ajo ka, personi i dyshuar për rastin është arrestuar.

“Duhet sensibilizim i opinionit publik dhe institucionet ta kryejnë punën. Në bazë të informatave që i kam, personi i dyshuar është arrestuar”, është shprehur Haxhiu.

Më tej, e para e Drejtësisë tha se si qeveri “planifikojmë që ata persona që janë të dënuar për vepra të tilla të mos kenë mundësi të punësohen nëpër institucione publike”.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas sulmit seksual që iu bë Mrika Nikqit nga Flori Beqiraj.

Muhaxheri tha se dhuna nuk është çështje private, por çështje sociale e politike.

“Por, mbi të gjitha, është krim i dënueshëm, për të cilin kërkohet reagimi i secilit prej nesh. Mrika Nikqi, ti je sportistja e dalluar, krenaria e qytetit të Pejës dhe mbarë shqiptarisë”, është shprehur Muhaxheri, transmeton Klankosova.tv.

Ndryshe, së fundmi në Kosovë pati protesta për sulmet seksuale, përdhunimet dhe dhunën ndaj vajzave dhe grave si rezultat i përdhunimit të një njëmbëdhjetë vjeçareje. Protesta në shenjë solidarizimi pati edhe në Shkup dhe Tiranë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button